Në Qendrën e Artit “Agimi” nisi mbrëmë shfaqja e filmave spanjollë, në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle që po zhvillohet në kryeqytet, një mbrëmje kjo e mbushur me argëtim dhe me kulturë, por dhe promovime librash dhe balet.
Filmi “En los márgenes”, i cili çeli këtë aktivitet, solli një udhëtim të fuqishëm emocional për të gjithë të pranishmit në sallë që patën fatin ta ndjekin këtë shfaqje.
Regjisori Juan Diego Botto shpalosi me ndjeshmëri dhe thellësi pasojat e krizës ekonomike në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm. Filmi ndjek historitë e tre personazheve që përballen me sfida të mëdha, duke u përpjekur të mbijetojnë në një botë të mbushur me tension, pasiguri dhe shpresë. “En los márgenes” ishte një moment i veçantë që solli publikun më afër realitetit të përditshëm të tyre, përmes artit të kinemasë spanjolle.
Shfaqjet e filmave do të vazhdojnë edhe sot, duke i dhënë publikut kryeqytetas mundësinë të shohë histori të jashtëzakonshme e të përjetojë emocione të forta nga kineastët spanjollë.
Dje në Qendrën e Artit “Agimi” u shfaq filmi “Cien años de perdón”, një thriller i mbushur me emocion dhe intrigë. Ndërsa sot (6 tetor) do të shfaqet filmi “Ventajas de viajar en tren”, një rrëfim i lehtë dhe emocionues, që eksploron marrëdhëniet njerëzore dhe momentet e papritura të jetës. A.K./TemA
Lini një Përgjigje