Absurditeti i kohës së shkuar/ Ngjitet në skenën e Teatrit Migjeni shfaqja bazuar në romanin e A.Markarian

7 Nëntor 2025, 11:44Kulturë TEMA
Absurditeti i kohës së shkuar/ Ngjitet në skenën e Teatrit

Teatri “Migjeni” në Shkodër mirëpriti shfaqjen “15 Ditë Prilli”, me regji të Driada Dervishit, bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian, një nga autoret dhe aktoret më të mira shqiptare bashkëkohore.

Një vepër që ndërthur humorin e zi me tragjikomiken, duke sjellë në skenë absurditetin e një kohe të shkuar, por ende të gjallë në kujtesën kolektive. Diçka e veçantë për të gjithë spektatorët shkodranë që edhe këtë herë ishin të shumtë dhe nuk i munguan teatrit.

“Secili nga ne, me një ndjeshmëri minimale, gjen shumë gjëra për të thënë dhe për të folur. Ana tjetër besoj që është shumë e vetëkuptueshme. Janë 15 ditët e fundit të rënies së një sistemi, 15 ditët që flasin për rënien e një diktatori, dhe shumë njerëz nuk i kanë bërë ende shumë mirë llogaritë me të shkuarën. Jemi vendi i vetëm që nuk arriti të dënojë ata të cilët kanë burgosur, kanë dërguar në pushkatim dhe kanë censuruar një popull të tërë për një periudhë shumë të gjatë kohe. Mendoj që është një pjesë e historisë së popullit tonë për të cilën flasim shumë pak, dhe nëse duhet që të mos heshtim, teatri është një medium që të fton në bisedim. Mendoj që shfaqje të tilla ka shumë nevojë brezi i ri, por edhe brezat e shkuar, në një formë nderimi, dhe brezi i ri për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe pse Shqipëria vijon ende në një tranzicion kaq të gjatë.” – shprehet Driada Dervishi, regjisore.

Aktorët e njohur shqiptarë si Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj dhe Romir Zalla sjellin mbi 50 personazhe, duke kaluar me mjeshtëri nga tragjikja në komiken, nga e shkuara në të tashmen. Një teknikë disi eksperimentale kjo që zakonisht përdoret në letërsi por e sjellë me sukses dhe në teatër.

“Shfaqje të tilla duhet të trajtohen më tepër në teatër. Është një shfaqje që flet dhe që rikujton një kohë të cilën nuk duam që të na kthehet më. Duam të ecim përpara, të shohim drejt një drite krejt tjetër. Unë nuk e di, por pata përshtypjen që publiku i Shkodrës e përjetoi shumë mirë, sepse pati heshtje, pati qetësi dhe e përthithi shfaqjen. Kjo do të thotë që shfaqja ka bërë efektin e vet. Faleminderit juve, popullit të Shkodrës, ju dua fort të gjithëve.” – shprehet Yllka Mujo, aktore.

“Gjithmonë, sa herë vij në Shkodër, është një kënaqësi e veçantë. Publiku është shumë i vëmendshëm. Publiku është i mençur, gjithmonë publiku është i tillë, por në Shkodër vërehet gjithmonë një përqendrim shumë i madh dhe ovacione në përfundim të shfaqjes, që do të thotë që e kanë shijuar, e kanë kuptuar dhe më vjen shumë mirë për këtë.” – shprehet Alesia Xhemalaj, aktore.

Publiku shkodran e priti me shumë emocion këtë shfaqje, e cila u mbyll mes duartrokitjeve të gjata dhe emocioneve të forta për të gjithë të pranishmit. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje