A e sigurojnë shqiptarët shtëpinë? AMF: Rriten primet dhe pagesat e dëmeve, megjithatë sigurimi vullnetar mbetet ende i ulët

4 Korrik 2026, 14:25Ekonomia TEMA
A e sigurojnë shqiptarët shtëpinë? AMF: Rriten primet dhe

Në Shqipëri, sigurimi vazhdon të mbetet më shumë një detyrim sesa një zgjedhje e ndërgjegjshme, megjithëse hifrat tregojnë një rritje të lehtë të primeve të sigurimit të pronës, e cila përkthehet gjithashtu në një mbrojtje më të lartë financiare për qytetarët.


Shifrat flasin për një rritje me thuajse 9.5% të primeve të shkruara bruto nga zjarri, forcat e natyrës në janar-maj të këtij viti. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat e arkëtuara prej kompanive të sigurimit nga ky produkt dhe nga sigurimi dëmtime të tjera në pronë arritën në 1.1 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, dëmet e paguara rezultojnë me një rritje të lartë. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në 5 muaj janë paguar afro 15.8% më shumë dëme se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. E thënë ndryshe, kemi një rritje të vlerës totale të dëmshpërblimit nga 117 milionë lekë në 391 milionë lekë.

Nëse bëjmë një krahasim ndërmjet sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës, si dhe sigurimit nga dëmtime të tjera në pronë, pasi këto shiten si dy produkte të ndryshme nga kompanitë e sigurimit, shohim një rritje me 9.5% të primeve në rastin e zjarrit, tërmeteve, përmbytjeve apo rrufeve dhe një rënie me gati 26% të dëmtimeve të tjera në pronë, siç mund të jetë sigurimi nga vjedhja e shtëpisë.

Megjithatë, ndërsa primet nga sigurimi motorik shohin vetëm rritje, kjo dhe për arsye se është i detyrueshëm, prona mbetet një aset që sigurohet vetëm kur merret një kredi në bankë. E njëjta gjë vlen edhe për jetën.

Rritja e dëmeve të paguara tregon se gjithnjë e më shumë qytetarë po përfitojnë nga mbulimi i sigurimit, por niveli i sigurimit të pronës në Shqipëri mbetet ende i ulët krahasuar me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Zgjerimi i kulturës së sigurimit do të ndihmonte familjet dhe bizneset të përballonin më lehtë humbjet financiare nga ngjarjet e papritura.

Lini një Përgjigje