Ndërsa shkencëtarët po përgatiten për shpalljet e Çmimeve Nobel javën e ardhshme, një nga institucionet që i ndan këto çmime paralajmëron se liria akademike është në rrezik në SHBA, pasi ndërhyrjet politike mund të kenë pasoja negative afatgjata.
Ylva Engstrom, nënkryetare e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila jep çmimet për kimi, fizikë dhe ekonomi, tha se ndryshimet e administratës Trump ishin të panevojshme.
“Sigurisht që është shumë shqetësuese ajo që po ndodh, sepse shohim që liria akademike po degradon dhe nuk respektohet. Kjo është shumë shqetësuese. Liria akademike është shumë e rëndësishme për shoqëritë demokratike, por edhe për shoqërinë në tërësi”, tha Ylva Engstrom.
Gjatë marrjes së presidencës në janar të vitit të kaluar, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka propozuar një sërë ndryshimesh në fusha të ndryshme, të cilat janë pritur edhe me kritika.
Trump ka propozuar shkurtime të thella në buxhetin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, financuesi më i madh në botë i kërkimit biomjekësor dhe dëshiron të shpërbëjë Departamentin e Arsimit, me qëllim që të zvogëlojë rolin e qeverisë federale në arsim në favor të më shumë kontrolli nga shtetet.
“Është e rëndësishme të kesh gjykata të pavarura, media të pavarura dhe akademi e universitete të pavarura. Pra, është një nga gurët e themelit të një shoqërie demokratike. Por sigurisht, edhe kur pengohet kërkimi dhe arsimi, ne nuk po përfitojmë nga avantazhet që kërkimi mund t’i japë shoqërisë, kjo bllokon zhvillimin e kërkimit dhe inovacionit”, shtoi Ylva Engstrom.
Nga ana tjetër, administrate Trump ka mohuar se ka CENUAR lirinë akademike, duke thënë se masat e saj do të ulin demet dhe do të promovojnë inovacionin shkencor në SHBA.
CeremoniA e ndarjes së çmimeve Nobel do të mbahet më 6 tetor, duke filluar me çmimin për mjekësi dhe duke përfunduar me zbulimin e fituesve në ekonomi një javë më vonë.
Çmimi Nobel, i konsideruar çmimi më prestigjioz në botë, lakomohet nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Trump vazhdimisht ka pohuar se meriton çmimin Nobel për Paqen për zgjidhjen e disa konflikteve në mbarë botën. Madje ai, në mënyrë intensive ka përdorur pozicionin e tij si president për të argumentuar se duhet ta fitojë çmimin, përfshirë edhe kur iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ndërkohë, kritikët kanë pohuar se presidenti amerikan nuk ka gjasa të fitojë çmimin Nobel, për shkak se nuk i ka bërë ato që thotë.
Klan News
Lini një Përgjigje