Për ata që përpiqen të kuptojnë funksionimin e “Merimangës kriminale Epstein”

25 Shkurt 2026, 21:15Blog Nga Minella Aleksi

 

Për ata që përpiqen të kuptojnë funksionimin e

Një ish-sekretar i thesarit amerikan që më pas u bë president i Universitetit të Harvardit, Larry Summers, kish marrë një mesazh flirtues nga një grua. Qënia në mëdyshje e shtyu që t'i kërkonte këshilla romantike “Mjeshtrit të raporteve femër-mashkull” konsulentit Epstein.

I kërkonte këshillë sesi duhej t'i përgjigjej. Përgjigja e Epstein ishte: “Ajo tashmë po fillon të duket sikur ka nevojë të padurueshme. E këndshme”. Pas daljes së emrit në listën Epstein, Presidenti Summers në Nëndor 2025 u tërhoq nga të gjitha angazhimet publike përfshirë edhe poltronin e presidenti të Universitetit të Harvardit.

Të mos e dish për kë bëhet fjalë, duket sikur bëjnë gallatë dy adoleshent pas shkolle. Të gjithë ata që përpiqen të kuptojnë funksionimin e “Merimangës kriminale Epstein” i mundon dilema sesi brënda një kohe të shkurtër, papritur u bë shumë i pasur. Burimi i saktë i pasurisë së tij mbetet një mister. Arriti të anashkalonte rregullin e Harvardit kundër pranimit të parave të tija të mbuluara me mister. Shumë i pasur, Jeffrey Epstein matematikan dhe fizikant sociopat, mbledhës njerëzish të shquar të shkencës, e thërrisnin “Filantropi i shkencës. Interesi i tij në shkencën e trurit ishte për një qëllim praktik, të lig. Kërkonte dhe propozoi studime mbi “sistemet protetike sociale”, duke i parë njerëzit e shkencës si zgjatime të vetes, që mund të përdoren për të menaxhuar nevojat e tij emocionale dhe sociale. Bënte çmos të tregonte shqetësimin e tij për të tjerët dhe çfaqte një interes "të errët" në manipulim dhe kontroll të sjelljes njerëzore.

Sipas pjesëmarrësve në seminaret e tij, çfaqte shumë interes mbi jetëgjatësinë, se si transmetohen tiparet njerëzore dhe donte të përdorte eugjenikën për të krijuar "njerëz superiorë". Epstein deklaronte preferencën e tij për shkencëtarët që nuk përshtateshin me modelin tradicional akademik, duke i përshkruar ata si "rebelë që nuk përshtaten. Kjo i lejoi atij të pozicionohej si një kampion i mendimtarëve jokonvencionalë, "gjenialë", në vend që të ishte thjesht, siç e quajti një shkencëtar, një "mashtrues intelektual".

Epstein ishte i fiksuar pas eugjenikës dhe transhumanizmit, duke besuar se "gjenialiteti" dhe "superioriteti" ishin kryesisht të trashëguara. Ai financoi kërkime mbi bazën gjenetike të sjelljes njerëzore, me shumë mundësi duke shpresuar se shkenca përfundimisht do të justifikonte botëkuptimin e tij për superioritet të lindur mbi të tjerët. Duke organizuar darka të sofistikuara dhe duke ofruar udhëtime me avion privat, Epstein krijoi mjedise të izoluara ku mund të vëzhgonte zakonet e njerëzve të fuqishëm dhe të identifikonte "pikat e levave" të tyre. Kishte shumë pasuri por, ndjente nevojën e avancimit të statusit social drejt rrjeshtimit me intelektualët e elitës për të ndërtuar një aurë prestigji.. Ai kënaqej duke pritur, siç e përshkroi Ghislaine Maxŵell, një "sallon libertine" ku gjenitë takoheshin pa gjykimin e "kopesë". Duke financuar studiues në institucione të larta si Harvard dhe MIT, ai “bleu” respekt intelektual, mundësoi “pastrimin e reputacionit” nëpërmjet kombinimit të manipulimit financiar, filantropisë strategjike dhe inxhinierisë sociale drejt integrimit në qarqet më elitare të botës.

Epstein manipulator klasi, shumë i pasur nuk kish nevojë të joshte asnjërin prej më të fuqishmëve të botës. Si në historitë antike, me gurin mistik të ëndrrave në dorë Ai mundi të zhbllokonte sekretet e nënvetëdijes së tyre, njeriun si kafshë sociale, kuptimin e thellë të natyrës njerëzore. Zbuloi dhe shfrytëzoi persversitetet e tyre. Me pasurinë e tij të madhe mundësoi krijimin e mjediseve të izoluara, të papërgjegjshme, ku ndodhte abuzimi paedo dhe mbrohej nga shqyrtimet investigative.

Pse këta të famshëm kishin nevojë për Epstein?

Mund të gjenin vajza adoleshente shumë lehtë, të gatshme të shisnin veten për para. Arsyeja e thjeshtë: Epstein ishte pushti manipulator që ua lehtësonte stresin e zbulimit. Ai jo vetëm ofroi adoleshentet, por mbi të gjitha ofroi një strehë në territor të pa arritshëm nga sytë dhe veshët e botës, ku ata mund të shkonin dhe të përjetonin çfaqjet e ëndrrave, të shpëtonin pa u ndëshkuar me sigurinë që askush nuk do ta dinte kurrë. Ai kishte krijuar infrastrukturë larg syve të “Shtëpisë së Bardhë”. Skandalet e herëpashershme në residencën presidenciale i ka shtyrë ose janë këshilluar që të krijojnë merimanga të llojit Epstein.

Avionë privatë. Prona në territore të izoluara. Një rreth i trajnuar për të lehtësuar aksesin dhe për të zbatuar heshtjen. Një pozicion shoqëror që i lejonte atij të lëvizte rrjedhshëm midis botëve politike, financiare, akademike dhe mbretërore. Kjo nuk mund të ishte diçka aksidentale. Ishte një sistem efiçient. Vlera nuk qëndronte vetëm në atë që ndodhte, por në atë se kush ishte i pranishëm. Si njerëz shumë të pasur e dinin se, ishin mjaftueshëm të fuqishëm për të bërë të ndodhte ajo që, para tyre po ndodh.

Njerëzit e pasur kanë tendencë të marrin dhe, pothuajse gjithmonë e marrin atë që duan. Epstein mbi të gjitha ofronte “qasje të lehtë në gjëra”. Një kombinim dehës, dhe mjerisht natyra njerëzore është mjaft e lehtë për t'u manipuluar.

Për njerëzit shumë të pasur, për titanët e biznesit dhe të fuqishmit e “merimangës Epstein”, kjo veçori i ngjan “Jashtëzakonshmërisë”. Përderisa nuk jeni si të tjerët, të zakonshmit e shumtë, ju meritoni qasje të lehtë në gjëra.

Dhe nëse nuk jeni si të tjerët, pse ligji do të zbatohet për ju ashtu siç zbatohet për të gjithë të tjerët? Prandaj interesi i i tij për psikologjinë sociale orientohej drejt kuptimit se, çfarë bëjnë njerzit dhe jo çfarë është e drejtë. Me dinakëri dhe shumë durim Epstein kishte përmbushur dy arritje të suksesshme: të ishte shumë i pasur, dhe si intelektual, me “reputacion të pastruar” përmes rrjetit të tij të fuqishëm social. Manipulator i klasit ndërkombëtar, narcisist me tipare sociopati sadist, mishëronte shprehjen: Unë mbledh njerëz, unë zotëroj njerëz, unë mund t'i dëmtoj rëndë njerëzit". Ndërkohë punonte dinakërisht për të ndërtuar fabrikën e tij të shantazhit. Fabrika ishte projekt i kundërt me “pastrimin e reputacionit”. Synonte degradimin moral dhe dokumentimin me prova që, ata të ndiheshin se ishin po aq të pisët dhe të ndyrë sa Ai.
Fabrika e tij shantazhuese përdorte një teknologji të ulët, të vjetër, nga kohët antike, me efikasitet pasoja katastrofike. Nuk mendoi të mblidhte informacion të rrjedhur nga programe keqdashëse, të dekoduar nga satelitët, as nga AI, as nga kode të sofistikuara. Barazonte në krim manipulatorin dhe të fuqishmin. Bashkëfajësia në krim të shantazhon pamëshirshëm. Formula e të gjitha kohëve: “kurthi ose çarku i mjaltit, ndryshe, (seks,sekret, kohë)”. Dhe vazhdon të funksionojë jo sepse njerëzit që bien në të janë në mënyrë unike budallenj, por sepse kushtet që e bëjnë atë efektive - dëshira, turpi, e drejta dhe sekreti - janë të përfshira në mënyrën se si funksionon pushteti. Shantazhi me emrin “Çarku i mjaltit” nuk dëshmon vetëm dobësinë perverse individuale, ekspozon edhe shëmbjen e legjitimitetit të sistemit. Numri i njerëzve që kishin njohje të “Merimangës Epstein” ishte I MADH. Aq i madh saqë ishte një sekret i hapur. Ruajtja dixhitale i bëri provat të jenë të përhershme. Avionët privatë fshinë kufijtë. Marrëveshjet e moszbulimit i shtuan proçesit një shtresë ligjore detyruese. Dhe rrjetet e elitës ofruan mbrojtje reputacioni aq të fuqishme sa thashethemet mund të qarkullonin për vite me radhë pa pasoja. Epstein ishte një ndërmjetësues i suksesshëm (Fixer) ose një mediator konfidencial për ata të pasur/të famshëm që nuk mundnin të kishin ndërveprime të rregullta me publikun, psh. pjesëtar të familjes mbretërore që për tjua zgjidhur apo rregulluar gjërat nuk mund të ndiqnin linjat zyrtare. Në këto raste kërkohej mediatori ose fixeri që mundësonte (qarkun e shkurtër). Epstein ishte dhe, gjithmonë kishte një emër përfaqësues të gatshëm për këtë rol.

Ajo që përbën një zbulim intrigues për studim psikoanalitik nuk është se burra të fuqishëm u zunë në kurth, por se shumë njerëz përreth tyre dukeshin se e kuptonin, të paktën pjesërisht, se çfarë po ndodhte dhe prapë vazhdonin të merrnin pjesë. Kjo është shenja treguese e një sistemi amoral funksional. Kur kostoja e të folurit është më e lartë se kostoja e heshtjes, heshtja bëhet racionale.

Pandëshkueshmëria sistemike, kjo “Parashutë e artë” strukturore u lejon elitave të pasura t'i shpëtojnë drejtësisë, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me dënime më të ashpra për shkelje të vogla. Por askush nuk është shumë i pasur ose shumë i fuqishëm për të qënë mbi ligjin. Ligji mund të flejë, por asnjëherë nuk vdes.

Ai nuk ishte një devijim i sistemit. Ai u mundësua prej tij, u mboll brenda tij dhe u përdor për të, derisa një ditë nuk ishte më. Sjellja e tij në jetë u bë skandal vetëm pasi publiku më në fund pa atë që sistemi kishte mbrojtur prej kohësh.

Pyetja nuk është se si ekzistonte dikush si Epstein, por sa dinamika të ngjashme veprojnë në shkallë më të vogla, në vënde të tjera, të pavërejtura sepse u mungon fama e keqe e tij.

Epstein ka vdekur. Sistemi Jo. Kjo ka ndodhur para Jeffry Epstein dhe mjerisht po ndodh ende pas tij.

2 Komente

  1. B
    Besimtari

    Sakte ....

    Përgjigjjuni
    1. A
      Arti

      E morem vesh per Epstein. Po ajo kucka qe donte c@r akademik, kush ishte? Si e kishte emrin? Se ne fakt aty fillon "sistemi", tek deshirat e tyre per c@r.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje