Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga gjithë regjimet 

23 Shtator 2023, 14:00Dossier Mero Baze


 Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga
Ali Këlcyra, ka qenë një specie e rrallë politike në kohën që jetoi dhe një specie e zhdukur politike për kohën që jetojmë.  

Janë së paku tri cilësi të rralla të tij si politikan, që e bëjnë atë një figurë unike dhe të pazëvendësueshme në historinë e politikës shqiptare. 

E para është antikonformizmi i tij në politikë dhe të qenit thuajse gjithë jetën në opozitë me regjimet në Shqipëri. 

Në moshën 20 vjeçare , kur fati i Shqipërisë ishte i paqartë dhe bandat greke kishin pushtuar Jugun e Shqipërisë, ai udhëhoqi rreth 180 luftëtarë në zonën Këlcyrë Berat për të përballuar nga një anë sulmin e bandave greke drejt Beratit dhe nga ana tjetër sulmin e Haxhi Qamilit kundër Beratit, për të mposhtur mbështetësit e  qeverisë së Ismail Bej Vlorës. 

Aleanca e Greqisë me bandat e Haxhi Qamilit ishte në fakt përpjekja më e koordinuar kundër pavarësisë së Shqipërisë në Jug.  

Në një nga polemikat e tij të famshme me Mehmet Shehun tek Rrapi i Dervenit në Memaliaj në vitin 1943, Ali Këlcyra e nisi fjalën e tij duke i kujtuar Mehmet Shehut veprimtarinë e babait të tij përkrah Haxhi Qamilit. 

-Zoti Shehu, është e dyta herë që ndjehem i rrethuar nga njerëz që sulmojnë interesin e Shqipërisë, e filloi fjalimin Ali Këlcyra kur pa që Mehmet Shehu e rrethoi me njerëz të armatosur, edhe pse ai kishte shkuar aty vetëm mbi kal për të bërë debat politik .

-Për herë të parë kam qenë në vitin 1914 në Berat në shtëpinë e Xhemil Vrionit, kur yt atë dhe forcat e Haxhi Qamilit na rrethuan ndërkohë që ne ishim duke luftuar kundër grekëve. Fal oratorisë së tij, dhe fuqisë së fjalës debati përfundoi pa incidente dhe ai u largua i vetëm sërish me kalin e tij. 

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga

Më pasi ai u bë strumbullari i organizmit të Kongresit të Lushnjës duke siguruar përkrahjen e Gjirokastrës, Përmetit dhe Beratit duke vënë në dispozicion gjithë njerëzit e tij. 

Edhe pse historiografia jonë e ka shmangur, Lufta e Vlorës ka nisur me marshimin e forcave të Këlcyrës drejt garnizoni italian në Tepelenë, nën drejtimin e Ali Këlcyrës të cilat për dy javë rrethuan forcat italiane në garnizonin e Tepelenës deri në largimin e tyre dhe fillimin e mësymjes drejt Vlorës. Ali Këlcyra dhe Spiro Koleka, ishin po ashtu hartuesit e traktatit të dorëzimit të italianëve në Vlorë. 

Në parlamentin e parë të Shqipërisë pas Kongresit të Lushnjës ai u reshtua me ato që quheshin forca përparimtare dhe fitoi si deputet përballë Myfit Bej Libohovës, mikut të familjes së tij feudale. 

Familja Këlcyra dhe familja Libohova ishin të lidhur shumë ngushtë me krushqi dhe marrëdhënie ekonomike dhe kandidimi i tij përballë Myfit Beut, ishte një blasfemi për familjen Këlcyra e cila në një farë mënyre u distancua nga veprimtaria e tij politike. 

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga

Sarajet e familjes Kelcyra

Ai u bë bashkëpunëtorë i ngusht i Fan Nolit dhe fjalimi i tij frymëzues në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë ishte shkëndija e atij që quhet Revolucion i Qershorit më 1924, i cili po ashtu ishte kundër interesave të familjes së tij të madhe. 

Me shtypjen e revolucionit, ai u largua bashkë me Fan Nolin dhe krerët e tjerë të lëvizjes në Itali e më pas në Francë. Ai u dënua me vdekje nga Ahmet Zogu dhe nuk u amnistua deri në fund edhe pse familja e tij kishte një lidhje me familjen e Mbretit Zog. 

Me ikjen e Zogut mue 1939, Ali Këlcyra dhe disa bashkëpunëtorë të tij, edh eme nxitjen e së majtes evropiane antifashiste, u rikthyen në Shqipëri për të organizuar rezistencën kundër italianëve, gjë që i kushtoi atij internimi në një ishull në itali. Pas përfundimit të internimit ai u rikthye në Jug dhe ishte forca më e konsoliduar ushtarake deri në kapitullimin e Italisë. 

Propozimi i tij për gjeneralin Dalmaco, që ata të dorëzonin kontrollin e territorit dhe armet tek ai, nuk u kthye kurrë në një marrëveshje, pasi italianët e konsideruan atë poshtëruese puer ta, ndërsa propaganda komuniste më pas, për ta goditur e quante Marrëveshje Dalmaco Këlcyra, që ne fakt nuk u be kurrë. 

Nga gjithë krerët e Ballit Kombëtar vetëm Ali Këlcyra nuk pranoi të marr pjesë në qeverinë e re të krijuar pas ardhjes së gjermanëve në Shqipëri , duke mos bashkëpunuar me ta, madje dhe duke pasur disa përplasje me armë në jug të vendit. 

Si një socialdemokrat patriot, që nuk e pranonte komunizmin ai u largua nga Shqipëria më 1944, drejt Italisë, ku u burgos përsëri ai anti-italian dhe u lirua nga gjykata pas 45 ditë burg, ku i përmendën si krim dhe Luftën e Vlorës. 

Ai u ridënua përsëri nga regjimi komunist në Shqipëri në mungesë, duke e plotësuar gjithë spektrin e dënimeve nga gjithë regjimet në Shqipëri, pa qenë kurrë në pushtet. 

Dimensioni i tij i madh i dytë ka qenë fuqia e fjalës në politikën shqiptare. 

Fjalimet e tij në parlamentin shqiptarë, janë shembull i forcës së logjikës së një politikani që mposht dhe kundërshtarin. 

Në dhjetor të vitit 1923, ndërsa Ahmet Zogu ishte kryeministër dhe parlamenti kishte miratuar një amnisti, ishin përjashtuar nga amnistia dy personalitete, Bajram Curri dhe Abdi Bej Toptani, njëri i paritsë së Ali Këlcyrës, kurse tjetri kundërshtar. 

Fjalimi i Ali Këlcyrës në seancë plenare, është një monument i fuqisë së fjalës, ku me argumente dhe qartësi mendimi i kërkon Ahmet Zogut të tërhiqet nga vendimi kundër Bajram Currit dhe ta fal atë, për shkak të historisë së tij si patriot i madh dhe po ashtu të tërhiqet nga mërit e tij meskine dhe të fal Abdi Bej Toptanin, një themelues të shtetit shqiptar me verprimtari të njoiur patriotike në favor të Shqipërisë. 

 

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga
Fal fjalimit të tij parlamenti anuloi vendimin dhe i përfshiu të dy në amnisti. 

 

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga
Ali Këlcyra është politikani i parë modern i Shqipërisë, që ka luftuar për të drejtat e grave në parlament, heqjen e ferexhes me ligj, është hartues i kodit civil dhe futjes së ligjit të divorcit, gjë që Shqipëria e ka bërë para shumë vendeve perëndimore, përfshi dhe Italinë. Madje per kete ka pasur debate ne parlament dhe me Fan Nolin, i cili druhej se mos heqja e ferexhes krijonte tensione sociale.

Ai ishte i pari që propozoi heqjn e titujve të perandorisë osmane, sic ishte titulli Bej, që i takonte dhe atij si pjesëtar i familjes Këlcyra.

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga

Debati i Ali Kelcyres me Fan Nolin per ndalimin e ferexheve per grate shqiptare

Propozimet e tij për reforma sociale mbeten ende referencat më të shndritshme të parlamentarizmit shqiptar. 

I shkolluar në gjimnazin francez të Stambollit dhe më pas për jurisprudencë në Itali, ai ishte mik personal i Pertinit më vonë President i Italisë, miqësinë me të cilin nuk e ndau deri në fund të jetës duke e përdorur për të mirën e Shqipërisë. 

Cilësia e tij e tretë, është të qenit një pasardhës i një familje të madhe konservatore që përqafoi socialdemokracinë.  

E majta shqiptare nuk është çliruar ende nga sindromi i të qenit “e majta e Enver Hoxhës”, dhe ende nuk ka një histori të mirëfilltë të së majtës historiek shiptare, themeluesit e të cilës në fakt janë bashkëkohësit e Ali Këlcyrës me të në krye. 

Aq e fort ishte ndjenja e kundërshtimit të familjes së tij ndaj majtizmi tue Ali Këlcyrës, sa Muhabet Beu, xhaxhai i Ali Këlcyrës që ishte dhe beu i fundit i familjes, pasi Aliu nuk e pranoi atë titull, shkon ta takoj njëherë në parlament në vitin 1924, kur Fan Noli ishte kryeministër dhe Aliu ishte bashkpunëtor i ngushte i tij. I gjeti bashkë në restorant dhe Fan Noli e ftoi të hanin bashkë duke e ditur marrëdhënien problematike të tij me nipin “e majtë” që predikonte barazi shoqërore. 

Muhamet Beu, një burrë i fisëm me një zgjuarsi natyrale të lindur, u ul dhe filluan të bisedojnë me Fan Nolin rreth punëve të tij në fermë dhe organizmit primitiv të bujqësisë dhe blegtorisë. 

-Muhamet Bej i thot Noli. Kam parë që fermat në perëndim kanë filluar mbajnë ca dhi rrace, që u thonë dhi malteze që japin shumë qumësht. Pse nuk mbani dhe ju nga ato, se  ndryshon rendimenti. 

-Zotrote qenke i qart, -i tha i Muhamet Beu. D.m.th. ti mendon se ka dhi të zakonshme ka dhe dhe dhi rrace, pra nuk janë njësoj? 

-Po iu tha Fan Noli gjithë gëzim që po e përfshinte në bisedë. 

-Epo kur llafos me këtë nipin tim në parlament thoni që gjithë njerëzit janë njësoj, nuk ka njerëz race dhe njerëz të zakonshëm, kurse dhi rrace dhe dhi tue zakonshme paska.  

Fan Noli qeshi me të madhe dhe u dorëzua.  

-Nuk krahasohen njerëzit me kafshët i tha, por ti bëre çbëre e nxorre kokën si Bej. 

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga

Muhamet Bej me Princ Vidin ne Vjene, me 1918.

Pas largimit nga Shqipëria në dhejtor të vitit 1924, Ali Këlcyra u nda nga grupi i të ashtuquajturës KONARE, në të cilin fillimisht u përfshi dhe Fan Noli dhe që ishin majtist që besonin tek Bashkimi Sovjetik. Ai u zhvendos në Francë, me një grup deputetësh dhe potlikanësh që ishin të majtë evropianë socialdemokrat dhe që nuk e pranonin komunizmin. 

Ai mbajti lidhej të forta në Shqipëri me Bahri Omarin dhe krerë të tjerë të së majës socialdemokrate shqiptare. 

Në vitin 1936, Enver Hoxha i cili kishte humbur shkollën në Monpelie, i shkoi në shtëpi në Francë ti kërkonte punë tek organizata e tij, me rekomandim të Bahri Omarit. 

Aliu e këshilloi të rikthehej në Shqipëri dhe të punonte mësues, pasi shteti shqiptar kishte shpenzuar për të. Nuk kishte rëndësi pse nuk e mbaroi dot shkollën. 

Unë jam i arratisur politik se jam në luftë me Mbretin Zog i tha. Ti je djalë i ri . Shko kthehu e ndihmo në Shqipëri. 

Enver Hoxha nuk ja fali kurrë këtë gjë. Dhe në kujtimet e veta e përshkuan këtë takim si përçmues dhe Ali Këlcyrën si shok të Bari Omarit, arrogant dhe fudull. 

Kjo shpjegon dhe gjithë egërsinë e mëpasme ndaj figures së tij. 

Pak kush e di, që shtëpia e Enver Hoxhës, pjesa e vjetër e saj, është në fat shtëpia që motra e Ali Këlcyrës ja bëri dhuratë vëllait të saj kur u bë deputet më 1921. E martuar tek familja Bixhaku në Elbasan, ajo donte që vëllai i saj të jetonte në një shtëpi për të qenë. Më pas kur Aliu u largua nga Shqipëria, prona kaloi tek pasardhësit e saj, të cilët e kanë marrë dhe sot, por Enver Hoxha e kishte të fiksuar si shtëpi të Ali Këlcyrës ndaj dhe shkoi e banoi aty. 

Gjatë periudhës që kanë qëndruar ne Perëndim, me mërgatën e Romës, Ali Këlcyra merrte pjesë rregullisht së bashku me Qazim Mulletin në Kongresin e Autoriteteve Lokale në Strasburg, ku ata ftonin mërgatën shqiptare në mungesë të anëtarësisë së Shqipërisë. Qazim Muleti fliste zakonisht në emër të Shqipërisë në ato takime, edhe për shkak të karrierës si tij si kryebashkiak i Tiranës. 

Ribashkimi i tij me Fan Nolin u bë në vitin 1962, kur ai shkoi në SHBA me shpresë të bashkonte dhe një herë forcat e majta të Ballit Kombëtar që ndërkohë ishin përçare dhjet vite më parë, në një fraksion agrar drejtuar nga Hasan Dosti dhe Abaz Ermenji kundër Ali Këlcyrës . 

 

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga

Pjese nga dosja e Sigurimit te Shtetit per Ali Kelcyren ku raportohet udhetimi i tij ne SHBA

Deri në fund të jetës së tij jetoi në Romë në një apartament bashkë me Eqerem Bej Vlorën që e kishte baxhanak dhe që nuk pajtoheshin kurrë në bisedat e tyre politike. 

Hëna Këlcyra vajza e tij në atë kohë e rritur, tregon me dhimbje se në kulmin emungesës së pareve, unë duhet të blija cdo ditë katër gazeta, dy të majta dhe dy të djathta, një palë për babain dhe një palë për Xhaxha Eqeremin. Mamaja që nuk e kuptonte këtë ndarjen më thoshte po pse u beln katër gazeta, një bleju ta lexojnë me radhë se skemi lek. 

Dhe ndodhte shpesh që përlesheshin me fjalë kur kujtonin Revolucionin e Qershorit, kur flisnin për Avni Rustemin apo Ahemt Zogun. Pajtimi i tij formal me Ahmet Zogun më 1948 në Egjipt, ishte një përpjekje e dështuar për të bashkuar emigracionin shqiptar nën kujdesin e SHBA por nuk funksionoi.  

Ai vdiq në Romë në 24 shtator të vitit 1963, gjashtëdhjetë vite më parë dhe u varros në varrezat jokatolike të Romës, ku ka qene varrosur dhe Medi Frashëri.  

Ali Këlcyra, fati i politikanit rebel, që u dënua me vdekje nga

Varri i Ali Kelcyres ne Rome

Në vitin 2007, presidenti i Republikës Bamir Topi e dekoroi atë me Medaljen e lart të Urdhrit të Skënderbeut, ndërsa  më 2014 trupi i tij u rikthye në Atdhe nga vajza e tij dhe prehet poshtë Sarajeve të Këlcyrës bashkë me vëllain e tij Faikun që vdiq në Francë dhe gruan e tij.   

4 Komente

  1. D
    Deda...

    Po shfrytezoj rastin Z. Baze dhe po jap një mendim: për mua, njeri mëse i thjeshte, Zogu mbetet te paktën 51% pozitiv në historinë tonë, por nuk i takon të jetë i pranishëm në simbolet e Vlores sic ka vepruar djaloshi bashkise Vlore... Është ceshtje që duhet të pyetet populli i Vlores me anë referendumi vendor... Pastaj, një shatore e Ali Kelcyres do t'i bente nder qytetit të Vlores... Po të keni kohë dhe mundësi të benit një fushate duke hapur një llogari ba kare për emigrantet për të rehabilituar sarajet dhe kthyer ato në muze të treves...

    1. D
      Deda...

      Z, Baze, dhe një pyetje për ndonjë veteriner a zooteknik që e lexon gazeten tuaj: një dhi race ha bar njesoj në cilesi dh sais sa një dhi e zakonshme?...

      1. D
        Deda...

        Një nga gjërat me te dobishme dhe të bukura qe kam lexuar, por është e lemerishme se vetëm dy komentet e e mia, tre me këtë tani, tregojne sa pak shqiptaret duan të dinë per historinë e tyre, ku i ka rrënjët mjerimi i tyre sot...

        1. D
          Deda2

          Me pelqeu jashtëzakonisht komenti i Dedës. Doja të shtoja që dhia e racës e përzien pështymën me gëlbazë, prandaj shtohet qumështi. Sa të rrosh do të mësosh. Respekt të thellë për temat zooteknike, në thelb ne jemi një popull çobanesh, pavarësisht se në Gjirokastër vetëm e konsumojnë qumështin e dhisë.

          Lini një Përgjigje