Detaje të reja janë mësuar mbi operacionin e përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës, që ka çuar në goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e armëve dhe drogës midis dy vendeve.
Sipas hetimeve, trafikantët shfrytëzonin fundjavën për të kaluar kufirin, duke përfituar nga një marrëveshje mes dy vendeve, e cila kufizon kontrollet e automjeteve gjatë kësaj periudhe.
Armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas modifikoheshin në qytetin e Ferizajt në Kosovë. Trafikantët nuk përdornin para për tregti, por armët në shumicën e rasteve shkëmbeheshin me kokainë.
Një nga të arrestuarit, Euxhenio Manushi, dyshohet se ka udhëtuar në Kosovë me lëndë narkotike dhe është kthyer në Shqipëri me armë zjarri.
Operacioni i koduar “Demontimi” ka çuar në:
-Sekuestrimin e 64 armëve zjarri.
-Arrestimin e 16 personave të dyshuar: 6 në Shqipëri dhe 10 në Kosovë.
-Nga këto, 23 armë janë sekuestruar nga policia e Tiranës, ndërsa 41 armë janë kapur nga autoritetet kosovare.
Emrat e të arrestuarve në Tiranë:
Euxhenio Manushi (20 vjeç)
Endri Papa (34 vjeç)
Aurel Manreka (28 vjeç)
Gersi Llozha (22 vjeç)
Kleo Muçalliu (26 vjeç)
Tonin Shkambi (53 vjeç)
Euxhenio Manushi, i cili është djali i artistit të njohur si “Ad Sybardhi”, ishte arrestuar disa ditë më parë në Tiranë në një aksion anti-drogë, ku u kap me 1 kilogram kokainë të pastër së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Klaudio Serjani.
Hetimet
Operacioni “Demontimi” nisi në shkurt të vitit 2024 pas informacioneve të mbledhura nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Tiranë. Hetuesit kishin dyshime për një rrjet trafikimi që përfshinte armë dhe drogë midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Pas hetimeve të thelluara, u krijua një ekip i përbashkët hetimor mes dy vendeve, i cili realizoi operacione të koordinuara dhe shkëmbim informacioni për të ndaluar këtë aktivitet të paligjshëm.
Lini një Përgjigje