Kosova jep “ok”, Gëzim Çela do të ekstradohet në Shqipëri

27 Shkurt 2024, 16:47Kronika TEMA
Kosova jep “ok”, Gëzim Çela do të ekstradohet

Autoritetet në Kosovë kanë pranuar kërkesën për ekstradimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Gëzim Çela.

I konsideruar si “baroni” i drogës, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të madh anti-drogë “flakë në det”, Çela do të ekstradohet drejt Tiranës me procedurë të thjeshtuar, njofton Ministria e Drejtësisë shqiptare.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në shtator të 2015 dënoi Çelën me 10.8 vjet burg për disa vepra penale si; “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja  e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gëzim Çela, ish-punonjës policie, u arrestua në Kosovë në dhjetor të viti 2023.


Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë:

"Shtetasi Gezim (Gëzim) Çelaj alias Çela, i biri i Xhemal dhe i Fatime, lindur më 07.04.1968, në Krujë, do të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri.

Ekstradimi i tij do të bëhet me procedurë të thjeshtuar, dhe në vijim të komunikimit mbi këtë kërkesë për ekstradim, Ministria e Drejtësisë të Kosovës, me emailin e datës 26.02.2024, ka përcjellë njoftimin e autoriteteve kosovare të drejtësisë mbi vendimin Nr. 05179662, dt. 11.01.2024 të Gjykatës Themelore në Ferizaj/ Kosovë, për lejimin e ekstadimit të thjeshtuar këtij shtetasi, për shkak se ky shtetas ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.

Kërkesa për ekstradimin e shtetasit të lartpërmendur bazohet në:

-Vendimin Nr. 110, datë 08.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”,  parashikuar nga nenet 283/a, 28, 333/a  dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

-Vendimin Nr. 102, datë 30.09.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë,  i ndryshuar me Vendimin Nr. 121, datë 07.12.2015, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për dënimin e tij me 10 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprave penale   “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja  e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 2283/2, 278/3 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë."

Por kush është Gëzim Çela?

Çela është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore.

Në vitin 2015, Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine.

Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë.

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar.

Gëzim Çela akuzohet për veprat penale “Trafikimit i lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për shfrytëzim prostitucioni. Ai ka qenë më herët subjekt i OFL-së teksa ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë.

Megaoperacioni i sotëm është vijim i atij të para disa muajve në det, ku në një velierë u kap një ton kanabis që po tentohej të trafikohej.

Urdhër-arrestet vijnë në kuadër të operacionit policor të koduar “Flakë në Det”, i cili ishte një bashkëpunim me DEA amerikane dhe  Guardia di Financa. Grupi u godit në momentin kur po bëhej shkëmbimi i drogës.

Trafikantët, kur konstatuan forcat e policisë, i vendosën zjarrin velierës në mes të detit. Policia arrestoi 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas në operacionin e para disa muajve në mes të detit.

Çela ka dalë nga burgu disa vite më parë me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Megaoperacioni i sotëm është vijim i atij të para disa muajve në det, ku në një velierë u kap një ton kanabis që po tentohej të trafikohej.

Ndërkohë, hetimet po vijojnë ende edhe për sekuestrimin e pasurive të patundshme të personave të përfshirë në këtë trafik droge.

 

Lini një Përgjigje