Republikë Parlamentare apo Republikë gjykatësish

13 Dhjetor 2024, 17:10Blog TEMA

Republikë Parlamentare apo Republikë gjykatësish

Nga Agron Alibali

Më 10 dhjetor 2024 u publikua edhe opinioni i Komisionit të Venecias[1] për çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka [CDL-AD(2024)040].[2] Leximi dhe interpretimi i tij në Shqipëri shpesh po bëhet sipas syzeve politike, çka nuk është habi.

Këtu nuk do të zgjatemi me kalvarin procedural të çështjes. Thjesht do të përpiqemi të bëjmë një analizë dhe interpretim ndryshe: duke u mbështetur edhe në parimet e konstitucionalizmit amerikan, si dhe duke e nisur analizën nga fundi i Opinionit. Do të shqyrtojmë edhe vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese, që shërben si precedent.

Opinioni, rezervat e tij dhe përkthimi 

Fillimisht vërejmë se Opinioni i Komisionit të Venecias parashtron dy rezerva të rëndësishme:

Së pari, Opinioni e thotë shqeto se nuk ndërhyn në debatin politik. Po ashtu, Opinioni as interpreton Kushtetutën e Shqipërisë, dhe as analizon apo interpreton vendime të Gjykatës Kushtetuese. [pika 8 dhe 55]. Ai është thjesht një trajtesë e përgjithshme teorike me karakter këshillimor.

Së dyti, Opinioni thekson se është mbështetur në përkthimin në anglisht të dokumentacionit dhe se “përkthimi mund të mos përbëjë pasqyrim të saktë të të gjitha pikave”. [Pika 4]. Dhe duke qëndruar tek përkthimi, hasim fill një mospërputhje thelbësore: neni 70.4 i Kushtetutës, që përbën thelbin e mosmarrëveshjes, i cituar në anglisht në Opinion, është përkthyer gabim. Aty përmendet dy herë foljen “vendos” [decide në anglisht}, si për sa i takon Kuvendit, ashtu edhe për Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo Neni 70.4 i Kushtetutës në shqip shprehet ndryshe:

“Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”[4] 

Pra, është më se e qartë se kushtetutbërësi, që në rastin shqiptar është Kuvendi, ka përdorur dy folje krejt të ndryshme: vendos[5] kundrejt konstaton,[6] të cilat përçojnë dy veprime cilësisht të ndryshme kushtetuese. E megjithatë, versioni në anglisht i këtij neni të Kushtetutës, i përcjellë në Opinion, barazon “vendimmarrjen” me “konstatimin”. Ja ky version:

Rrjedhimisht, mund të “konstatohet” se përkthimi i gabuar i dispozitës kushtetuese ka bërë që ekspertët e Komisionit të Venecias të jenë mbështetur në një bazë referenciale të pasaktë, çka mund të ketë krijuar idenë e një fare “barazie funksionesh” midis Kuvendit dhe Gjykatës, ndërkohë që Kuvendit “vendos”, kurse Gjykatës Kushtetuese vetëm “konstaton”.

Kushtetuta – hartimi kundrejt interpretimitParimi i ndarjes së pushteteve 

Duke e analizuar Opinionin nisur nga fundi, d.m.th nga pyetja 5, Komisioni i Venecias – sikurse pritej – shprehet me të drejtë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëjë kushtetutë. Ajo mund të kryejë vetëm interpretimin përfundimtar të saj. Më saktë, “fuqia për krijimin e normës së re kushtetuese qëndron tek pushteti ligjvënës”, shprehet Opinioni, kurse “fuqia për të interpretuar me autoritet një normë ekzistuese kushtetuese qëndron tek Gjykata Kushtetuese”. [Pika 60, dhe 51]. Dhe më tej, “kompetencat e gjykatës … nuk duhet të shkelin apo cenojnë [encroach upon] sferën e pushtetit legjislativ“.[7]

Natyrisht Opinioni nuk pretendon se rishpik rrotën. Këto parime janë të qarta për këdo. Opinioni më tej rreket të paraqesë një trajtesë teorike për parimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve. [Pika 49]. Ky parim është themelor në doktrinën kushtetuese të republikës parlamentare, dhe e ka zanafillën në Kushtetutën Amerikane.

Pushteti ligjvënës mbizotëron 

Mendimi teorik në këtë fushë mbështetet sidomos tek Federalist Paper 51, botuar më 1788 me autor Alexander Hamilton dhe James Madison.[8] Qëllimi i këtij parimi themelor, shprehen Hamilton dhe Madison, është që secili pushtet “të qëndrojë brenda korsisë së vet” [“…keeping each other in their proper places”]. Këtë përcjellin edhe autorët e Opinionit të Komisionit të Venecias kur shprehet për moscenimin nga gjykata të sferës së ligjvënësit. “Mirëpo – shtojnë ata – është e pamundur që secilit pushtet t’i jepet fuqi e barabartë në ruajtjen e vetvetes”. Dhe më tej, Hamilton dhe Madison arrijnë me mprehtësi në konkluzionin e rëndësishëm se “në qeverisjen republikane autoriteti legjislativ domosdoshmërisht mbizotëron” [necessarily predominates].[9]

Rrjedhimisht, thelbi i parimit madhor të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në republikën parlamentare ka të bëjë pikërisht me rolin “mbizotërues” të parlamentit. Parimi nuk nënkupton pjestimin për tre, ku secili ka një të tretën [1/3] apo 33,33% të tagreve. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve do të thotë para së gjithash që çdo pushtet ushtron tagret e veta brenda shinave të përcaktuara në rregullimin kushtetues, ku pushteti ligjvënës [Kuvendi], pra, “domosdoshmërisht mbizotëron”.

Roli qendror i parlamentit ka hyrë edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky parim shpallet solemnisht në Nenin 1.1 dhe 2.1 të Kushtetutës, ku deklarohet se “Shqipëria është republikë parlamentare” ku “sovraniteti i përket popullit”.[10] Mirëpo Opinioni i Komisionit të Venecias e ka anashkaluar këtë parim parësor në analizën e vet, përndryshe të shkëlqyer, dhe duket se e ka analizuar çështjen si mosmarrëveshje kushtetuese midis dy pushtetesh krejtësisht të barabarta.

Pushteti gjyqësor në Kushtetutën e Shqipërisë

Kjo mangësi del në pah edhe kur Opinioni, me sa duket për hir të argumentit, e përfshin Gjykatën Kushtetuese si pjesë të pushtetit gjyqësor në Shqipëri. [Pika 49 dhe 51].[11] Në fakt, pushteti gjyqësor në Shqipëri rregullohet me Pjesën e Nëntë, [nenet 135 – 147/ë] të Kushtetutës. Neni 135 i saj parashikon se pushteti gjyqësor i republikës ushtrohet nga Gjykata e Lartë si dhe nga gjykatat e tjera në piramidën e vet. Kurse Gjykata Kushtetuese, si trupë gjyqësore sui generis, trajtohet në Pjesën e Tetë [nenet 124-134] të Kushtetutës, jashtë skemës së pushtetit gjyqësor.[12] Përndryshe do të kishim një sistem drejtësie me nivel të katërt apelimi.

Gjykata Kushtetuese ka si kompetencë të vetën zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe kryerjen e interpretimit përfundimtar të Kushtetutës [Neni 124.1 i Kushtetutës].  Gjykata fiton pushtet incidental “konstatues” bazuar edhe në nenin 70.4 të Kushtetutës [që parashikon “konstatimin” e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në rast pretendimesh për veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria publike].

A ka krijuar normë kushtetuese Gjykata Kushtetuese? 

Në këtë pikë tejet relevant – dhe që përbën precedent – është Vendimi nr. 7 datë 24.02.2016 (V-7/16) i Gjykatës Kushtetuese, i cili bëri interpretimin “përfundimtar” të nenit 70.4 të Kushtetutësh. Dhe ja se si: 

“Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.” 

Për lehtësi krahasimi po ripërcjellim nenin 70/4 siç është në fuqi edhe sot e gjithë ditën në Kushtetutë. Ja norma kushtetuese ekzistuese:

“Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”[13] 

Duke krahasuar dy tekstet lind pyetja: cila është norma e mirëfilltë kushtetuese? Ajo që shpall shprehimisht dhe qartë vetë teksti i Kushtetutës, apo leximi që i bën asaj Gjykata Kushtetuese? Dhe më tej, vërtet vallë ishte e paqartë norma ekzistuese që të lypte interpretimin përfundimtar të Gjykatës? Apo kemi të bëjmë me formulimin e një norme të re kushtetuese prej Gjykatës? Dhe nëse anojmë nga kjo e fundit, a do të përbënte kjo gjë uzurpim të tagreve dhe funksioneve që i takojnë Kuvendit nga Gjykata Kushtetuse, në shkelje të parlamentarizmit dhe të ndarjes dhe balancimit të pushteteve?[14]

Është opinioni i të nënshkruarit që, bazuar në interpretimin e drejtpërdrejtë të nenit përkatës kushtetues, Kuvendi ka tagrin absolut dhe i takon atij dhe vetëm atij për të “vendosur” nëse një çështje analoge është pjekur ose jo për t’iu përcjellë për “konstatim papajtueshmërie” Gjykatës Kushtetuese. Një analizë të mprehtë të dallimit midis dy termave dhe përmbajtjes së termit “vendos” ka bërë gjyqtari Sokol Berberi në Mendimin e Pakicës të V-7/16, siç jepet në poshtëshënimin 18.

Republikë parlamentare apo gouvernement des juges?[15] 

Mirëpo duke u kthyer tek Neni 70/4, çuditërisht Gjykata Kushtetuese e interpretoi atë duke krijuar dhe imponuar një detyrim të ri jashtëkushtetues ndaj Kuvendit [“duhet të vendosë] që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen e papajtueshmërisë së deputetit për ta gjykuar ajo vetë në themel. Për mendimin tonë, në atë rast Gjykata Kushtetuese krijoi normë të re kushtetuese. Neni 70/4 nuk kishte paqartësi në kuptim dhe interpretim, që të lypte interpretim përfundimtar. Ashtu sikurse Gjykata Kushtetuese i shqyrton ekskluzivisht ajo vetë procedurat disiplinore të anëtarëve të saj, dhe nuk ia transferon këtë tagër ndonjë pushteti tjetër,[16] po ashtu edhe Kuvendi shumë bukur mund të shqyrtonte ai vetë çështjet lidhur me disiplinimin dhe papajtueshmërinë e mandatit të anëtarëve të vet, sikurse është, për shembull, përvoja amerikane.

Në paragrafin 52 Opinioni trajton përciptazi çështjen problematike të rolit ligjvënës të gjyqësorit, çka duhet shmangur sepse, përndryshe, hasim në një government des juges. Opinioni e trajton këtë në kuadër të amendamenteve kushtetuese, të cilat duhen”respektuar” prej juridiksionit kushtetues. [Pika 52].

Mirëpo kuptohet se Gjykata Kushtetuese, para së gjithash, duhet ta zbatojë vetë Kushtetutën, krahas amendamenteve të saj, dhe kurrsesi nuk mund të angazhohet në kushtetutëbërje apo në krijim të normës së re kushtetuese. Madje edhe roli tejet i rëndësishëm dhe unikal i Gjykatës Kushtetuese për “interpretimin përfundimtar” të Kushtetutës nuk do të thotë se ajo ka monopolin e interpretimit të Kushtetutës. Kuvendi – si organizmi kushtetutbërës – sikurse gjykatat e zakonshme, e zbatojnë dhe e interpretojnë Kushtetutën rregullisht në veprimtarinë e tyre. Janë betuar të zbatojnë Kushtetutën edhe zyrtarët e shtetit të niveleve të larta dhe jo vetëm. Ndaj Gjykata Kushtetuese ka fjalën e fundit të interpretimit të Kushtetutës, por jo monopolin e interpretimit kur norma është e qartë, e interpretueshme dhe e zbatueshme gjerësisht.

Për mendimin tonë, interpretimi “përfundimtar” i nenin 70/4 nga Gjykata Kushtetuese në Vendimin V-7/16 ka pakësuar dukshëm tagret e Kuvendit, dhe po dukshëm ka zgjeruar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, duke interpretuar liberalisht foljen “konstaton” të tekstit origjinal të Kushtetutës. Rrjedhimisht, kompetenca e Kuvendit për “vendimmarje” është reduktuar në një formalitet të mirëfilltë, kurse kompetenca e Gjykatës për “konstatim” është zgjeruar në kompetencën “të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë”.[17] 

Çka na sjell tek përgjigjet e pyetjeve të para 1 dhe 3 të Opinionit të Komisionit të Venecias.  Në dukje, analiza dhe interpretimi në Opinionin e Komisionit të Venecias është korrekt. Bazuar në Nenin 132.1 të Kushtetutës, dhe në një botë ideale, ”vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.”

Mirëpo bota ku jetojmë nuk është ideale [“If men were angels, no government would be necessary” shkruanin Hamilton dhe Madison në Federalist 51]. Prandaj edhe “detyrimi për zbatim” qëndron për sa kohë Gjykata Kushtetuese u përmbahet dhe vepron brenda shinave të parashikuara në Kushtetutë ndaj vetë asaj [“keeping itself in its proper place” duke perifrazuar Federalist 51].

Në momentin kur Gjykata Kushtetuese tejkalon kompetencën interpretuese dhe ndërton normë kushtetuese, d.m.th. del nga shinat e veta kushtetuese, ajo  uzurpon pushtetin e kushtetutbërësit.

Rrjedhimisht, këmbëngulja e saj lidhur me detyrimin për zbatim të vendimeve të veta të censhme e humb vlerën kushtetuese dhe mund të shpërfillet nga Kuvendi.

Të gjitha të drejtat të rezervuara

Analiza e mësipërme nuk lidhet me emra të përveçëm. Për arsye vendi, ajo nuk trajton argumentin, të vlefshëm gjithsesi, të mandatit jodetyrues. Autori shpreh vlerësim të veçantë ndaj gjyqtarit Sokol Berberi, Mendimi i Pakicës i të cilit në çështjen V-7/2016 përputhet me atë të autorit.[18]                

[1] Komisioni për Demokracinë përmes Ligjit i Këshillit të Evropës, i quajtur edhe Komisioni i Venecias, është ide e të ndjerit Prof. Antonio La Pergola, jurist i shquar dhe ish deputet i Parlamentit Evropian.

[2] https://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-AD(2024)040-e në anglisht dhe https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2024)040-f në frëngjisht.

[3] Po aty. Krahasoje me tekstin në frëngjisht, që ka dallim midis dy termave.

 [4] https://qbz.gov.al/preview/635d44bd-96ee-4bc5-8d93-d928cf6f2abd

[5] Folja vendos është prodhimtare në shqipen. Ndër 14 kuptimet në Fjalori e Gjuhës Shqipe online zgjodhëm si më relevante këto:

12. jokal. Kam të drejtë të jap një vendim, një zgjidhje a një mendim përfundimtar për diçka; marr një vendim në lidhje me dikë a me diçka, jap vendimin. Vendos populli (masa)…. Vendos gjykata. Vendosëm njëzëri. 

13. jokal. Arrij të zgjidh një çështje a të përfundoj një punë, pasi e kam menduar mirë, e kam shqyrtuar ose e kam rrahur me të tjerë; i gjej zgjidhje një çështjeje. Më në fund vendosën për atë çështje. Për këtë s’kemi venduar ende.

 [6] Fjalori i Gjuhës Shqipe jep këtë shpjegim për foljen konstatoj: KONSTATOJ kal. libr.Vë re a diktoj një fakt, një gabim etj.; vërtetoj të qenët a gjendjen e diçkaje. Konstatoj ndryshime (të meta, dobësi). Konstatoj se …

 [7] “…the power to create new constitutional norms lies with the legislative power and the power to interpret in an authoritative manner an existing constitutional norm lies with the Constitutional Court…”.  Dhe më tej, “The competence of the Constitutional Court, as a judicial and not a political body, should not encroach upon the domain of the constitutional legislator…” [P. 51].  Edhe në poshtëshënimin [11].

[8] Federalist No. 51, tek https://guides.loc.gov/federalist-papers/text-51-60#s-lg-box-wrapper-25493427

[9] “But it is not possible to give to each department an equal power of self-defense. In republican government, the legislative authority necessarily predominates.” Po aty.

 [10] Arsyetimi parakupton një model ideal parlamentar. Autori është i ndërgjegjshëm se modeli dhe praktika e derisotshme e Kuvendit të Shqipërisë janë larg nga parimi i parlamentarizmit, i demokracisë përfaqësuese dhe i rolit qendror të Kuvendit në ngrehinën kushtetuese të republikës parlamentare. Cenimi i modelit ideal të parlamentarizmit nis qysh me zgjedhjet e parregullta dhe të kontesuara, caktimi nga kryetari i Partisë i kandidatëve për deputet në lista të sigurta e të mbyllura, moszbatimi i sistemit maxhoritar ndryshe nga praktika e zgjedhjeve parlamentare në fillim të periudhës së tranzicionit, politizimi dhe tensionimi i skajshëm, retorika dhe shfaqjet e papranueshme dhe jo etike në procedurat parlamentare, etj.

[11] 49 -…while the courts [the judiciary] –  “Constitutional Courts being part of this branch” are…” dhe 51. The competence of the Constitutional Court, as a judicial and not a political body, should not encroach upon the domain of the constitutional legislator, which has the exclusive competence to create new constitutional norms

 [12] Duhet theksuar se modeli shqiptar, sikurse vetë modeli evropian, ka sistem të centralizuar [me Gjykatë Kushtetuese] të shqyrtimit kushtetues, kurse sistemi amerikan, por edhe i vendeve të tjera që ndjekin common law, zbatojnë sistemin e shpërndarë apo të decentralizuar të shqyrtimit kushtetues.  Për më tepër shih Andrew Harding, Fundamentaks of Constitutonal Courts, IDEA, Constitutional Briefs, October 2016, tek https://tinyurl.com/4ykhbcxv

 [13] https://qbz.gov.al/preview/635d44bd-96ee-4bc5-8d93-d928cf6f2abd

 [14] Një vendim tjetër i censhëm i Gjykatës Kushtetuese është ai i shpallur më 21.11.2024 lidhur me deputetin Sali Berisha, ku Gjykata interpretoi “ngushtësisht” nenin 72.3 të Kushtetutës jashtë qerthullit të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në atë rast pushteti ekzekutiv dhe gjyqësor mori një masë kufizimi të lirisë së deputetit pa autorizimin paraprak të Kuvendit, duke cenuar garancitë dhe prerogativat kushtetuese të përfaqësuesit të popullit dhe ligjvënësit. Nga ana tjetër, është ironike që vetë deputetë të Kuvendit angazhohen, pa dashje, në gërryerjen e parimit të parlamentarizmit, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe të demokracisë përfaqësuese. Rasti tipik ishte vënia në lëvizje e Gjykatës Adminstrative në shqyrtimin e një përplasjeje banale midis deputetëve të Kuvendit, për të cilat organizmat e brendshme të Kuvendit kishin marrë masa bazuar në Rregulloren e Kuvendit. Pa dashur të shprehemi për bazueshmërinë, rregullshmërinë apo proporcionalitetin e masave të mara, vetë fakti i përfshirjes së juridiksionit administrativ – ultra vires në mendimin e autorit – në një mosmarrëveshje me karakter displinor brenda sferës së Kuvendit përbën vetëabdikim të “mbizotërimit” të pushtetit legjislativ, dhe pra cënim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

 [15] Government des juges – qeverisje nga gjykatat. Fraza jepet në frëngjisht edhe në versionin anglisht të Opinionit.

.[17] Zbatimi i normës kushtetuese [neni 70/4] dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve në raste analoge mund të realizohej, për shembull, ku një komisioni i posaçëm i Kuvendit, p.sh. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ose një Komision i Etikës, te shqyrtonte me dyer të mbyllura faktet dhe rrethanat lidhur me papajtueshmërinë, dhe pastaj të mund të vendoste dërgimin e dosjes në Gjykatën Kushtetuese për “konstatimin” e papajtueshmërisë së mandatit, si njëfarë filtri fundor kushtetues.

 [18] Për ilustrim po referojmë pikën 10 të Mendimit e Pakicës të gjyqtarit Sokol Berberit: 

“10…Norma e përcaktuar në pikën 4 të nenit 70 të Kushtetutës parashikon procedurën për inicimin, shqyrtimin dhe vendimmarrjen për pretendimet që lidhen me shkeljen e pikës 3 të po të njëjtit nen. Pasoja që parashikon kjo dispozitë është “konstatimi i papajtueshmërisë”, që në thelb sjell shkarkimin e deputetit dhe mbarimin e mandatit sipas nenit 71/2/c të Kushtetutës. Ardhja e kësaj pasoje është e kushtëzuar nga përmbushja e katër elementeve: a) Kuvendi vihet në lëvizje për shkeljen e pikës 3 të nenit 70; b) Kuvendi vihet në lëvizje nga Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij; c) Kuvendi vendos për shkeljen e pikës 3 të nenit 70 dhe, për rrjedhojë, dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese; ç) Gjykata Kushtetuese konstaton papajtueshmërinë. Shprehja “për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni”, e vendosur në fillim të fjalisë, nënkupton se pretendimi për shkelje duhet të jetë verifikuar dhe kjo të jetë arritur me vendim të Kuvendit. Kushtetutëbërësi ka përdorur termat “vendos”, “mocion” dhe “konstaton”, të cilat kanë domethënie të caktuar në gjuhën kushtetuese dhe në të drejtën parlamentare. Termi “vendos”, në kuptim të procedurave parlamentare, nënkupton se duhet të ketë një procedurë shqyrtimi dhe në fund të shqyrtimit të ketë një proces votimi, ku deputetët janë të lirë të shprehin vullnetin e tyre për çështjen që shtrohet për votim. Nëse nuk ka çështje të shtruar për votim, është absurde të mendosh se duhet të ketë vendim. Në rast se kushtetutëbërësi do të kishte qëllim t’i jepte Kuvendit një rol formal në këtë proces, do të kishte shmangur termin “vendos”, siç ka bërë në raste të tjera. Detyrimi që imponon pika 4 e nenit 70 të Kushtetutës për marrjen e një vendimi për shkeljen e pikës 3 të po të njëjtit nen, është pohuar edhe nga jurisprudenca e kësaj Gjykate, e cila në vendimin nr. 44, datë 07.10.2011, përpara se të konstatonte papajtueshmërinë, ka shqyrtuar vlefshmërinë e vendimit të Kuvendit për t’ia dërguar çështjen Gjykatës Kushtetuese. Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe termi “vendos” do të thotë: caktoj përfundimisht diçka; bëj të mundshëm zhvillimin e mëtejshëm të diçkaje, ndikoj shumë në përfundimin e diçkaje; arrij të zgjidh një çështje a të përfundoj një punë, pasi e kam menduar mirë, e kam shqyrtuar ose e kam rrahur me të tjerë; i gjej zgjidhje një çështjeje. Ndërsa sipas “Fjalorit juridik” termi “vendos” nënkupton pushtetin dhe të drejtën për të diskutuar, peshuar argumentet pro dhe kundër, për të parë cili prevalon dhe të udhëhequrit nga kjo prevalencë.”

12 Komente

  1. E
    EDMOND

    nuk jam jurist por mendoj se emërtimi sjell shumë paqartësira të qëllimshme: Duhet të quhet "Këshilli Kushtetues" dhe jo "Gjykata Kushtetuese"!

    Përgjigjjuni
    1. D
      Djali nga mali

      Për të analizuar mangësitë në arsyetimin e autorit të shkrimit në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, mund të sjellim në vëmendje disa nene të rëndësishme: 1. Mbizotërimi i Kushtetutës dhe detyrimi për t’u bindur vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Neni 4, pika 1: "Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Të gjitha aktet dhe veprimet që ndërmerren nga shteti duhet të jenë në përputhje me të." Shpjegim: Mbizotërimi i Kushtetutës do të thotë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si garantuese e saj, janë të detyrueshme për Kuvendin dhe çdo institucion tjetër shtetëror. Neni 132, pika 1: "Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjithë." Shpjegim: Refuzimi i Kuvendit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në rastin Xhaçka bie ndesh me këtë dispozitë kushtetuese dhe cenon rendin e qeverisjes me ligj. 2. Detyrimi për referim të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese Neni 70, pika 4: "Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit ose të një të dhjetës së deputetëve, Kuvendi vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendos për papajtueshmërinë." Shpjegim: Ky nen përcakton qartë se Kuvendi ka detyrim kushtetues të referojë çështjet në Gjykatën Kushtetuese kur plotësohen kushtet. Kuvendi nuk ka hapësirë për vendime të pavarura në këtë rast. 3. Parimi i ndarjes së pushteteve Neni 7: "Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve." Shpjegim: Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk është ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, por një pjesë e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Gjykata Kushtetuese vepron si garantuese e kufijve të pushtetit legjislativ. 4. Mandati i lirë dhe detyrimi për respektim të Kushtetutës Neni 70, pika 1: "Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat të detyrueshëm." Shpjegim: Liria e mandatit të deputetëve u jep atyre pavarësi në vendime politike, por nuk i përjashton nga detyrimi për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë mbi çdo vendim politik. Mangësitë në arsyetimin e autorit: Keqshpjegimi i rolit të Gjykatës Kushtetuese: Sugjerimi i autorit se Gjykata Kushtetuese mund të "tejkalojë kompetencat e saj" nuk qëndron, pasi Gjykata vepron sipas rolit të saj kushtetues për të siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën. Nënvlerësimi i detyrimit të Kuvendit për t’u bindur: Refuzimi i Kuvendit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese është në kundërshtim me nenin 132 dhe cenon rendin e mbizotërimit të Kushtetutës. Mospërputhja me parimin e ndarjes së pushteteve: Autorit mund t’i ketë munguar njohja e balancës midis lirisë së deputetëve dhe detyrimeve të tyre kushtetuese. Përfundim: Autorit i mungon theksi te detyrimi kushtetues për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rëndësia e balancës së pushteteve në një republikë parlamentare si Shqipëria. Në bazë të neneve të Kushtetutës, veprimet e Kuvendit që shmangin vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë të ligjshme dhe cenojnë rendin e mbizotërimit të Kushtetutës.

      Përgjigjjuni
      1. B
        Bureto

        @djali nga mali! Duket që ke njohuri të mira në këtë fushë, por gjithashtu konstatoj, se ndryshe nga zoti Alibali që për analizën ka vënë emrin e tij, më duket (qofsha i gabuar) se në rastin tënd nuk je i paanshëm, rol ky i pa zëvendësueshëm për një intelektual, për më tepër specialist i fushës në fjalë, që do t'i duhej për të shkuar tek e vërteta, tek e drejta në këtë rast. Nuk jam jurist, aq më pak konstitucionalist, por duke lexuar me vëmendje ,si shkrimin e zotit Alibali ashtu dhe dy komentet tuaja për të, ajo që më bëri përshtypje është se ju e anashkaloni kuptueshmërinë në shqip të fjalëve "vendos" dhe "konstaton", ku qëndron dhe 'quint essenca', e problemit konkret, pra interpretimit të nenit 70, pika 3 dhe sidomos asaj 4, të Kushtetutës së Shqipërisë. Ju pikërisht kësaj i largoheni, çka më shtyu të dyshoj në anësinë tuaj rreth debatit, të cilin gjithsesi, edhe pa shkrim-analizën e zotit Alibali dhe përkundër atij edge të komentit tuaj, kur përfundimisht në vend të tyre dhe më gjerë, gjatë gjithë kësaj kohe të një debati shterpë rreth tij, tashmë kemi Opinionin e Venecias dhe kështu për çështjen në fjalë debati do duhej mbyllur. Tjetër gjë pastaj kur ky mund të vlejë si temë teorike akademike në auditore universitare dhe më gjerë.

        Përgjigjjuni
        1. D
          Djali nga mali

          Nuk është çështje e anashkalimit të kuptimit të këtyre fjalëve, por se si këto fjalë, në kuadër të një dispozite kushtetuese, mund të interpretohen. Shprehja "kuvendi vendos" mund të kuptohet si një akt formal që e nënkupton hapjen e një procesi ose veprimi, por që nuk është domosdoshmërish një vendim final që ndodh në të njëjtin moment. "Konstaton", nga ana tjetër, është një akt i pavarur që vërteton diçka që ka ndodhur tashmë dhe mund të realizohet vetëm pas shqyrtimit të plotë të çështjes. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të dallojmë se "vendos" nuk është gjithmonë një akt që përfundon procesin, por një hap në një procedurë të mëpasshme. Opinioni i Komisionit të Venecias është një udhëzues i rëndësishëm dhe duhet të merret parasysh, por nuk është domosdoshmërish një "mbyllje" e debatit. Është e natyrshme që edhe pas një opinioni të tillë, mund të ndodhin diskutime të tjera, pasi ai nuk është një vendim juridik që ka fuqinë e një gjykate kushtetuese. Për më tepër, Komisioni i Venecias shpesh ofron rekomandime, jo vendime të detyrueshme, dhe interpretimi i këtyre rekomandimeve mund të jetë subjekt i argumenteve të mëtejshme. FAKT ËSHTË SE KA NJË VENDIM TË GJYKATËS KUSHTETUESE DHE KUVENDI NUK E ZBATON! Sipas materialit të përgatitur nga Komisioni i Venecias dhe parimeve juridike, rasti Xhaçka mund të përmblidhet kështu: Veprimet e deputetëve: Një grup deputetësh (të paktën një e dhjeta e Kuvendit) kërkoi që çështja e pajtueshmërisë së mandatit të deputetes Xhaçka të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Kuvendi refuzoi dy herë të dërgonte çështjen, duke votuar sipas shumicës parlamentare. Pas këtij refuzimi, një grup deputetësh kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të detyronte Kuvendin të zbatonte kushtetutën dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe detyrimi i Kuvendit: Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi kishte detyrim të dërgonte çështjen në Gjykatë kur plotësohen kushtet e nenit 70 të Kushtetutës. Sipas Gjykatës, Kuvendi nuk ka të drejtë të vendosë në mënyrë të pavarur për këtë çështje, por është i detyruar të veprojë sipas kushtetutës. Qëndrimi i Komisionit të Venecias: Komisioni i Venecias theksoi se të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin, duhet të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky detyrim është pjesë e rregullave bazë të qeverisjes me ligj. Argumenti i mandatit të lirë nuk e përjashton Kuvendin nga zbatimi i detyrueshëm i vendimeve kushtetuese. Kuvendi refuzoi dy herë dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast ndodhemi përpara një situate ku duhet analizuar kujdesi për detyrimet kushtetuese dhe interpretimi i "vendosjes" dhe "konstatimit" në kontekstin ligjor. Sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk ka lirinë për të vendosur në mënyrë të pavarur në lidhje me dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, si rojtar i Kushtetutës, ka vlerësuar se Kuvendi është i detyruar të dërgojë çështjen në përputhje me parimet kushtetuese dhe procedurale të parashikuara në nenin 70 të Kushtetutës. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese vëren se Kuvendi ka një detyrim të qartë ligjor për të zbatuar Kushtetutën, duke i mundësuar çështjes të shqyrtohet përfundimisht nga ajo. Komisioni i Venecias, si organ ndërkombëtar i mbrojtjes së shtetit të së drejtës, ka theksuar se të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë Kuvendin, duhet të zbatojnë pa përjashtim vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky theks vjen në një kuadër të domosdoshëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e balancës institucionale. Mandati i lirë i deputetëve, siç është sqaruar, nuk e përjashton Kuvendin nga detyrimi për të zbatuar vendimet e Kushtetutës, pasi ky detyrim është i panegociueshëm dhe thelbësor për funksionimin e një shteti të bazuar në ligj. Përfundimisht, refuzimi i Kuvendit për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese është në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit, duke shkelur detyrimet kushtetuese që kanë deputetët dhe Kuvendi në përgjithësi. Ky veprim e çon Kuvendin në një pozicion ku ai nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe si pasojë, detyrimi i respektimit dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të mbizotërojë për të siguruar që institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

          Përgjigjjuni
      2. D
        Djali nga mali

        Shembujt ndërkombëtar që autori sjell për të ilustruar balancën midis pushtetit legjislativ dhe atij gjyqësor duhen vlerësuar me kujdes, duke marrë parasysh disa aspekte: 1. Përputhshmëria me sistemin kushtetues të Shqipërisë Vlerësimi: Sistemet ndërkombëtare që përmenden nga autori (si p.sh. ato që theksojnë autonominë e pushtetit legjislativ ndaj gjyqësorit) mund të jenë të vlefshme për vende me tradita të ndryshme juridike dhe modele kushtetuese unike. Në rastin e Shqipërisë: Kushtetuta e Shqipërisë ka një sistem të përcaktuar qartë të ndarjes së pushteteve dhe mbizotërimit së Gjykatës Kushtetuese. Për shembull, neni 132 i Kushtetutës e bën detyrues për të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo dallon nga sisteme ku gjykatat kanë një rol më të kufizuar. 2. Përzgjedhja e shembujve Mangësia: Autori mund të jetë fokusuar te modele ku legjislativi ka më shumë autonomi, duke injoruar raste kur gjykatat kanë autoritet të gjerë për të kontrolluar veprimet e pushtetit legjislativ. Shembuj që mund të mungojnë: Në vende si Gjermania dhe Italia, Gjykatat Kushtetuese kanë autoritet të fuqishëm për të siguruar respektimin e kushtetutës nga të gjitha degët e pushtetit, përfshirë parlamentin. Në Gjermani, për shembull, vendimet e Gjykatës Kushtetuese Federale janë absolutisht të detyrueshme. 3. Ndryshimet strukturore ndërmjet sistemeve Vlerësimi: Disa nga shembujt ndërkombëtar të përmendur nga autori mund të jenë të vlefshëm në sisteme të tjera (si Mbretëria e Bashkuar ose SHBA) ku nuk ekziston një Gjykatë Kushtetuese në kuptimin klasik. Në Shqipëri: Gjykata Kushtetuese është krijuar posaçërisht për të garantuar mbizotërimin e Kushtetutës dhe ndarja e pushteteve është themelore. Prandaj, shembujt nga sisteme të ndryshme mund të mos jenë tërësisht të zbatueshëm. 4. Rëndësia e standardeve ndërkombëtare Standardet ndërkombëtare: Komisioni i Venecias dhe praktikat europiane theksojnë se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një element thelbësor i shtetit të së drejtës. Kjo përfshin mbrojtjen e pakicave parlamentare nga abuzimet e mundshme të shumicës. Në këtë rast: Refuzimi i Kuvendit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese bie ndesh me këto standarde, pavarësisht shembujve ndërkombëtar që autori mund të përmendë. Përfundim: Shembujt ndërkombëtar të sjellë nga autori mund të jenë të vlefshëm për diskutim teorik, por ata duhet të interpretohen brenda kontekstit të sistemit kushtetues të Shqipërisë. Sistemet e tjera mund të kenë dallime strukturore dhe juridike që i bëjnë ato jo plotësisht të krahasueshme. Për më tepër, çdo argument për balancën e pushteteve duhet të marrë parasysh detyrimin e veçantë që ka Gjykata Kushtetuese në Shqipëri për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të siguruar respektimin e saj nga të gjitha institucionet.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Altin Pellumbi

          Shume sakte argumentimet e artikullshkruesit! Do te doja edhe ndonje mendim profesional kunder,por me aq sa e kuptoj nga argumentat shterues qe perdor zAgron (sidomos me foljet “vendos” dhe “konstatoj”) qe eshte dhe thelbi i nenit70/4 , nisur dhe nga titulli i shkrimit :Republike parlamentare apo republike gjykatesish, prevalon argumenti qe kuvendi prodhon dhe Vendos per ligje,gjykata kushtetuese Konstaton (por jo Vendos)ligjshmerine e akteve ligjore .

          Përgjigjjuni
          1. H
            Haka Tekizoti

            Shqyrtim i qartë, i kuptueshëm besoj edhe nga ata me kulturë mesatare juridike. Ndofta Gjykata Kushtetuese duhet t'i shqyrtojë me themel dhe t'i anulojë vendimet e saj, që tejkalojnē kompetencat e veta, siç vëren autori. Kjo, nëse nuk është, duhet të parashikohet në ligjin për atë Gjykatë. Është postulat: Nuk ka të pagabueshëm, as individë, as institucione dhe kjo, për institucionet duhet të gjejë shprehje në ligjet organike përkatëse.

            Përgjigjjuni
            1. Q
              Qoftelargu

              O shoku,nuk jemi ne kushtetuten amerikane,por jemi ne kushtetuten e Shqiperise,,pra ajo eshte baza e gjykimit te te drejtes shqiptare,jo amerikane e europine,por e vendit ku gjykohet e drejta jote,pike!!! Na thuaj ti qe komenton te drejten shqiptare ,a ka te drejte Komisioni i Venecias

              Përgjigjjuni
              1. A
                A

                EDMOND Perfekt .

                Përgjigjjuni
                1. D
                  Djali nga mali

                  Mangësia kryesore në arsyetimin e mendimit të pakicës të gjyqtarit Sokol Berberi në pikën 10 qëndron te "konceptimi i rolit të Kuvendit si një autoritet substancial" dhe vendimmarrës në procesin e dërgimit të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese. Kjo qasje mund të nënvlerësojë ose të cenojë parimin e mbizotërimit të Kushtetutës dhe detyrimin e saj për të zbatuar dispozitat kushtetuese pa vonesa të pajustifikuara. Më poshtë janë arsyet: --- 1. Kufizimi i rolit të Kuvendit në kuadër të Kushtetutës - Kushtetuta parashikon një detyrim të qartë dhe formal: Pika 4 e nenit 70 përcakton që, kur ekziston pretendimi për shkelje të nenit 70/3 dhe plotësohen kushtet e kërkuara (si mbledhja e një të dhjetës së deputetëve), Kuvendi "duhet" të marrë një vendim për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. - Mangësia në arsyetim: Berberi argumenton që Kuvendi ka një rol më substancial dhe duhet të verifikojë pretendimet përpara dërgimit të çështjes në Gjykatë. Kjo qasje mund të shtojë një pengesë të panevojshme dhe të vonojë procesin, duke dobësuar rolin e Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit. --- 2. Gjykata Kushtetuese si autoritet përfundimtar për interpretimin e papajtueshmërisë - Kushtetuta ia cakton Gjykatës Kushtetuese këtë kompetencë: Roli i Gjykatës Kushtetuese është të vlerësojë dhe të konstatojë papajtueshmërinë e mandatit të një deputeti, jo Kuvendit. - Mangësia në arsyetim: Duke i dhënë Kuvendit hapësirë për të vendosur mbi pretendimet, Berberi i jep këtij institucioni një kompetencë që Kushtetuta nuk ia ka caktuar. Ky interpretim mund të cenojë ndarjen e pushteteve dhe të pengojë Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë funksionin e saj kushtetues. --- 3. Parimi i shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e pakicës parlamentare - Roli i pakicës parlamentare: Një nga qëllimet e nenit 70/4 është të sigurojë që një grup i vogël deputetësh (të paktën një e dhjeta) mund të iniciojë një proces për shkelje të nenit 70/3. Roli i Kuvendit këtu duhet të jetë formal dhe administrativ, jo vendimmarrës mbi thelbin e çështjes. - Mangësia në arsyetim: Kërkesa e Berberit që Kuvendi të verifikojë dhe të marrë vendime substanciale mbi pretendimet mund të rezultojë në abuzim nga shumica parlamentare, duke penguar pakicën të referojë çështjet në Gjykatën Kushtetuese. Kjo bie ndesh me parimet e mbrojtjes së pakicës në një shtet demokratik. --- 4. Rreziku i politizimit të procesit - Politizimi i procedurës: Nëse Kuvendi ka një rol substancial për të vlerësuar pretendimet për shkelje, ekziston rreziku që shumica parlamentare të përdorë këtë proces për qëllime politike, duke bllokuar ose shtrembëruar referimin e çështjes. - Mangësia në arsyetim: Duke sugjeruar që Kuvendi duhet të marrë vendime mbi pretendimet, arsyetimi i Berberit rrit këtë rrezik, duke bërë që procesi të mos mbetet neutral dhe në përputhje me Kushtetutën. --- Përfundim: Mangësia kryesore në arsyetimin e mendimit të pakicës të gjyqtarit Berberi është mbivlerësimi i rolit të Kuvendit në këtë proces. Ky qasje mund të dobësojë rolin e Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar për zbatimin e Kushtetutës dhe të krijojë vonesa dhe bllokime politike. Roli i Kuvendit duhet të kufizohet në një funksion formal për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve.

                  Përgjigjjuni
                  1. S
                    Shoku djalit nga mali.

                    "If men were angels, no government would be necessary”.kjo shprehje është shum' e saktë, desha të kujtoj autorin por duke parë skenat,përmbajtjen e institucionit ligjvënës i cili ka më shumë karakter politik sesa demokratik, në natyrën e republikës sonë parlamentare, se edhe nëse kontstaton papajtueshmërinë gjykata kushtetuese i takon këtij kuvëndi ta ""vendos me votë'" ??!!.Interpretimin më korrekt të kushtetutës e bën institucioni që është krijuar për ta mbojtur atë.

                    Përgjigjjuni
                    1. K
                      Kris

                      Filozof dhe njohes te ligjeve kemi shume por asnjeri nuk na sqaron . A beri mire apo beri keq Olta qe e futi?

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje