
Prokuroria vijon hetimet në lidhje me skandalin e ndodhur në pikën kufitare të Morinit në Kukës ku u vunë në pranga 31 punonjës policie dhe një u shpall në kërkim për marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës.
Sipas të dhënave hetimore, bëhet me dije se janë pamje, foto dhe biseda të panumërta me anë të të cilave janë faktuar veprimet e kundërligjshme të punonjësve të Policisë së kësaj pike doganore.
Referuar dosjes hetimore, është nxjerrë në pah një tjetër komunikim i një efektivi polic, i cili i shpjegon një shqiptari të Kosovës, që i telefonon nga Zvicra se si mund të kalohen plumbat.
Pra bëhet fjalë për trafik armësh pretendon prokuroria në hetimet e veta, po ashtu edhe në akuzat e ngritura ndaj efektivëve që janë lënë në arrest me burg dhe ata që po hetohen në arrest shtëpie.
Në morinë e bisedave të përgjuara, prokuroria është ndaluar tek episodi në të cilin flitet për bisedën telefonike ku një person i interesuar për kalim fishekësh në kufi e pyet policin nëse në pikën kufitare ka skaner? Dhe polici i shpjegon se skaneri është, po varet se a përzgjedhësh për kontroll apo jo.
BISEDA
Policët e arrestuar pak ditë më parë në Morin, pasi kishin organizuar një aktivitet korrupsioni dhe që funksiononte prej kohësh kanë biseduar jo pak herë në lidhje me kalimin e sendeve të paligjshme. Episodi i radhës ka të bëjë me kalim municionesh. Këtë ka zbuluar SPAK-u për atë që ndodhte në pikën kufitare me Kosovën, ku janë arrestuar dhjetëra punonjës edhe nga pala kosovare.
Në dosje është zbuluar një detaj i veçantë në morinë e përgjimeve që zbuluan plot qindra episode korrupsioni. Në një nga përgjimet, zbulohet se punonjësi i Policisë Reni Dokolli ka dërguar me video pamje filmike ku në sediljen e parë të automjeti të tij shfaqen një shumë e madhe parash prerje 50-she, të cilat ia dërgon koleges se tij, Diana Toçila, e cila i kthen përgjigje:
“Ruaji se na duhen për avokat”. Gjithashtu, në një bisedë tjetër fiksohet fakti se dikush kërkon të kalojë disa plumba në kufi, por e shqetëson mundësia e kontrollit me skaner:
V. A: Kam një pyetje, ti qe je kufitar?
Reni: Po vlla me thuaj
V.A: Shif, jam tu shkun‘Kumanovë. Kam mar ca pluma, a kan skaner në kabina ata ?… Apo veç po dyshun të nalin.
Reni: Tani me dyshu të fusin edhe në skaner! Mesa di un kanë skaner! Po veç po dyshuan.
V. A: Dmth, në kabinë nuk ka rrezik”
PIKA KUFITARE
Goditja që i dha SPAK-u pikës kryesore kufitare me Kosovën bëri që Policia e Shtetit të ndërhynte menjëherë për të bërë zëvendësimet me efektivë të tjerë.
Fillimisht, u pretendua se do të krijohej vakum, por Policia doli zyrtarisht me njoftim, duke bërë me dije se ishin në funksion 6 sportele dhe se puna do të vijonte normalisht.
GJKKO-ja, në një seancë maratonë prej rreth 5 orësh, vendosi që të linte në fuqi masat e SPAK-ut, ku 15 efektivë u lanë në “Arrest me burg”, 14 në “Arrest shtëpie”, ndërsa 4 të tjerë u pezulluan nga detyra.
U tha se i pezulluar ishte edhe vetë drejtuesi i kësaj strukture policore, i cili ende nuk dihet se çfarë veprimi ligjor do të ndërmarrë. Në fakt në lidhje me përgjimet e regjistruara nga SPAK-u nuk është gjetur asnjë episod që e përfshin në korrupsion apo përfitime nga ryshfeti.
Lini një Përgjigje