Rusia tha se do të hakmerrej, presidenti lituanez: Jemi të përgatitur për çdo gjë

22 Qershor 2022, 18:12Bota TEMA

Rusia tha se do të hakmerrej, presidenti lituanez: Jemi të

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda tha se vendi i tij është gati për një formë hakmarrjeje nga Rusia pasi ndaloi tranzitin e mallrave të caktuara që i nënshtrohen sanksioneve të Bashkimit Evropian nëpër territorin e saj dhe në enklavën ruse të Kaliningradit.

“Ne jemi gati dhe jemi të përgatitur për disa veprime jomiqësore nga ana e Rusisë, shkëputje nga sistemi BRELL apo veprime të tjera”, tha Nauseda, duke folur për Reuters. Sistemi BRELL është një rrjet energjetik i ndarë midis Rusisë, Bjellorusisë dhe shteteve baltike.

Ai tha se nuk beson se Rusia do ta sfidojë ushtarakisht Lituaninë, sepse vendi i tij është anëtar i NATO-s. Nauseda mbrojti vendimin për të bllokuar kalimin e disa mallrave, duke thënë se ata po zbatojnë atë që u vendos në nivel të Bashkimit Evropian.


“Thjesht zbatojmë sanksionet, të cilat janë vendosur në nivel të Bashkimit Evropian, dhe kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Lituanisë”, tha Nauseda.

“Ne mezi presim të zbatojmë fazat e ardhshme të sanksioneve dhe do të ishte shumë mirë që Komisioni Evropian t’ua shpjegojë përmbajtjen e sanksioneve autoriteteve ruse dhe ndoshta do të heqë disa tensione që po lindin tani”, shtoi ai.

Më herët të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se po diskutoheshin masat hakmarrëse për ndalimin e tranzitit të Lituanisë për mallrat e sanksionuara nga Bashkimi Evropian drejt Rusisë përmes Kaliningradit. Peskov nuk elaboroi se çfarë mund të përfshijnë këto masa dhe tha se nuk kishte një afat kohor të saktë për përgjigjen e Moskës. 

Lini një Përgjigje