Tiranë, plagosi aksidentalisht me armë shokun e tij, arrestohet 19-vjeçari dhe 2 shokët e tyre

24 Maj 2026, 10:15Kronika TEMA
Tiranë, plagosi aksidentalisht me armë shokun e tij, arrestohet

Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij 17-vjeçar, teksa po i tregonte pistoletën në banesë. Sipas policisë, i riu e ka shkrepur armën duke menduar se nuk kishte fishek, ndërsa 17-vjeçari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në pranga janë vënë edhe dy shokë të tyre, të akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa arma është sekuestruar.

Njoftimi i plotë i policisë:

Plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij, vihet në pranga 19-vjeçari.

Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, shokë të tyre.

Sekuestrohet arma e zjarrit që 19-vjeçari e posedonte pa leje.

Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore:

-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje