Gonxhja: do të restaurohen shumë monumente në Gjirokastër

7 Nëntor 2025, 09:22Kulturë TEMA
Gonxhja: do të restaurohen shumë monumente në Gjirokastër

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka fuqizuar punën për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore e historike të zonës së Gjirokastrës e cila më në fund është rikthyer në vëmendjen e institucioneve shtetërore.

Në kuadër të përgatitjes së një aplikimi të përbashkët IPA, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit koordinoi hartimin e një strategjie të integruar që synon shpëtimin, restaurimin dhe rijetësimin e disa monumenteve, përfshirë projektet e Manastirit të Ungjillizimit në Vanistër, Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në Raven dhe monumente të tjera me vlera të veçanta në Goranxi”.

Aplikimi vjen si bashkëpunim me bashkinë Dropull, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturës, ekipin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, si dhe Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetin të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të japin një dorë në përfundimin e këtij procesi.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja u shpreh se do të zgjerohet lista e pasurive kulturore përmes shpalljes së interesit kulturor për objekte që ruajnë traditat dhe teknikat karakteristike të zonës, si Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve mbi fshatin Derviçan, e cila do të përfshihet në vijim në procesin e restaurimit.

Gonxhja informoi se “gjatë periudhës 2024-2025 kemi nisur dhe kryer ndërhyrje pastrimi, mirëmbajtje e restaurimi, në numër e vlerë investimi si kurrë më parë, por inventari e pasuria e jashtëzakonshme e zonës, si dhe urgjenca e nevojës për më shumë fonde e projekte kërkon sinergji e financime alternative të rëndësishme”. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje