
Automjeti tip "Jeep Cherokee" me targa greke "BOO - 9195" që shihni në foto është një prej automjeteve që ka sekuestruar Policia e Sarandës në hetimet për zbardhjen e zhdukjes së dy 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi i njohur si “Koçole”.
Burime bëjnë me dije se automjeti me xhama të zinj dhe i blinduar është zbuluar në një plantacion mandarinash në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol.
Gjithashtu, është sekuestruar dhe një automjet “Land Rover” Discovery me targa greke, i gjetur në një karburant në Qafë Gjashtë. Burime bëjnë me dije se ky automjet, përveç xhamave të zinj, kishte të instaluara brenda saj fenelina si të policisë, edhe pse këto nuk u gjetën në momentin e sekuestrimit.
Gjithashtu, është sekuestruar dhe një automjet “Mercedes-Benz” që dyshohet se ka kryer rrëmbimin. Ky mjeti rezulton që ka transportuar dhe autorët e vendosjes së eksplozivit në 5 dhjetor 2022 në banesën e shtetasit Lefter Lefteri alias Afëz Kulla në Sarandë.
Policia e ndoqi me kamera sigurie këtë mjet deri në dalje të fshatit Gjashtë, ku mjeti mori drejtimin për në Nivicë, aty edhe ku u gjet, konkretisht në një garazh pa kyç të marrë me qira nga persona me banim në Sarandë.
Pavarësisht avancimit të hetimeve, ende nuk ka prova konkrete se pse janë kryer rrëmbimi dhe më pas dyshohet ekzkutimi i Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqit. Ende nuk janë gjetur trupat e pajetë dhe nuk janë lëshuar ende asnjë urdhër-arreste.

Lini një Përgjigje