Ahmet Zogu dhe themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë

27 Shkurt 2023, 20:41Dossier TEMA

Ahmet Zogu dhe themelimi i Bankës Kombëtare të

Nga Marenglen Kasmi

Gjatë qëndrimit të tij në Beograd në vitin 1925, Ahmet Zogu arriti në përfundimin se, pavarësisht se qeveria jugosllave po mbulonte me zemërgjerësi shpenzimet e tij personale, ajo jo vetëm që nuk ishte e gatshme të mbështeste atë financiarisht pas kthimit të tij në Shqipëri, por po ashtu nuk mundej të paguante për zbatimin e planeve të tij politike. Kështu që, pa e vënë në dijeni Beogradin, Ahmet Zogu hyri në kontakt me qeverinë italiane nëpërmjet vjehrrit të tij, Shefqet Vërlaci, i cili ishte në azil politik në Romë. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte sigurimi i mbështetjes politike dhe financiare pas kthimit të tij në atdhe, për të konsoliduar kështu sundimin e tij.

Fillimisht, plani i tij u financua në mënyrë direkte nga kompania britanike «Anglo Persian Oil Co.», me ndërmjetësinë e ministrit britanik në Durrës, Eyres. Sipas marrëveshjes, kjo kompani do të merrte si këmbim koncesionin e parë të shfrytëzimit të naftës shqiptare.

Pas triumfit të Legalitetit, Ahmet Zogu dërgoi për të biseduar me qeverinë italiane vëllezërit italofilë, Mufid dhe Ekrem Libohova, të cilët qëndronin prej kohësh në kontakt të ngushtë me italianët. Ndërkohë, presidenti Zog e kishte emëruar Mufid Libohën Zv. ministër të Jashtëm dhe Ministër të Financave, ndërsa vëllain e tij, Ekremin, Ministër Fuqiplotë në Romë. Teksti i marrëveshjes për themelimin e Bankës Kombëtare dhe marrjen e huasë prej 50 milionë frangash ari, me një interes prej 7 %, u hartua nga italianët dhe vëllezërit Libohova. Për palën italiane, marrëveshjen e nënshkroi ministri Mario Alberti.

Sipas Legatës gjermane në Tiranë, pas nënshkrimit të kontratës, Mufid Libohova tregonte pa ngurruar se, për nënshkrimin e saj, ai ishte shpërblyer nga italianët me 1 milion franga. Këtë veprim ai e justifikonte me një privilegj që kishte ekzistuar në Perandorinë Osmane, ku Ministri i Financave përfitonte 2 % të vlerës, për çdo marrje huaje të nënshkruar. Po ashtu, qeveria italiane, nëpërmjet të së ashtuquajturës «Huaja e Prillit 1925» i dha paraprakisht qeverisë shqiptare një milion franga. Sipas porosisë së presidentit Zog dhe Mufid Libohovës, kjo shumë  ju la  në dispozicion Ekrem Libohovës «për nevoja urgjente shtetërore» siç ishin: qepja e një uniforme parade për presidentin Zog, blerjen e dy vaporëve, të cilët pas një udhëtimi të vetëm u shitën në ankand për skrap në një të dhjetën e vlerës së blerjes, për blerjen e municioneve të vjetra për armë krahu, që u siguruan nga vetë Ekrem Libohova etj.

Pasi u hartua marrëveshja, i ngarkuari italian me punë, Marchese di Durazzo, i dorëzoi Ahmet Zogut marrëveshjen për nënshkrim. Zogu fillimisht hezitoi të nënshkruajë, pasi të besuarit e tij e kishin bindur atë se, kjo marrëveshje ishte një biznes privat i vëllezërve Libohova. Për të detyruar Zogun të nënshkruante, italianët përdorën taktikën e «kërbaçit dhe kulaçit». Nga njëra anë ata e kërcënuan Zogun për pasojat, nga ana tjetër e «zbukuruan» llogarinë e tij personale me një shumë të konsiderueshme. Vetëm pas këtij veprimi, Ahmet Zogu u shpreh i gatshëm për të nënshkruar marrëveshjen dhe po ashtu të merrte masa për miratimin e saj nga Parlamenti dhe Senati.

Themelimi i një institucioni qendror bankar shqiptar kushtëzohej para së gjithash nga situata politike në vend. Vetëm pas rikthimit të normalitetit politik dhe shtetëror në vitin 1925, qeveria shqiptare ishte në gjendje të merrte vendime dhe të lidhte marrëveshje të vlefshme dhe ligjore si dhe të siguronte bashkëpunimin e një grupi bankar italian për themelimin e BKSH-së. Përkrah së drejtës për të kryer gjithë veprimet bankare, Banka Kombëtare ruante edhe ekskluzivitetin e prodhimit të bankënotave dhe monedhave si edhe hedhjen në qarkullim të tyre. Me krijimin e saj u zgjidh po ashtu edhe një nga çështjet më të rëndësishme shtetërore, siç ishte krijimi i një valute shtetërore shqiptare.

Një nga çështjet thelbësore të krijimit të Bankës Kombëtare ishte edhe krijimi i kapitalit të saj. Kjo Në marrëveshje u sanksionua se, qeveria shqiptare do të përfitonte për këtë qëllim një hua prej 50 milionë frangash ari. Si rrjedhim, Grupi Financiar italian formoi “Shoqërinë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë” (Societa per lo sviluppo economico dell’ Albania – SVEA) me një kapital prej 15 milionë liretash. Kjo shoqëri do të kishte edhe koncesionin e kësaj huaje. Sipas marrëveshjes, huaja duhej të përdorej vetëm për punë publike si ndërtimi i rrugëve, ndërtesave, urave, bonifikim, bujqësi etj.

Por çfarë do të thoshte për qeverinë shqiptarë pranimi i huasë me këto kushte?

Duke lënë peng të ardhurat e doganave dhe monopoleve shtetërore, të cilat përbenin thuajse gjysmën e të ardhurave shtetërore, italianët kishin prangosur sovranitetin e politikave tregtare të qeverisë shqiptare. Ky sovranitet ishte kushtëzuar nga një pikë e marrëveshjes. Mungesa e vonesës së pagesës së këstit të radhës, hapte për italianët perspektivën e kapjes së zyrave doganore shqiptare. Nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë i rezervonte italianëve të drejta të mëdha, siç ishte krijimi i monopolit bankar në Shqipëri. Këtë gjë e vërtetoi edhe fakti që, pas disa vitesh bankat e tjera të huaja u larguan nga Shqipëria.

Si përparësi e Shqipërisë mund të konsiderohej në këtë marrëveshje mundësia që qeveria shqiptare i ruajti vetes për të ndjekur aktivitetin e kësaj shoqërie nëpërmjet emërimit të dy përfaqësuesve të saj në këshillin administrues të shoqërisë. Po ashtu shteti shqiptar do të përfitonte falas edhe aksione në vlerën e një milion liretave. Përfshirja e shteti shqiptar si aksionar në këtë shoqëri do të thoshte se ai ishte i përfshirë direkt në kapitalin dhe fitimet e saj.

Kushti që 49 % e aksioneve duhej të ishte e rezervuar për Shqipërinë u sabotua nga vëllezërit Libohova, në bashkëpunim me italianët. Shumë më të rënda ishin për shqiptarët kushtet e përcaktuara. Jo vetëm që për 50 milionët e marra hua, interesi i huasë u rrit nga 7% në 11 % si pasojë e përfshirjes në të edhe të interesave të tjera shtesë, por tashmë asaj i duhej të merrte përsipër një hua prej 70 milionësh. Kjo shumë përllogaritej në bazë të shpenzimeve shtesë, pagesës së italianëve për ndihmën e dhënë prej tyre etj. Interesi për gjashtëmujorin e parë u zbrit menjëherë nga shuma e përgjithshme.

Pra, qeveria shqiptare duhej të merrte përsipër një pagesë të këstit vjetor prej afro 6.5 milionë franga dhe një borxh prej 70 milionë frangash, ndërkohë që ajo nuk do të ishte asnjëherë në gjendje të siguronte pagesën e interesit për një shumë të tillë. Më 12 nëntor 1925, SVEA njoftoi qeverinë shqiptare se ishte gati të lëvronte huanë prej rreth 45 milionë frangash ari. (Nga shuma prej 50 milionë u zbritën 1 milionë franga që u dhanë parapagim, që tashmë me gjithë interesin ishin bërë 1.17 milionë dhe po ashtu, u zbrit interesi prej 3.7 milionë, i llogaritur deri më 30 qershor 1926. Pra gjithsej 4.87 milionë). Shqipërisë ju nevojitën 7 vjet për të marrë gjithë shumën e huasë, pra deri në vitin 1932, duke përfituar kështu mesatarisht rreth 6.44 milionë në vit. Në këto shtatë vjet, qeveria shqiptare, sipas përllogaritjeve paraprake të bëra nga Legata gjermane në Tiranë, kishte detyrim të paguante një interes vjetor prej afro 6.47 milionë frangash. Pra, pas zbritjes së interesit të gjashtëmujorit të parë nga shuma e përgjithshme, qeveria shqiptare ishte e detyruar të paguante për shlyerjen e huasë një interes, i cili ndër vite arrinte vlerën e gjithë të huasë.

Sigurisht që shqiptarëve tashmë ju hapën sytë. Presidenti Zog refuzoi të zbatonte kontratën dhe kërcënoi italianët se do të kërkonte ndihmën e Lidhjes së Kombeve për të kontrolluar kushtet e marrëveshjes. Kundër Ministrit të Financave, Mufid Libohova u ngrit një Komision Hetimor Parlamentar. Ekrem Libohova u lirua nga detyra e tij në Romë. Komisioni Hetimor Parlamentar ngriti një akuzë prej 11 pikash, prej të cilave pikat 1, 3 dhe 11 morën në shqyrtim pikërisht marrëveshjen e themelimit të Bankës Kombëtare dhe marrjen e huasë. Komisioni e shpalli Mufid Libohovën në të gjitha pikat fajtor.

Ndërkohë Italia ushtronte një presion të madh ndaj Presidentit Zog për të ndaluar procesin hetimor. Gjithsesi Komisioni i përfundoi punimet. Më tepër sesa kërcënimet e italianëve, presidenti Zog nuk e dënoi Mufid Libohovën sepse ky i fundit e kërcënoi me nxjerrjen e detajeve, të cilat e komprometonin rëndë atë vetë. Duke qenë se në vitin 1927 Mufid Libohova ndërroi jetë, ngjarja u la në harresë.

Por edhe pala italiane u detyrua të lëshonte pe. Pothuajse gjatë gjithë vitit 1926 u negociua ndërmjet palëve, duke arritur në rezultatin e mëposhtëm: Shuma e përgjithshme e kredisë u ul në 65.5 milionë franga, me arsyetimin se huaja ishte dhënë në Lireta dhe kursi i saj tashmë kishte ndryshuar. Për shumën e huasë të papërdorur u llogarit një zbritje e interesit prej 6.875 %. Këstet vjetore zbritën nga 6.474.000 në 5.636.850 franga. Me këto kushte lehtësuese të arritura, qeveria shqiptare do të përfitonte për gjithë periudhën 50 vjeçare të huasë, rreth 50 milionë franga ari. Po ashtu, rreth 10 milionë franga kurseheshin nga ulja e interesit. Sipas këtyre kushteve lehtësuese, Shqipërisë do t’i duhej të paguante rreth 60 milionë franga më pak nga përllogaritja fillestare.

Gjithashtu qeveria italiane miratoi edhe një ligj, me të cilin ajo autorizonte Thesarin e Shtetit që, nëse qeveria shqiptare nuk paguante në kohë interesin, atëherë ky institucion duhej të merrte përsipër këto pagesa. Më 28 shkurt 1928 ndërmjet SVEA-s dhe qeverisë shqiptare u nënshkrua një marrëveshje moratoriumi, sipas së cilës deri në fund të vitit 1930 Shqipëria nuk duhej të paguante asnjë këst të huasë. Në vitin 1931 duhej të paguante 1 milion franga, në 1932 vetëm 2 milionë dhe vetëm  prej vitit 1933 duhej të paguante këstet me interesat e paracaktuara. Interesat e moratoriumit duhej ti paguante Thesari i Shtetit italian. Ky veprim shënon fillesat e kalimit të Shqipërisë nën diktatin ekonomik të Italisë, çka u shoqërua me diktate politike, shoqërorë e kulturore deri në pushtimin ushtarak të saj.(Voxnews.al)

5 Komente

  1. e
    emigranti

    Nuk mjaftojne historianet e kohes se Enverit qe ishin te indoktrinuar dhe vazhdojne per inerci ne te njejten linje, po na u dashka edhe ky enverist i post komunizmit shqiptar qe i bie fyellit ne te njejten vrime duke percudnuar figuren e mbretit Zog. Ne vend qe te vleresoje si nje arritje krijimin e Bankes se Shtetit Shqiptar qe mundesoi krijimin e lekut shqiptar historiani ne fjale merret me hamendesime duke perlyer figuren e Zogut. Se pari historiani duhet te kishte analizuar rrethanat e lidhjes me Italine. Fillimisht fushat e naftes ju ofruan si koncesione Anglise e cila nuk paraqiti interes, pastaj ju drejtua Italise qe ishte fuqi e madhe qe shfaqi interes. Persa i perket huase, Zogu mori masa ndeshkimore per pergjegjesit e dhenies se kredise me 7% interes dhe detyroi palen italiane te korigjonte kushtet e kredise ne favor te shtetit shqiptar, kurse ju aludoni me pa te drejte se Zogu qe mori keto masa na paska perfituar per veten e tij ( nje tjeter akuze ne ajer tipike e propogandes fashisto- komuniste ). Flet per interesin prej afro 6 milion franga qe duhet te paguante cdo vit shteti shqiptar. Po a e di ky zoteri se sa paguhen sot nga beniaminet e tij qe me PPP skandaloze e kane zhytur vendin ne borxhe qe vetem rriten. Le te krahasoje perfitimet qe kishte Shqiperia nga koncensionet e kohes se Zogut me keto te sotmet ku kompania qe shfrytezonte naften tone na dilte me bilanc negative, pra me humbje (?). Ahmet Zogu eshte autori i ndertimit te shtetit modern shqiptar qe ishte fatkeqesi ne radhe te pare per mbare kombin shqiptar , si pasoje e pushtimit fashist e ndjekur nga diktatura komuniste , perfshire ketu edhe planet e fuqive te medha, vecanerisht Anglise per copetimin e Shqiperise. Pse nuk analizon ate kohe kur pjesemarres ne parlamentin shqiptar kishte deputete nga Kosova e trevat e tjera te vendit, kur behej perpjekje per unifikimin e vendit dhe jo marreveshje per gllaberimin edhe te Shqiperise nga Jugosllavia e Titos, apo ekonomikisht me Ballkanin e Hapur.

    1. N
      Nik

      emigrant, me fal, po qenke injorant. Mos shkruaj gjera qe nuk i di dhe nuk i kupton.

    2. M
      Mali

      Zogu bëri gabim që u veteshpall mbret në një vend me dy komunitete gege e toske Si mund të jetë historian i paanshem dikush me emrin Merenglen Falë Italise, komuniteti arberesh jeton prej 600 vjetesh, më e pakta proviseur gjuha shqipe është të paktën e vjetër 600 vjet,etj etj...

      1. M
        Mali

        Zogu u pasua nga Enveri, Enveri nga Saliu, gjithnjë e më keq

        1. A
          Alla Buda

          Kur mori Ministri i Financave 2% te huase hapurazi, po Presidenti, budalla te ishte thua?

          Lini një Përgjigje