Në mjediset e Bibliotekës “Thimi Mitko”, në Korçë, u çel ekspozita e piktorit Niko Mosko, i cili solli për publikun korçar një mozaik emocionesh dhe ngjyrash që të jep mundësinë të ëndërrosh dhe që e bëri të mërkurën më të bukur për të gjithë të pranishmit.
Në këtë ekspozitë, autori prezantoi një përzgjedhje të gjerë veprash me motive të natyrës, nënës, luleve, detit dhe jetës së përditshme, duke reflektuar ndjeshmërinë dhe shprehësinë e tij artistike.
Çelja e kësaj ekspozite në qytetin e tij të origjinës, ishte emocionuese dhe për autorin i cili jeton në Spanjë dhe ka pasur një pasion për pikturën që kur ishte i vogël.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo uroi piktorin Niko Mosko për siç u shpreh ai, paraqitjen mbresëlënëse në emër të të gjithë qytetarëve të Korçës.
Niko Mosko lindi në Korçë, në 1972. Prej vitit 2003 jeton dhe punon në Palma de Mallorca ku vizioni i detit me kontrastet e tij, bluja e ndezur dhe lëvizja e tij e përjetshme, shenjon krijimtarinë e tij. Mosko ka marrë pjesë në ekspozita e konkurse si dhe ka fitur çmime të shumta anembanë Spanjës, në Greqi, si dhe në evente të tjera të mbajtura në Korçë e Tiranë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor për të gjithë ato që do të duan ta vizitojnë këtë ekspozitë kaq të veçantë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje