Kriza energjike: A jemi vërtetë në situatën ku “zengjinët” meritojnë të “dënohen” me fatura të frikshme?

9 Shtator 2022, 15:45Ekonomia Nga Emirjon Senja

Kriza energjike: A jemi vërtetë në situatën ku

Qeveria njoftoi gjatë ditës së sotme se çdo kilovat energji elektrike e harxhuar mbi 800 kWh do të paguhet 4.4 herë më shumë për konsumatorët familjarë. Aktualisht, konsumatorët familjarë e paguajnë një kWh energji elektrike me çmimin 9.5 lekë pa TVSH.

Pagesa me 4.4 herë më shumë apo me rreth 42 lekë kWh është detyrimi që sipas qeverisë duhet të shlyejë çdo konsumator familjar që konsumon më shumë se 800 kWh në muaj.

Qeveria ka marrë një çmim mesatar tregu prej rreth 400 euro/ megavati, ndërkohë që energjia e fundit që ka blerë KESH në treg është 475.77 euro/ megavati, pra rreth 75 euro më shumë.

Rrjedhimisht, bashkë me koston e transmetimit dhe të shpërndarjes, në fakt, çmimi i energjisë sipas tregut për konsumatorët familjarë del më shumë se 42 lekë/ kilovati, megjithatë kjo është çështje shumë teknike që qeverisë do t’i duhet ta shpjegojë një moment tjetër, ndoshta kur të aplikojë në ERE për ndryshimin e fashave të tarifimit.

Sa i përket faturimit të konsumatorëve familjarë me çmimin e energjisë elektrike në treg, duket se argumenti shtrohet duke e marrë të mirëqenë sikur e gjithë energjia elektrike që konsumohet në vend blihet në tregun e jashtëm.

Në fakt nuk është kështu.

Le t’u referohemi shifrave

Sipas të dhënave të ERE-s, të pasqyruara në Bilancin e Energjitik për gjashtëmujorin e parë 2022, gjatë kësaj periudhe vetëm konsumatorëve familjarë u është shitur 1 648 750 MWh energji elektrike, ndërkohë për të njëjtën periudhë, KESH-i ka prodhuar nga HEC-et e tij 1 695 792 MWh. Pra, KESH-i ka prodhuar vetë pak më shumë energji elektrike krahasuar me totalin e konsumuar nga familjarët.

Nga ana tjetër, energjia totale e futur në OSHEE gjatë periudhës janar-qershor 2022 është 3.7 milionë MWh, kurse e gjithë energjia e prodhuar në vend (nga KESH dhe HEC-et private) është 3.6 milionë MWh.

Ekspertët më të mirë të fushës, me të cilët jam konsultuar sot, thonë se diferenca është lehtësisht e menaxhueshme nëse do të kishim një mirëmenaxhim të kaskadës së Drinit.

Sa kushton prodhimi i energjisë elektrike nga HEC-et e KESH?

Sipas ERE-s, një kWh energji elektrike e prodhuar nga KESH ka një kosto mesatare prej 1.55 lekë. Bashkë me kostot e transmetimit dhe të shpërndarjes shkohet në çmimin aktual që paguajnë konsumatorët familjarë.

Në këtë rast, konsumatorët familjarë nuk kanë se si të faturohen më shumë se katër fishin e kësaj shifre sikur e gjithë energjia e konsumuar prej tyre të jetë e blerë në tregun e jashtëm, pra me çmime “lufte”, ndërkohë që konsumatorë të tjerë, të cilët kanë një peshë të ngjashme apo më të madhe në konsumin total, të tarifohen me çmime “paqeje”. Për shembull, konsumatorët familjarët harxhojnë 37% të energjisë totale që injektohet në rrjet, po aq sa energjia që harxhojnë institucionet publike.

Por, Shqipëria nuk e prodhon dot vetë të gjithë energjinë elektrike. Një pjesë e prodhon KESH, një pjesë HEC-et private dhe një pjesë importohet, pikërisht me çmimet e tregut.

Rezulton se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, Shqipëria të ketë blerë nga jashtë (me çmim tregu) rreth 810 mijë MW/h energji elektrike. Nisur nga kjo, ERE nxjerr një çmim mesatar për energjinë elektrike në vend, i cili për periudhën janar-korrik 2022 rezulton të jetë rreth 30 lekë kWh.

Kështu, pavarësisht se çmimet e tregut aktualisht janë të larta, sërish çmimi i caktuar nga qeveria (42 lekë) për çdo kilovat të harxhuar mbi 800 kWh janë më të larta se vetë mesatarja gjashtëmujore e çmimit tregut.

Humbjet

Krahas kostove të larta që vijnë nga tregu, konsumatorëve familjarë u duhet të paguajnë edhe për humbjet e energjisë elektrike në rrjet, të cilat vërtiten mes 21-23 për qind. Këtu nis edhe çudia, pasi nëse Shqipëria ka importuar 810 mijë MWh gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, 840 mijë MWh të totalit të energjisë së futur në rrjet, ka humbur.

Situata duket të jetë e paqartë, pasi pritet të dilet me një vendim qeverie për detajet, megjithatë pyetjet që duhet të marrin përgjigje para se një numri të madh abonentësh familjarë (nuk janë 4%, por shumë më shumë) t’u shkojnë fatura të çmendura  janë:

-Pse duhet të paguajnë konsumatorët familjarë çmim tregu, më shumë se katër fish më të shtrenjtë (të çmimit final) në një kohë kur kostoja e prodhimit të një kWh nga KESH është vetëm 1.55 lekë?

-Pse “llogaritë” bëhen sikur e gjithë energjia e konsumuar në Shqipëri blihet nga jashtë (pra me çmime lufte), ndërkohë që siç thotë ERE pjesa dërrmuese e energjisë elektrike është prodhuar në vend, me një kosto shumë herë më të ulët se tregu?!

-A po përdoret “lufta” si justifikim për të rritur praktikisht çmimin e energjisë në një kohë kur sistemi ka dështuar në uljen e humbjeve?

-Nëse jemi në “luftë”, pse duhet të tarifohen me çmime “lufte” vetëm abonentët familjarë dhe jo institucionet publike për shembull?

3 Komente

  1. B
    Bardha

    Ku qe ka shkruar kete shkrim qenka i mencur,sipas ketije Shqiperia ska nevoje per importe te energjise jep dhe do shifra qe i ka marre hua tek udheheqesi i shpellave dhe mbaroi,ha muco pi muco ,keshtu perpiqen te mashtrojne njerzit se kujtojne se jane budallej si ku qe shkruan pallavra

    1. G
      GEZUAR BAFTJAR

      Kybeshte nga ata te pishinave te Rifonit besoj. Ky nuk ben llogari qe ai cmim.eshte edhe per ata qe nuk tejkalojne 800kw. Po te pyeti kush hallall Jam ne Itali dhe po paguajme qimet e kokes per energji uje dhe gaz. Te gjitha cmimet jane cmendur

      1. S
        Shaqo

        I vjen gjynah per miliarderet...

        Lini një Përgjigje