Vdekja e demokracise së brendshme te partitë politike

12 Prill 2026, 11:12Blog TEMA
Vdekja e demokracise së brendshme te partitë politike

Nga Roland Lami

Zërat kritikë brenda Partia Socialiste e Shqipërisë në aktivitetet e fundit të organizuara nga lidershipi, si edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë në prag të proceseve për rinovimin e lidershipit, nuk janë episode të rastësishme. Ato konfirmojnë tezën se demokracia e brendshme në partitë kryesore shqiptare është zbehur deri në pikën ku ekziston më shumë si formë sesa si përmbajtje.

Në të dyja rastet, kritika nuk trajtohet si mundësi reflektimi, por si problem për t’u menaxhuar. Ajo tolerohet vetëm kur nuk cenon realisht raportet e pushtetit. Sapo kalon këtë vijë të padukshme, etiketohet si përçarje, si dobësi përballë kundërshtarit, apo si mungesë lojaliteti. Në këtë mënyrë, debati nuk ndalohet, por neutralizohet bëhet pjesë e një skenografie që krijon iluzionin e pluralizmit të brendshëm.

Kjo sjellje pasqyron qartë atë që Robert Michels e ka përkufizuar si “ligji i hekurt i oligarkisë” ku strukturat që pretendojnë të jenë demokratike përfundojnë duke u kontrolluar nga një elitë e ngushtë. Në rastin shqiptar, ky ligj nuk është më një supozim teorike, por një realitet i konsoliduar prej vitesh tashmë. Lidershipet kontrollojnë jo vetëm vendimmarrjen, por edhe kufijtë e debatit të lejuar. Si pasojë, proceset e brendshme në të dyja partitë kanë humbur funksionin e tyre transformues. Ato nuk prodhojnë alternativa, por riprodhojnë të njëjtin ekuilibër pushteti.

Në vend të konkurrencës së ideve kemi konkurrencë lojaliteti; në vend të përgjegjësisë kemi justifikim; në vend të reformimit kemi rithekësim të status quo-së. Anëtarësia thirret për të konfirmuar, jo për të zgjedhur. Në këtë kuadër, pasoja është konkrete dhe e dukshme në Partia Socialiste të Shqipërisë kritika artikulohet vetëm brenda kufijve të lejuar nga lidershipi, ndërsa në Partia Demokratike të Shqipërisë gara për lidership zhvillohet më shumë si betejë kontrolli mbi strukturat sesa si përballje vizionesh.

Në të dyja rastet, anëtarësia nuk vendos drejtimin e partisë, por thjesht legjitimon atë që është vendosur tashmë. Votimi ekziston, por zgjedhja reale mungon; debati dëgjohet, por nuk prodhon ndryshim. Pikërisht këtu bëhet e qartë se demokracia e brendshme nuk është më një praktikë funksionale, por një fasadë që ruan formën, ndërsa përmbajtja ka kohë që është boshatisur.

Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë flasin çdo ditë për dallime thelbësore mes tyre, por në mënyrën se si funksionojnë brenda vetes ngjajnë aq shumë sa duket sikur janë dy versione të së njëjtës parti. Ndryshon emri, ndryshon retorika, por modeli mbetet i njëjtë lideri në qendër, kritika në periferi dhe uniteti i imponuar mbi çdo gjë tjetër.

Jemi në kushtet kur alternativat politike kanë kohë që duken kaq të ngjashme në strukturë dhe sjellje sa, problemi nuk është më thjesht konkurrenca mes partive por mungesa reale e alternativës për vetë demokracinë. Kjo është kriza sistemike që nuk po e kapërcejmë dot.

1 Komente

  1. /
    /_____/

    Ore Lami, flet sikur nuk e kupton termin parti. Njëjtë gjithnjë. Realisht, për të sqaruar edhe një herë kokngjeshjen tënde, është si termi skuadër. Në një rrjesht, në një parti, pra. Ai që del nga rreshti, ndërrohet, se nuk luan sipas principit të skuadrës. Shon në një skuadër tjetër, ose krijon një klub më vete. Edhe partia më liberale e zgjedh një drejtues, se ndryshe, si. Komunistet zgjedhin një drejtues se "ideologu" është botkuptim i ri, sipas parimit leniniste të partisë, kurse të tjerat, mund të lejojnë rryma e fraksione në parti dhe drejtuesi zgjidhet njëri prej drejtuesve të fraksionit më të madh, se ideologji është vetë sistemi ekzistues, por edhe atëhere fryma partiake ekziston pa cënuar rendin ekonomiko shoqëror; veprohet siç vendoset. Kjo njëlloj si për ato që i njohin fraksionet ashtu edhe për ato që nuk i njohin; idetë shtrohen në forume; diskutimet janë të brendëshmi, vendimet të hapura. Ata që nuk pajtohen me vendimet e marra, shkëputen nga "partia mëmë" dhe funksionojnë si fraksione ose parti më vete. Kaq e thjeshtë është. Është afërmendsh, që mendimi ndryshe nga shumica tolerohet për hir të sigurisë të pushtetit, derikur nuk përbën rrezik për partinë. Ndryshe, kur mendimi kundër nuk e kupton të largohet vetë, shumica e largon "mendimin ndryshe", kritik po të duash, dhe ky veprim e forcon unitetin e domosdoshëm për partinë që synon pushtetin. E ç'rëndësi ka nëse e largon për arsye ideore apo kundërshti individuale. Kryesimi nuk arrihet duke kritikuar për të kritikuar. Dhe mendimi ndryshe duhet bërë brenda kufijve botkuptimor të forcës politike që përfaqëson, pa kritika për drejtim ekzekutiv të shtetit ka sa të duash. Edhe në monizëm kishte kritika, madje mjaft të ashpra edhe në organet njëpartiake të partise dhe të shtetit, por këto bëheshin brenda botkuptimit të partisë në pushtet. Kush dilte jashtë saj e hante, jo se i binte autoriteti shtetit, përkundrazi, por se me apo pa qëllim prekeshin bazat botkuptimore të pushtetit. Pra, edhe një herë, partinë se gjen asgjë e keqe nga kritikat ndaj drejtimit të shtetit, ligjzbatuesi i merr apo jo parasysh ato, në varësi me objektivitetin e tyre, as partinë nga kritikat e anëtarëve dhe përkrahësve të saj dhe mundohet të adoptojë më të mirën për ta, por partinë e shqetësojnë baltosjet nën maskën e demokracisë të brendëshme dhe lufta e brrylave, për pushtet të pamerituar, në kurriz të botkuptimit. Duhet të kesh parasysh, se pas një kohe mbiemri i partisë kthehet në një brend, si një markë, që është zor ta rikrijosh, ose të sajosh një të ngjashme jashtë rregullave të të vjetrës. Një e re mundet, por mbi gërmadhat, a mbi themelet e të vjetrës. Tjetër fare është një e re me mendim ndryshe nga e vjetra; me themele të ra. Nuk ka fare vdekje të demokracisë brenda një partie politike me një statut të caktuar, ku shprehen kufijtë e saj. Psh: në në parti komuniste nuk mund të jesh anëtar i saj nëse nuk ke një qendrim të caktuar qartë filozofik mbi fenë, pronën, punën, kapitalin etj - bazën ideologjike të saj, por mund të jesh një antar i shquar socialist, social-demokrat, kristan-demokrat, demokrat, republikan, madje edhe fashist. Këtu mund të kalosh me mendim ndryshe nga njëra parti tek tjetra pa "qeder" dhe të mbetesh antari i devotshëm edhe pse ke mendim kundër, se nuk të dëgjon njeri, ose do të kalosh tek një tjetër parti që të përshtatet, ose në fund do të përfundosh në një parti liberale të njëqind luleve, por që nuk lulëzon asnjëra. Por në një parti të tipit unitar nuk gjen vend dhe do të detyrohesh të largoheshin e të gjesh lulen që të përshtatet. Të largohesh nga loja nëse nuk luan sipas skemës, sepse ke një skemë tjetër ti në kokë. Teza të tilla liberale, si ky, o zoti Lami, hidhen në milet për t'a bërë partitë dhe shtetin sa më të brishtë, duke përjetësuar sistemin ekonomiko shoqëror ekzistues dhe shndrruar garën partiake në valvola të çfryrjes së pakënaqësisë të miletit, kur në thelb nuk ndryshon asgjë nga ndrrimi i kalorësve; kali mbetet i njëjti edhe pse telef. Duhet ndërruar kali, o Lami, pa demokracia është koncept relativ! Nëse demokracia e brendshme në parti kufizohet jashtë statutit ose zhduket, atëhete kemi të bëjmë me një nevojë centralizuese për të mbledhur shejtani që kanë dalë nga shishja. Nuk e kupton? Liro e shtrëngo është motoja e funksionimit demokratik të shtetit apo shtetbërjes në çdo sistem ekonomiko - shoqëror, sa të egzistojë shteti. Por edhe në parti njëjtë: kur anëtarët bëhen të papërmbajtshëm në "ndryshen" e tyre botkuptimore, sa ekziston partia.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje