Nuk mund të mallkohen shqiptarë për një humbje politike

25 Maj 2023, 16:20Blog Nga Alba Malltezi

Nuk mund të mallkohen shqiptarë për një humbje politike

Mallkimet, ndaj shqiptarëve që nuk i votuan, nga ana e intelektualëve pranë të djathtës që humbi në zgjedhjet e 14 majit, janë të pakuptueshme. Së pari, duke qenë intelektualë mendohet të kenë arritur në atë fazë të evolucionit individual për të kuptuar se humbjet, dështimet, rrëzimet,i bëjnë njerëzit e mençur të shohin fillimisht nga vetja.

Sidomos, nëse këto humbje, prekin shumë vetë edhe si shqiptarë, parase me qenë opozitarë. Pra në këtë rast, humbja e opozitës përkoi me humbjen e shumë shqiptarëve të tjerë të ngjashëm në bindje politike me këta intelektualë. Mallkimet, denigrimet, zvogëlimet, epitetet që dëgjohen e lexohen këto ditë ndaj një populli, poshtë e lart, janë të patolerueshme.


Së dyti, nëse një pjesë e shqiptarëve, e çertifikuar tashmë antiberishiane, është shumicë në vend, nuk do të thotë se “fajin e ka Berisha”, siç hatërmbeten dhe e banalizojnë prej kohësh problemin të njëjtët intelektualë pranë Berishës dhe modelit politik që ai përfaqëson; do të thotë se kjo shumicë shqiptarësh thjeshtë e sheh veten në drejtim të kundërt me atë që Berisha propozon. Pra, faji nuk është i Berishës në asnjë moment, është meritë e shqiptarëve të shohin ndryshe prej tij dhe të veprojnë ndryshe prej tij.

Eshtë kjo arsyeja thelbësore e dallimit të një berishiani që mbart në vetvete mungesën e thellë të kuptimit të gabimit në veprim dhe në fjalë, nga pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare që ka vendosur të shkojë përtejë akuzave që për një humbje, çfarëdo humbje, edhe një të tillë politike, mendojnë se fajin e kanë të gjithë: komshinjtë, kolegët, farefisi, shoqëria apo e gjithë Shqipëria.

Aftësia për të kuptuar dhe pranuar një humbje, kërkon inteligjencë  dhe sidomos qytetërim që e thënë kështu mund të ngjajë si një ofendim ndaj kujt nuk e bën një gjë të tillë. Por në të vërtetë jo. Egoja njerëzore përballet përditë në tundime për ti pranuar vetes se është më i miri dhe më i pagabueshmi dhe në fakt disa janë. Problem lind atëherë kur më të mirët e më pak të gabueshmit ndodhen nga ana tjetër e vijës e për ta parë e pranuar këtë, duhet modesti e mjaftueshme të ndriçojë faktet.

Është e trishtë, e papranueshme që shqiptarë të flasin me kaq përbuzje për të tjerë bashkëatdhetarë duke vënë në diskutim qytetërimin e mundimshëm e plot sakrifica që përditë bëjmë si shoqëri. Qytetërimi kalon edhe përmes humbjeve.

Lini një Përgjigje