Prokurorja Elsa Kareçi konfirmohet mes lotëve në detyrë

18 Korrik 2022, 11:44Kronika TEMA

Prokurorja Elsa Kareçi konfirmohet mes lotëve në detyrë

Prokurorja e Tiranës, Elsa Kareçi e priti me emocione dhe lot vendimin e konfirmimit të saj në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të hënën. Vendimi u shpall nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu.

Procesi i vetingut për prokuroren Kareçi u fokusua kryesisht te pasuritë dhe transaksionet e biznesit të ish-bashkëjetuesit të saj, për të cilën KPK tha se kishte balancë negative në vlerën e 12 milionë lekëve.

Kareçi u mbrojt me argumentin se ajo nuk kishte lidhje me pasuritë e ish-bashkëjetuesit dhe se komunikimi i keq me të pas ndarjes e kishte penguar që të gjente informacion. Prokurorja shtoi gjithashtu se pas ndarjes, ajo kishte marrë vetëm makinën nga ish-bashkëjetuesi. Ajo tha se jetonte me qira dhe se kujdesej vetë për fëmijët.

Kareçit nuk iu gjetën probleme të figurës dhe në kriterin e profesionalizmit asaj iu kërkuan shpjegime vetëm sa i përket një hetimi.

Elsa Kareçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Kavajës. Ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës prej vitit 2007.

1 Komente

  1. F
    Firmat e themeluesve të PD-së 1991

    Një e papunë më pakë, gjë pozitive ku shikon në bashki gra të moshuara në pastrim dhe shitëse të njoma në dyqane private të kryeqitetit. Djemt luftojn në BE për tu pasuruar ndërsa gocat mbajn Shqipërin. Se mos na turpërojn.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje