Bizneset qarkulluan 1.4 miliardë euro më shumë - Shërbimet, turizmi dhe tregtia rrisin ndjeshëm të ardhurat e sipërmarrjeve

6 Qershor 2026, 21:20Ekonomia TEMA
Bizneset qarkulluan 1.4 miliardë euro më shumë - Shërbimet,

Bizneset në Shqipëri kanë pasur aktivitet pozitiv gjatë katër muajve të parë të vitit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-prill 2026 u rrit me 133 miliardë lekë ose 11% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, duke u dyfishuar në krahasim me rritjen ekonomike.


Rritja në qarkullimin e bizneseve, sipas Ministisë së Financave, është mbështetur kryesisht nga tre sektorë.  Shërbimet, që shënuan rritjen më të lartë, me 24.5%. Kjo tregon kryesisht zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorët e lidhur me turizmin dhe aktivitete të tjera të ndërlidhura. Ndërtimi gjithashtu regjistroi një rritje prej 13.2%,  pasuar nga tregtia me rritje 10.4%, si një tjetër sektor me peshë në ekonomi.

Sipas Ministrisë, kjo ecuri vjen për shkak të rritjes ekonomike; formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë, çka do të thotë raportim më i plotë i xhirove  të deklaruara dhe konsumit të brendshëm më të lartë, i mbështetur nga rritja e të ardhurave dhe punësimi.

Në të njëjtën linjë ecur edhe zgjerimi i numrit të bizneseve. Referuar të dhënave zyrtare, në total deri në fund të prillit 2026 numri total i bizneseve ka arritur 144,940. Ndërsa në raport me një vit më parë janë 8,070 biznese të reja janar – prill 2026.

E thënë ndryshe numri i bizneseve është rritur me 11% krahasuar me 4 mujorin 2025.

Ritmi i rritjes reflekton përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e besimit të sipërmarrjes dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të ndryshëm të ekonomisë ( shërbimi dhe transporti).

Ecuria pozitive e ekonomisë lidhet me disa faktorë si përmirësimi i konsumit të brendshëm, lehtësitë administrative për hapjen e bizneseve, si dhe rritja e interesit për investime në sektorë të caktuar.

Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme. Qëndrueshmëria e kësaj rritjeje do të varet nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat i kanë shtrirë pasojat edhe në Shqipëri, ku për shkak të rritjes së lartë të çmimit të karburanteve, bizneset po përballen me kosto të larta të transportit dhe presion mbi fitimet dhe investimet.

Lini një Përgjigje