Akademia e Shkencave dhe Akademia gjermane Leopoldina, konferencë ndërkombëtare në Tiranë

20 Shtator 2023, 11:34Kulturë TEMA

Akademia e Shkencave dhe Akademia gjermane Leopoldina, konferencë

Ka nisur punimet konferenca ndërkombëtare, e 7-ta nga radha, që mbahet në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, mbi të ardhmen e shkencës dhe arsimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, konferencë që bashkorganizohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në fjalën e hapjes, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, u shpreh se kjo konferencë mbahet një muaj përpara organizimit nga BE-ja të Samitit të 9-të të Ballkanit Perëndimor po në Tiranë.

“Kjo përkatësi domethënëse na mundëson për t’i kërkuar politikës së lartë europiane e qeverive përkatëse kthimin e vëmendjes së veçantë në gjithë rajonin kundrejt akademive, institucioneve dhe elitave arsimore-shkencore, për ta konkretizuar këtë me një mbështetje në rritje në të gjitha planet: politike e financiare, për shkencën, arsimin dhe kërkimin shkencor në rajon”, është shprehur kryeakademiku Gjinushi.

Akad. Gjinushi ka vënë theksin tek investimet në shkencë nëpërmjet forcimit e zgjerimit të kapaciteteve njerëzore e logjistike, me synim ngritjen e nivelit të institucioneve arsimore e kërkimore në atë të simotrave evropiane. Kjo, sipas tij do të bënte që më së pari inteligjenca e brezat e rinj të kërkuesve e specialistëve të integroheshin në Europë, të gëzonin të njëjtat mundësi e standarde, jo individualisht por institucionalisht, jo nëpërmjet emigrimit por në vendin e vet.

 

Lini një Përgjigje