Niazi Jaho; 100 vjet drejtësi për të tjerët

23 Prill 2024, 20:47Blog Nga Naim Zoto

Me rastin e datëlindjes së juristit që feston sot shekullin
 Niazi Jaho; 100 vjet drejtësi për të tjerët


 
Me Niazi Jahon jam njohur mbi 30 vjet më parë, në tetor të vitit 1993, për shkak të një “lapsus”-i, kur drejtoja gazetën “Shqip”. Në një shkrim botuar në kuadër të debatit për projektligjin për lirinë e shtypit dhe të shprehjes që po përgatitej nga qeveria e asaj kohe, na kishte kaluar një gabim, i cili, si duket, krijonte keqkuptime... Ai që reagonte dhe kërkonte me këmbëngulje korrigjimin quhej Niazi Jaho. Nuk më thoshte gjë atëherë, përveçse emri i tij më ngacmoi në tru togfjalëshat “Konferenca e Tiranës” dhe “armik i partisë dhe pushtetit popullor”, ndoshta të lexuara diku, dikur.
Jo vetëm s’e njihja, por ato vite të para pas rrëzimit të regjimit komunist shumëkush, funksionarë të partisë 50-vjecare, madje edhe nga kolegët tanë, më saktë shumica e shefave të gazetës “Zëri i Popullit” këmbyen “llogore”, duke bërë antikomunistin e thekur, por, ama, prapë si shefa, tani në “tribunat demokratike”. Në kësi rrethanash, pothuaj më qenë neveritur jo vetëm partitë dhe muhabetet ku shitej (gjithmonë me zë të lartë që të dëgjohej nga tavolinat përreth) groshi anti- në çdo kafene, por, shihja me dyshim edhe njerëzit që patën vuajtur vërtet nga ai regjim. Madje, për herë të parë aso kohe vura në dyshim edhe të vetmin slogan që ia kam pas pëlqyer Berishës: bashkë-vuajtës dhe bashkë-fajtorë.
Nën këtë trusni mëdyshjeje u takova nga afër me Niazi Jahon. Qe 70 vjeç, pensionist, por nuk e tregonte moshën; me trup atleti; i gjatë dhe i thantë si thonë në jug. Me pak fjalë dhe mjaft i qartë, duke iu referuar projektligjit, më shpjegoi ku gabohej në shkrimin e botuar. “Mbaroi, i thashë, do botojmë shënim për lexuesit ashtu si do na e shkruani ju... Por a mund të pyes për diçka për Konferencën e 56-ës. Keni qenë edhe ju?”. Dhe nga Niazi Jaho dëgjova për herë të parë dëshminë e sinqertë të një funksionari partie që flet ashtu si ka besuar, vepruar e folur atëherë dhe jo siç do ta donte klani apo partia e radhës që synon pushtetin apo ka arritur në pushtet. Jo një dëshmi të manipuluar apo edhe të sajuar, por ashtu si ka ndodhur. “D.m.th., ju nuk keni dashur të rrëzoni Enverin?”. “Po, jo, mor djalë, askush në atë konferencë nuk doli për të rrëzuar këtë apo atë. Po flasim për vitet ‘60 jo për vitet ‘80-‘90. Ne donim e folëm në atë kohë për të përmirësuar partinë tonë”. Po ta dëgjosh dëshminë e Niazi Jahos për të parën konferencë ku komunistët e ndershëm, njerëzit idealistë të asaj kohe ngritën zërin për shenjat e para të degradimit të pushtetit dhe të udhëheqjes komuniste, pra, shenjat se si një parti politike nis e sundon fillimisht anëtarësinë e vet për pushtet e duke përdorur pushtetin.
I lindur në Gjirokastër, më 24 prill 1924, Niazi Veis Jaho, sipas emrit të regjistruar në gjendjen civile (se shpesh në media e gjen me emrin Njazi), qysh i ri përfshihet në lëvizjen antifashiste e pastaj del partizan. Pasi kryen studimet universitare për jurisprudencë, fillimisht në Beograd e pastaj në Rusi, në moshën 28 vjeçare nis punën si jurist në kryeqytet e pastaj në detyra partiake deri në Konferencën e Tiranës (1956), kur përjashtohet nga partia e syrgjynoset në Elbasan dhe fshatrat e tij si edhe disa të tjerë si Adriatik Kanani, Nesti Zoto, Pajo Islami, Isan Budo, sepse kërkuan reformimin e partisë dhe të qeverisjes, përfshi edhe kritikat ndaj privilegjeve që udhëheqja komuniste i kishte dhënë vetes. Goditja e parë ndaj “Bllokut” shqiptar si koncept favoresh, nepotizmi dhe shpërdorimi të pushtetit nga kasta është dhënë qysh në vitin 1956. Për këtë akt “rebelimi”, por që Niazi Jaho e konsideron si akt padrejtësie dhe shpërdorim pushteti dhe jo si akt politik të mirëfilltë opozitar. Konferenca e Tiranës nuk kishte qëllim të ndërronte sistemin dhe të vendoste kapitalizmin. Ne thjesht donim një parti më të mirë dhe më të drejtë, thotë vetë Niaziu. Një koleg i yni pas shumë vitesh e pyeti një herë Niaziun, me shkas të librit të një funksionari të njohur, nëse “Ka pasur të shtëna me armë në Konferencën e Tiranës?”. “Unë nuk kam dëgjuar gjë”, ia kthen qetësisht Jaho.
Thonë se njeriu ka tre jetë: fëmijërinë dhe rininë, moshën e punës dhe  pleqërinë. Nazi Jaho i kaloi këto tre faza të jetës si tri prova të mëdha që i përballoi me dinjitet dhe integritet, gjithnjë në anën e se drejtës, progresit, sigurisht duke sakrifikuar për to: si antifashist, si komunist dhe si demokrat. Nuk nuk ka qenë militant fanatik i tyre, por militant i së drejtës bazuar në ligj; kundër padrejtësisë ka qenë gjithmonë. Dhe nuk mburret me asnjërën prej tyre.
Pas viteve ’90 shumë njerëz që me të drejtë apo padrejtësisht, me ligj apo me urdhër partie ishin dënuar, persekutuar, internuar e dëbuar nga qytetet dhe shtëpitë e tyre u sulën të përfitonin me të gjitha mënyrat. Në situatën kaotike përfituan edhe lloj-lloj mashtruesish. Niazi Jahon e zuri mosha e pensionit pikërisht në “kohën e mashtrimit”, si e ka etiketuar një shkrimtar. Pra, pikërisht në këtë kohë, kur vullnetarizmi ironizohej, Njazi Jaho fillon të angazhohet e të punojë vullnetarisht në shoqatat dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe rehabilitimit të viktimave të komunizmit, ndër viktimat e para të të cilit ishte ai vetë. Sipas Arben Putos, kryetar i Komitetit Shqiptar të Helsikit (KSHH), “Në vitin 1995 vjen në radhët e KSHH-së Niazi Jaho. Dalë nga një internim shumëvjeçar bëhet një ndër anëtarët më të përkushtuar si këshilltar juridik, detyrë të cilën e kryen edhe sot me profesionalizëm të lartë”.     
Më saktë jetën e Niaziu ma ka shprehur gazetari Sefedin Çela, i cili e ka fqinj Jahon në rrugën “Fortuzi” në Tiranë: “Niaziu ka shpreh asnjë mllef, edhe pse jeta i shkoi o në burg, o vullnetar! Unë vetë e kam njohur kur punonte si jurist vullnetar te shoqata e Kozara Katit për rehabilitimin e viktimave të regjimit komunist”.
Edhe pse fati nuk u tregua bujar, jeta u soll keq me Niazi Jahon ai nuk u bë i keq, as ndolli të keqen. Përkundrazi, e mundi te keqen, i sfidoi shpërdoruesit e idealit përmes sakrificës. Ai është një nga ata idealistët që e lind dhe ka çdo lëvizje shoqërore, sidomos në kthesa të mëdha historike.  Niazi Jaho mbush 100 vjecc sot, por nuk është jetëgjatësia që e bën të veçantë.
Niazi Jaho është njeriu që ka një shekull që kërkon drejtësi dhe të drejta për të tjerët; njeriu që përcjell dhe mbron kauzat e Kartës së Helsinkit në Shqipëri; të drejtat e njeriut përballë abuzimit të pushtetit të radhës. Ai ka qenë një kockë e fortë jo thjesht e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, por e vetë Kartës së Helsinkit, jo thjesht e zyrave të tij, por e frymës së Kartës së Helsinkit... Dhe jo vetëm si jurist dhe në mjediset e institucioneve të drejtësisë, por edhe duke i bërë argumentet dhe temat e drejtësisë dhe padrejtësisë pjesë të debatit publik me anë të shkrimeve të shumta, librave, monografive, medias; në çdo forum dhe tribunë që i jepej rasti.
Niazi Jaho, ndryshe nga shumë rrogëtarë të OJQ-ve që i bëjnë fresk pushtetit të radhës apo interesave të xhepit të vet, ka botuar plot artikuj kritikë deri për vendime të qeverisë, institucioneve por edhe të vetë Gjykatës Kushtetuese. Niaziun e kanë etiketuar si “Juristi i hekurt”, por ai ishte i tillë për të drejtën dhe ligjin, përmes argumenteve, Idetë e tij ishin të krahut liberal, thotë prof. Aurela Anasatasi. Ndryshe nga shumëkush, Niaziu nuk e ngre kurrë zërin, të imponohej përmes mjetesh apo mënyrash që nuk kanë lidhje me logjikën dhe argumentin profesional. Niaziu ka përballuar shumë presione të pushteteve, debate pikërisht duke i bindur palët me urtësi dhe argumentet alternativën e tij juridike apo njerëzore. Dhe kjo është tipar i njerëzve me profil të lartë intelektual dhe njerëzor. Njeriut të ditur  si Niaziu u shkon kostumi i urtësisë dhe qytetarisë.
Të jetosh një shekull dhe të mbetesh në thelb po ai qe ke qenë ndërkohë/ pavarësisht se ke kapërcyer kurthe e sfidat që të ngre jeta, profesioni, politika, regjimi, epoka ose thjesht egoja që ke, e cila shpesh nuk kontrollohet dot nga arsyeja, kjo nuk ndodh shpesh. Për më tepër që kur nuk ke qenë një qenie që e ka lënë veten në duart të rastësisë apo edhe zotit lart në qiell apo atyre që sundojnë poshtë e lart e që shpesh janë ku e ku më të poshtër.
Niazi Jaho që sot mbush 100 vjet nuk besoj se ka qenë ndonjëherë rob, as i vetvetes; ai ka jetuar si misionar i drejtësisë dhe humanizmit. Niazi Jaho ka jetuar gjatë por nuk ka pasur kohë të turpërohet.
Kam njohur së fundi një mik të vjetër të Niaziut qëkur ishin të dy me punë në Elbasan; ish-ministrin e Rendit, Aredin Shytin, të cilit i kam botuar librin me kujtime kushtuar ngjarjes tragjike të 2 Prillit 1991 në Shkodër, me sebep të të cilit Aredini dhe familja e tij kaloi vite shumë të vështira në Burgun e Bënçës deri sa fitoi pafajësinë duke ia lënë turpin atij që përdori pushtetin duke sajuar një arrestim dhe gjyq politik që në krye të herës. Unë e dija nga libri se Shyti i qe drejtuar edhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me shkeljen e te drejtave gjatë viteve të burgut. Mirëpo disa muaj pas botimit të librit më merr në telefon dhe më fton të shkojmë diku për drekë jashtë Tirane. Do jetë me ne edhe Niazi Jaho, më thotë. Ishte një drekë malli dhe respekti për dy miq të vjetër që e kishin pësuar nga prapësitë e pushtetit dhe egërsisë së Piramidës. Është një nga ditë më të bukura kur dëgjoje dy njerëz të mençur dhe të rrahur me vaj e uthull nga jeta, të dy pleq, por me një memorie e logjikë të mahnitshme. Aty doli puna e letër-ankesës nga burgu i Bënçës. Niaziu shpjegoi rrethanat që penguan mbrojtjen e mikut nga padrejtësia. Dhe ishin vetëm tre veta në KSHH, njëri nga të cilët ishte edhe Njaziu, që e lexuan letrën dhe do të dilnin me deklaratë të nesërmen. Por të nesërmen gazetat e Doktor Diktatorit, që tani është shpallur “non grata” për minim të demokracisë dhe korrupsion madhor”, ishin mbushur me shkrime dhe presione kundër kryetarit të KSHH, duke i bërë “biografinë prej komunisti”...  
Nderime, mik i drejtësisë në kohë të padrejtësive

6 Komente

  1. H
    Haka Tekizoti

    Përshkrim i bukur për një njeri që i bën nder bukurisë shpirtërore të atij që është vërte Njeri.

    1. S
      Shabani

      Urimet shkojnë për Juristin Njazi Jaho, që të rrojē edhe kaq sa është me shëndet e gëzime. Se personalitete të tilla edhe se nuk i ke të njohur, dëshiron t’i kesh pranë vetes. Përgëzime edhe Ju Naim për shkrimin.

      1. A
        Albert

        Jete e shendet profesor Niazi Jahos ne kete qindvjetor, te cilin kam pase fatin ta njoh pas ktheses se viteve 90-te, si nje nder juristet brilante, i angazhuar me gjithe aftesite e njohurite e tij per njohjen e zbatimin korrekt te ligjeve nga cilido qytetar, forum, institucion. Nderim per ju, Naim, qe keni bere kete shkrim per kete figure te nderuar mes juristeve shqiptare.

        1. S
          Sokrati

          Një misionar i vërtetë i DREJTËSISË, një njeri me një kapacitet të shkëlqyer, real, tejet i vërtetë dhe frymëzues. Niazi Jaho, Gëzuar 100 vjetorin e lindjes! Paç shëndet dhe jetë qetë! Faleminderit, Z. Naim Zoto!

          1. A
            Agimi nga Elbasanĺ

            Edhe unë që e kamë njohur nga afër këtë idhull të ndershmërisë dhe të profenializmit korrekt pa asnjë anshëmëri partiake nga ku duhet të frymëzohet gjithëkushtë shqipëtar i ndershëm që ja do të mirën këtij vendit tonë që k nga ato miopë që për interesa mafioze janë të aftë të shesin dhe shpirtin e tyre katran të zi

            1. O
              Oketo

              Artikullshkruesi ka harruar ( ose nuk eshte ne dijeni) te pergjigjes qe i dha Njaziu Enverit kur po i kërkonte llogari per fjalët qe kishte thene ne Konferencën e Tiranës : " Fjalëve qe kam thënë nuk ju heq asnje PRESJE " Jete te gjatë edhe 100 te tjera Njaziut !

              Lini një Përgjigje