Plumbat tek Topi, topat me predha që do të shpërthejnë nesër për gjithkënd

27 Mars 2023, 21:40Blog TEMA

Plumbat tek Topi, topat me predha që do të shpërthejnë

Nga Lorenc Vangjeli

Nga disa dhjetra plumba kallashnikovi që ishin drejtuar drejt fasadës së Top Channel-it, njëri i la takimin fatal trupit të një njeriu duke derdhur jetën nga plaga e tij. Plumbi takoi një qytetar krejt të pafajshëm. Pal Kola, 60 vjeç, punonjës sigurie pranë televizionit, Iku nga kjo botë përpara se të mbërrinte në spital. Pa pasur kohë që të kuptonte ndoshta, se jeta e tij krejt e zakonshme dhe e padukshme, do të drithëronte vendin me vdekjen e tij. Pak Kola ishte një shqiptar normal, një luftëtar i përditshëm anonim i luftës së përditshme për mbijetesë, viktimë fatkeqe e një halli të cilit nuk i përkiste. Komandoja terroriste mund të kishte shkaktuar madje edhe një masakër të vërtetë, por vetëm fati dhe pak çaste distancë, shpëtuan jetën e shumë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë që sapo ishin larguar nga vendi i tyre i punës.

Krimi i përbuzshëm i pas mesnatës së të dielës është shumëfish më i rëndë kur bëhen bashkë detajet ngjethëse që e shoqërojnë dhe që ngjajnë frikshmërisht me një tjetër krim të kryer pak ditë më parë në Don Bosko, kur një moshatare e tij, punonjëse në një lokal, u gjend gjithashtu në vijën e zjarrit, mes atentatorëve dhe shënjeshtrave të tyre.

Të paktën tre terroristë nga akti, por banditë amatorë nga aftësia, me të tjerë bashkëpunëtorë që kanë mbetur në hije, u shtynë nga një urrejtje e madhe për të qëlluar mbi një nga simbolet më të spikatur të medias moderne shqiptare. Për motivet e tyre vetëm mund të hamendësohet, siç mund të supozohet edhe se ata janë vetëm gishti në armën që e ka mbushur dikush tjetër. Ata dikushër të cilët zakonisht e kanë kartën e kreditit më të madhe sesa këllqet dhe që ju rëndon me shumë portofoli në zhepin e pasëm sesa biblioteka vetjake në shtëpi. Pikërisht ata njerëz që kanë shkaktuar ndotjen globale të botës së vogël shqiptare me urrejtjen e tyre që nuk gjen mur për t’u përplasur e për t’u kthyer mbrapsht.

Për ironi të fatit, makinën e tyre Range Rover, që me gjasë mund të kushtonte më shumë sesa banesa e varfër e Palit, banditët e dogjën siç dikton katalogu i krimeve të këtij lloji. Siç kanë bërë të tjerë përpara tyre dhe siç do të vazhdojnë të bëjnë të tjerë pas tyre.

Të gjitha këto rrethana e bëjnë edhe më ngjethës krimin, njëlloj radiografie të një Shqipërie tjetër që tmerron me agresivitetin dhe arrogancën e forcës së saj të verbër, të pandalshme nga asnjë.

Plumbat brenda Top Channel-it shenjuan në mënyrë ngjethëse edhe atë kufi shpesh të padukshëm mes të qenit lajm në vetvete dhe raportues i lajmit. Mes gjetjes së personazheve që dalin në ekran dhe daljen në ekran si objekt e shënjestër krimi. Mes të qenit subjekt raportimi dhe shndërrimit në subjekt që raportohet. Solidariteti i plotë dhe empatia pafund për ekranin e Top Channel-it është vetëm një gjest minimal e fillestar sepse vetratat e tij, në të njëjtat kushte, mund të jenë dritaret e shtëpisë së kujtdo dhe në mes të tyre dhe plumbave, mund të jetë jeta e cilitdo qytetari.

Plumbat tek Topi janë paralajmërimi më ngjethës se nesër topa me predha urrejtjeje mund të shënjestrojnë gjithkënd dhe se gjithkush mund të jetë viktima e rradhës. E shkuara ka njohur djegie që kanë dashur të kthejnë kohën pas si zjarri i pushtetit të asaj kohe tek Koha Jonë, ka tentuar të kthejë në temë të kronikës së zezë TemA-n, për hir të urrejtjes ndaj botuesit të saj, ka shënjuar emrin e dhjetra gazetarëve të ndjekur penalisht, të kërcënuar e rrahur, por kësaj rradhe krimi ka kapur një tjetër kulm. Media që është në krizë identiteti tashmë duhet të llogarisë edhe armiq të rinj e të panjohur.

Banditët e natës janë ende anonimë. Ndoshta ata do të identifikohen, do të ndalohen dhe do të ndëshkohen nga ligji. Edhe nëse nuk ndodh kështu, pavarësisht se cilët janë ata, një gjë është e sigurt. Kush e ka krimin profesion, nuk arrin kurrë të dalë në pension! Pothuajse kurrë nuk arrin në moshën e Palit dhe me siguri, kurrë nuk do të arrijë të bëhet gjysh. Ky është fati ndërkombëtarisht i ngjashëm i këtij soji, dhe pse ky është një ngushëllim i pamjaftueshëm për të besuar se mund t’i shpëtosh drejtësisë njerëzore, por Perëndia ka mënyra të pafundme për të ndëshkuar. Pritja e Perëndisë nuk mjafton në këtë rast. Nevojitet urgjencë maksimale e çdo faktori ligjzbatues në vend që ky krim të gjejë ndëshkim shembullor.

Ka shumë arsye që mbushen armët fatale që qëlluan Top Channel-in dhe vranë Pal Kolën. Një prej tyre është edhe fakti që shoqëria e depresuar shqiptare, nën stres dhe tension, është detyruar të pranojë si luftë të saj, luftën e përditshme të një grushti njerëzish. Sa kohë që ata do të militarizojnë dhe armatosin politikën, shqiptarët e thjeshtë do të mbeten në mes të udhëtimeve fatale të plumbave. Shumë prej qytetarëve shqiptarë i janë dorëzuar këtij fataliteti, sa kohë që masivisht, statusin e suksesit e lidhin vetëm me pasurinë, sa kohë që varfërinë e konsiderojnë si krimin më të pafalshëm dhe si Perëndi njohin vetëm paranë dhe njerëzit që i çojnë drejt saj.

3 Komente

  1. O
    Ou .Ly spurdhjaku po nxitka Luften !

    hajt se te vjen ke dera ,putanat e medies qe jeni te paret te cileve ju duhet cpuar kafka meradhe .mbeshtetsit e krimineleve plehra antishqiptare

    1. L
      Labi

      Shumë vërdallë i ke rënë zoti Lorenc! Armiqësia që përmendni, ai helmim i përditshëm dhe i përnatshëm i Shqipërisë nga politika terroriste, por edhe nga përcjellësit e saj, duhen përmendur me emër e mbiemër, ju që e njihni prej shumë vitesh këtë mjedis kasaphane politike e urrejtje të pashembullt. Nuk mund të ketë " të gjithë janë të njejtë". Jo. Ata janë aq pak sa i njohin të gjithë. Por më mirë i njihni ju që shkruani për ata.

      1. B
        Bieta S

        Doli dhe ky magjari ne pazarin mediatik shyqyr qe doli rasti se nuk mund te rrinte dot pa folur i mjeri Lorenc Vangjeli? Ky eshte tipiku i budallait te lezetshem qe po te ishin akoma sot ato estradat e kooperativave bujqesore do ta debonin brenda ores nga salla se bie edhe ere shurre.

        Lini një Përgjigje