Turqia: Një aleate e dobishme, por jo e besueshme

23 Nëntor 2022, 09:05Bota TEMA

Turqia: Një aleate e dobishme, por jo e besueshme

Pushtimi rus i Ukrainës përshpejtoi tendencat para-ekzistuese në sistemin ndërkombëtar dhe në politikën e jashtme greke dhe turke. Greqia ndoqi haptazi linjën e Perëndimit, ndërsa Turqia ndoqi taktikën e zakonshme, atë të luajtjes me të dyja palët.

Këto qasje divergjente janë në përputhje me strategjinë që kanë ndjekur historikisht të dyja vendet, dhe aq më tepër vitet e fundit. Për sa i përket Greqisë – përveç aspektit moral të refuzimit të qartë të çdo forme revizionizmi – adoptimi i një qëndrimi të qartë, ndihma ndaj Ukrainës dhe vënia në dispozicion e portit të Aleksandoupolit aleatëve të saj, e forcoi pozitën e vendit në kampin perëndimor dhe indirekt edhe atë përballë kërcënimit turk.

Pozicioni i Athinës është strategjikisht konsistent, dhe është justifikuar nga kthesa e fundit e ngjarjeve. Nga ana tjetër Turqia, nisi të mbështetej më shumë tek Rusia, pasi kërkonte një autonomi strategjike nga Perëndimi, dhe përballë një dileme pothuajse të pamundur, bëri atë që ka bërë aq shpesh më parë: U përpoq ta anashkalonte dilemën duke u angazhuar në një akt balancues.

Ndërsa shumica e analistëve e parashikuan në fillim se qëndrimi i Turqisë do ta izolonte, Ankaraja me ndihmën e zhvillimeve të ndryshme e trajtoi situatën me shumë shkathtësi, dhe jo vetëm që ka mbetur e padëmtuar, por e ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare, sidomos me rolin e saj në marrëveshjen për eksportet e drithit ukrainas.

Ankaraja e ka pozicionuar veten në rolin e ndërmjetëses mes Moskës dhe Perëndimit. Mbresëlënëse është edhe mënyra se si ajo forcoi pozicionin e saj përballë Rusisë dhe përmbysi rolet e varësisë. Ky ndryshim i roleve buron edhe nga rënia gjeopolitike e Rusisë. Humbja e statusit dhe ndikimit të Moskës, ishte e dukshme në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait që u mbajt në shtator në Samarkand, por edhe në samitin e fundit të G20-ës në Bali.

Gjithsesi, një shembull i qartë ishte se si presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ktheu Vladimir Putinin “në rrugën e duhur” kur Moska njoftoi se po tërhiqej nga marrëveshja e grurit pas një sulmi të suksesshëm ukrainas ndaj flotës ruse në Sevastopol më 29 tetor.

Marrëdhëniet midis 2 vendeve kanë përparuar ndjeshëm që nga viti 2015, kur diplomatët turq u detyruan t’i luteshin Moskës që të hiqte një embargo ndaj produkteve bujqësore. Para luftës, Turqia mbështetej tek Rusia për sigurinë e saj energjetike, eksportet bujqësore dhe turizmin.

Ajo kishte nevojë që Rusia të ushtronte politikën e saj të dëshiruar në Siri, Kaukaz, madje edhe Libi. Dhe vetëm pak muaj më parë, Turqia u tërhoq nga një tjetër sulm i planifikuar në Sirinë Veriore, sepse u kundërshtua nga Putin. Të dyja vendet kishin një marrëdhënie varësie reciproke, por ekuilibri ishte në favor të Rusisë.

Tani gjithçka ka ndryshuar. Ekonomia ruse po tkurret dhe po varet nga importet nga Turqia. Vitin e kaluar Turqia nuk ishte as në listën e 10 partnerëve kryesorë tregtarë të Rusisë. Tani është numri 3, pas Kinës dhe Bjellorusisë, dhe mbi Gjermaninë.

Më e rëndësishmja: Turqia është mënyra e vetme se si Rusia mund të anashkalojë sanksionet, dhe të blejë produktet perëndimore, kryesisht të natyrës teknologjike. Duke mos u bërë pjesë e sanksioneve, Turqia ka fituar maksimumin në aspektin ekonomik dhe politik.

Tregtia dypalëshe është rritur me 200 për qind dhe bilanci në 9 muajt e parë të vitit 2022, tregoi një suficit prej 28 miliardë eurosh për Turqinë. Akti balancues i Turqisë është produkt i gjeografisë dhe historisë, dhe ajo e kryer shumë mirë vitet e fundit.

Po ashtu Ankaraja ka zhvilluar dhe shfrytëzuar çdo mjet pushteti: ushtrinë, fuqinë e butë, industrinë e mbrojtjes dhe shërbimet e informacionit. Ajo dënoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por e drejtoi gishtin drejt Perëndimit si fajtor për luftën. Turqia i injoron sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, por e furnizon Ukrainën me drone luftarakë.

Ajo po i shkakton vazhdimisht probleme NATO-s, por ka ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë, dhe merr pjesë me dëshirë dhe në mënyrë të konsiderueshme në misionet dhe operacionet e saj. Turqia mban lidhje me organizatat islamike, por siguron të dhëna inteligjente për Shtetet e Bashkuara, Francën, Izraelin etj.

Përdor refugjatët si një mjet presioni ndaj BE-së , por nga na tjetër ka numrin më të madh të tyre në territorin e saj. E përdor fuqinë e fortë për të ushtruar politikën e saj agresive dhe revizioniste, por e kundërpeshon atë duke shpenzuar shuma të mëdha parash për partneritete zhvillimi dhe ndihma humanitare (8 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe 7.5 miliardë dollarë në vitin  2021, shumica e të cilave shkuan në Sirinë Veriore).

Turqia është një aleate irrituese por e dobishme. Dhe është kjo arsyeja pse askush nuk dëshiron ta humbasë atë. Askush nuk dëshiron të humbasë Turqinë, por nga ana tjetër askush nuk i beson asaj. Atë që e ka fituar përmes taktikave të lart-përmendura, ajo e ka humbur tek besueshmëria.

Sjellja balancuese midis 2 kampeve e Turqisë është bërë një normë për këtë vend. Kur anon shumë nga njëri kamp, ajo e lë veten të ekspozuar në kampin tjetër. Aftësia e saj për të projektuar ndikimin gjeopolitik është më e vogël sesa ambiciet e saj.

Po kështu edhe ekonomia e saj në krizë, e cila mbështetet në një shkallë të konsiderueshme tek Perëndim. NATO është ende shtylla e saj e sigurisë, por edhe mekanizimi i saj i ndikimit. Pavarësisht se sa shumë mund ta dëshirojë autonominë strategjike, Turqia nuk mund të shkëputet nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, Greqia e ka forcuar pozicionin e saj në Bashkimin Evropian dhe NATO, me marrëveshjet strategjike të nënshkruar së fundmi me Francën dhe Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet porteve të saj Souda dhe Alexandroupoli. Siguria dhe stabiliteti i vendit është i rëndësishëm për arkitekturën e sigurisë perëndimore. Kjo është arsyeja pse Erdogan nuk do të vijë “papritur një natë” që të na sulmojë.

Shënim: Alexandros Diakopoulos, ish-këshilltar ushtarak i kryeministrit grek, zv/admiral në pension i Marinës Helene, dhe konsulent në Fondacionin Helen për Politikën Evropiane dhe atë të Jashtme (ELIAMEP)./ Përktheu: abcnews.al

Lini një Përgjigje

Blog Tema