Nga Çapajev Gjokutaj
Më zgjoi një bubullimë e fortë dhe nisa të dëgjoja me ëndje zhaurimën e shiut. Zakonisht zgjimet e befta më krijojnë një ndjenjë parehatie deri në shqetësim, por sonte s’di përse ndihesha mirë, i lehtë e i përmalluar.
Është përmallimi që zgjon shiu i verës, mendova. E kam vënë re qysh herët këtë ndjesi të bukur e fluturake.
Diku kam lexuar se nostalgjia që ngjall shiu i verës lidhet me rrjedhjen e kohës, përzierja brënda ditës e vapës me freskinë e lagësht, e verës me vjeshtën, të shtyn ta ndjesh me lëkurë që koha rrjedh, vitet ikin e ti je dhe s’je po ai.
Gjithsesi përmallimi që ndjeja sonte ishte më i thellë e më ngashënjyes. Në çast ndërmenda se kur bubullima më zgjoi po shihja një ëndërr me gosti e këngë.
Ishim në shtëpinë e dikurshme dhe këndonim të gjithë bashkë, të gjallë e të ikur. Xha Tifja, mik i tim eti, ia kishte marrë këngës së tij të dashur ‘moj kunadheja verdhë o moj leshverdho’. Si mbaroi im at ngriti gotën e i tha: si goja zemra! Xha Tifja, me sytë që i shndrinin, ngriti gotën e vet e na grishi: gëzuar, paçim njëri jatrin.
Pikërisht në këtë çast më kishte zgjuar bubullima. Paçim njeri tjetrin, përsërita me vete dhe e kuptova se përmallim-ngashënjimi nuk buronte aq nga shiu sa nga ëndrra.
Ta kesh tjetrin jo si prani fizike a, larg qoftë si pronë a posedim, por si shpirt, si ndjenjë, si kujtim, përvojë a mësim, kjo është një nga magjitë e kësaj bote, magji për të kundërshtuar vdekjen e të afërmve e për të zbuluar se përjetësinë e arrijmë kur synojmë zemrën e tjetrit.
Bukur,shume bukur profesor.
iris pekmezi
O Capajev keshilla ime eshte te zesh nje dashnore Ps- keshillat i kam te pakta dhe zakonisht me lek