Apeli i përgjigjet shantazhit të Berishës: Synon të ushtrojë ndikim tek vendimi për statutin

17 Maj 2022, 15:12Kronika TEMA

Apeli i përgjigjet shantazhit të Berishës: Synon të

"Nëse deri në përfundim të orarit zyrtar të ditës së hënë ende nuk do t'i jetë komunikuar zyrtarisht vendimi i gjyqtares Muça, atëherë "Rithemelimi" do paraqesë kallzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh të përfshirë në këtë skenar të jashtëligjshëm, pavarësisht pozicionit që mban."

Ky ishte kërcënimi i Komisionit të Rithemelimit drejtuar Gjykatës së Apelit mesditën e të dielës, pasi pretendon se kjo e fundit nuk i jep vendimin e e gjyqtare Blerina Muçaj e cila pranoi ankimin e Enkelejd Alibeaj për ndryshimet në statut.

Pas këtij shantazhi të hapur, ka ardhur një reagim nga vetë Gjykata e Apelit, e cila i konsideron këto deklarata si të papranueshme, paragjykuese, sulmuese dhe denigruese që sipas saj, synojnë të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi çështjen për statutin e PD-së.

Gjykata e Apelit shton më tej në reagimin e saj se për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, si dhe janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht.

Vlen të theksohet dhe fakti se një javë më parë, Komisioni i Rithemelimit dorëzoi dhe dy kërkesa në Inspektoratin e Lartë të drejtësisë dhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit nga të cilët ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Blerina Muçaj.

Reagimi i plotë:

“Gjykata e Apelit Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryesisht ato të lirisë së shprehjes dhe mendimit, sjell në vëmendje të opinionit publik se ato duhet të ushtrohen në respekt të të drejtave po aq themelore, që konkurrojnë me to.

Gjykata është e vetëdijshme për rolin e partive politike në një shoqëri demokratike, ndaj çdo debat publik mbi organizimin, mbarëvajtjen dhe ushtrimin e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë, mbart në vetvete çështje të interesit publik.
Nga ana tjetër, po aq i rëndësishëm në një shtet të së drejtës është respektimi nga cilido i pavarësisë,  autoritetit, legjitimitetit të pushtetit gjyqësor, si dhe shmangia e deklarimeve apo sulmeve që cenojnë besimin e publikut te trupa gjyqësore.

Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.

Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar. Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta”, mbyllet reagimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Lini një Përgjigje