Zv/Ministri i Financave, Endrit Yzeiraj, shpjegoi në Tv Klan detaje për programin më të ri të qeverisë shqiptare me titull “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Ky program synon të mbështesë kategoritë e shumta të bizneseve, duke u ofruar atyre mundësi konkrete financimi për t’u rritur dhe për t’u bërë më konkurruese.
“Në thelb, programi nuk ofron fonde të qeverisë falas, por lehtëson aftësinë e bizneseve shqiptare për të marrë kredi nga sistemi financiar. Qeveria shqiptare garanton një pjesë të kredisë për sistemin bankar, duke ulur rrezikun e tij në raport me sektorin privat. Në praktikë, kjo do të thotë që sipërmarrësit me një ide ose projekt të mirë mund t’i drejtohen bankave për të marrë një kredi me norma interesi që variojnë nga 2 deri në 3%, në varësi të garancisë që ofron shteti për atë sektor. Programi synon posaçërisht të ndihmojë aksesin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme në sistemin bankar shqiptar.
Ky program është në një farë mënyre një zgjerim i skemës së garancisë sovrane për bujqësinë, e cila ka shërbyer si një pilot për testimin e këtij lloj instrumenti financiar. Tani, instrumenti është zgjeruar për të mbuluar thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, gjithmonë me disa kufizime kryesore: përfshihen vetëm bizneset mikro, të vogla dhe të mesme (jo bizneset e mëdha), dhe qëllimi i investimit duhet të jetë rritja e produktivitetit, jo kapitali qarkullues apo blerja e truallit.
Qeveria ka qenë shumë dorëlëshuar duke e hapur programin për të gjithë sektorët e ekonomisë, por investimi duhet të sjellë një kapacitet të ri prodhimi, një linjë të re teknologjie, një përmirësim në kapacitetet logjistike, ose ta bëjë biznesin më produktiv. Pra, çdokush që ka një ide të mirë dhe një plan biznesi që synon të investojë në sipërmarrjen e tij, ka shumë gjasa të jetë pjesë e programit.
Në këtë proces, bankat luajnë një rol thelbësor. Qeveria nuk është e aftë të bëjë modelim rreziku, ta menaxhojë atë, apo të vlerësojë aplikimet e kredisë. Këtë detyrë do ta vazhdojë të luajë sistemi bankar. Duke ulur rrezikun me të cilin bankat ekspozohen përballë sektorit privat, qeveria i bën ato më të gatshme për të financuar, duke ulur gjithashtu normën e interesit. Garancia nuk shkon më shumë se 70%, duke lejuar sistemin bankar të mbajë një pjesë të rrezikut (30% ose pak më shumë), pra duke pasur interes të bëjë një filtrim të saktë të çdo aplikimi.
Një element tjetër i rëndësishëm i këtij programi është mbështetja me grante për hartimin e planeve të biznesit, e cila do të miratohet nëpërmjet një VKM-je. Lider i këtij procesi është Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, aftësia për të shkruar plane biznesi të sakta mbetet një aftësi që biznesi shqiptar duhet ta zhvillojë, dhe programi është thjesht një mënyrë për ta lehtësuar këtë interaksion.
Sa i përket startup-eve dhe bizneseve në fazën fillestare, bankave u është lënë një dorë relativisht e lirë në vlerësimin e projekteve. Për të mbështetur startup-et, qeveria shqiptare nëpërmjet Agjencisë së Startupeve ka një linjë tjetër specifike që ofron grante. Por bankat kanë lirinë, nëse shohin një program të mirë, të kreditojnë edhe biznese fare të vogla me zero ose një punonjës. Pak më të favorizuar do të jenë sektorët si inovacioni, teknologjia dhe dixhitalizimi.”
Lini një Përgjigje