Thjesht formalitet, tani pritet veç zyrtarizimi i fitores së Donald Trump

6 Nëntor 2024, 08:17Bota TEMA
Thjesht formalitet, tani pritet veç zyrtarizimi i fitores së Donald

Nuk është ende një rezultat zyrtar, por duket se nuk ka më dyshime dhe projeksionet janë tejet të qarta: Donald J. Trump do të jetë Presidenti i ri i SHBA-ve.

Kjo, pavarësisht faktit se Kamala Harris ka arritur të ngushtojë rezultatin me vota elektorale mes të dyve.

Trump projektohet se ka fituar 247 vota elektorale dhe nga ana tjetër, Harris 210.

Megjithatë, sytë e të gjithëve janë në ato që njihen si shtete të fushëbetejës, ku rezultati është i luhatshëm mes të majtëve dhe të djathtëve.

Lajmi i keq për demokratët, është se në të gjithë këto shtete, fitues po projektohet Donald Trump. Por, ka ende një sasi shumë të madhe të votave të mbetura për t’u numëruar.

Georgia duket se është vulosur për ish-presidentin Trump, duke i dhënë atij një dorë të mirë me 16 vota elektorale dhe duke e afruar me targetin prej 270 votash, që një kandidati i duhen për të marrë Presidencën.

Nga ana tjetër, ai po ashtu udhëheq garën në Wisconsin dhe Michigan, dy shtete thelbësore për garën e Harris dhe gjithashtu, po korr fitore edhe në atë që mund të quhet si “xhevahiri” i këtyre zgjedhjeve amerikane, Pennsylvania. Po ashtu, po udhëheq edhe në Arizona dhe Nevada, si edhe ka të sigurta tre vota elektorale të Alaskës, e cila tradicionalisht voton republikanët.

Me një numër të lartë votash elektorale (19), nëse Trump e fiton atë, atëherë nuk ka dyshime se ai do të zgjidhet president i ardhshëm i SHBA-ve. Ai aktualisht kryeson me 51% të votave në këtë shtet, por ende ka shumë për t’u numëruar.

Nuk duhet lënë pas dore edhe fakti se një pjesë shumë e mirë e votave janë hedhur përpara datës së zgjedhjeve dhe sipas traditës, ato janë të fundit, të cilat numërohen. Ndaj, duhet parë se si do të përkthehet kjo, nëse demokratët, apo republikanët, kanë qenë më të shumtë në zgjedhjen e votës përmes postës.

Zgjedhjet e shkuara, shumica e votave përmes postës shkuan për presidentin Joe Biden, por kjo nuk do të thotë se Harris do të ketë të njëjtin fat.

Votohet gjithashtu njëkohësisht edhe për Senatin dhe Kongresin, ku duket se republikanët do të kenë kontrollin e të dyjave.

Republikanët kanë arritur të marrin kontrollin e Senatit amerikan, ku falë zgjedhjeve të fundit, kanë kthyer tre ulëse në favorin e tyre dhe kanë arritur 51 karrige, për një shumicë mbi demokratët.

Kjo do të thotë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, ata do të kenë kontrollin e dhomës së lartë së përfaqësuesve, të paktën për dy vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, është ende e hapur gara për dhomën e ulët, atë të Kongresit, ku duket se po shkohet gjithashtu drejt një shumice republikane.

Këta të fundit kryesojnë me 182 ulëse, karshi 150 të demokratëve. Për të marrë shumicën duhen 218 mandate në Kongres.

Lini një Përgjigje