Turizmi i “uritur” për punonjës - AKPA: Më shumë se 5600 vende të lira pune

3 Korrik 2026, 16:20Ekonomia TEMA
Turizmi i “uritur” për punonjës - AKPA: Më shumë

Papunësia në Shqipëri vijon të shënojë rënie, ndërsa kërkesa për punonjës mbetet e lartë, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe shërbimeve. Sipas të dhënave më të fundit, në tremujorin e parë të vitit 2026, shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 8,4 për qind, me një ulje prej 0,3 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndërkohë, tregu i punës po shfaq një kërkesë të lartë për fuqi punëtore sidomos në sektorin e shërbimeve dhe në bujqësi. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, profesionet më të kërkuara aktualisht janë kuzhinier, ndihmëskuzhinier, kamarier, banakier, recepsionist dhe pastrues dhomash në hotele, kryesisht në Vlorë, Durrës dhe Sarandë, ku aktiviteti turistik ka rritur nevojën për punonjës. Kjo përkon edhe me pikun e sezonit turistik ku ndodhet aktualisht Shqipëria. Agjensia Kombëtare e Punësimit thekson se tashmë ofrohen rreth 5604 vende të lira pune nga subjekte të ndryshme.

Edhe të dhënat e INSTAT tregojnë se sektori i shërbimeve mbetet punëdhënësi më i madh në vend, duke përfshirë 46,9 për qind të të punësuarve, ndërsa bujqësia renditet e dyta me 33,8 për qind. Në qarkun e Tiranës, rreth 70 për qind e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve. Ndërsa në Durrës, Lezhë, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër, rreth 45 për qind e të punësuarve punojnë në këtë sektor, i cili mbështetet në një masë të madhe nga turizmi.

Në qarqet e Fierit, Korçës dhe Beratit, punësimi dominohet nga bujqësia, ku mbi 45 për qind e të punësuarve janë të angazhuar në këtë sektor. Të dhënat pasqyrojnë dallimet në strukturën ekonomike të qarqeve, por konfirmojnë se turizmi dhe shërbimet vijojnë të jenë motorët kryesorë të rritjes së punësimit në vend.

Ekspertët e tregut të punës e lidhin rënien e papunësisë me rritjen e aktivitetit ekonomik dhe zgjerimin e punësimit sezonal, ndërsa institucionet u bëjnë thirrje punëkërkuesve të aplikojnë për vendet e lira të punës të ofruara në të gjithë vendin.

1 Komente

  1. F
    Fshatari

    Merni Indiane e Afrikane, se Shqiptaret kane ikur dhe ata qe kane mbetur jane bere te tere me shkolla te larta, te studiuar ne shkencat politke dhe gazetari.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje

    Blog Tema