Apostrof #13/ Arti i brishtë i prodhimit të dëshirave: Reklama, propaganda & iluzioni i zgjedhjes

13 Prill 2025, 18:14Kulturë TEMA
Apostrof #13/ Arti i brishtë i prodhimit të dëshirave: Reklama,

A e dimë vërtet çfarë duam? Apo dëshira jonë është formësuar diku tjetër nga një zë i butë, një ngjyrë e ngrohtë, një mesazh i përsëritur me kujdes?

Në një botë të mbingarkuar me informacion, nuk është më e vështirë të gjesh një zë, por të dish cilin t’i besosh. Në episodin e ri të Apostrof, flasim me Elvin Nurin për reklamën, propagandën dhe për artin e brishtë të prodhimit të dëshirave — një proces i rafinuar, i heshtur, i përsosur për kohën ku ndjesia dhe perceptimi janë më të rëndësishme se përmbajtja.

Propaganda, në formën e saj moderne, nuk na thërret më me zëra të ashpër apo me slogane revolucinare. Ajo përdor emocionin, kujdes estetik dhe tone të moderuara. E njëjta gjë vlen edhe për reklamën — e cila, siç diskutojmë në episod, nuk shet më produkte, por mënyra të të jetuarit. Dhe në këtë pikë, kufiri midis tyre bëhet i paqartë.

Nuri thekson se sot frika është kthyer në mjetin më të efektshëm të mobilizimit publik. Ajo të sjell në pushtet. Të mban aty. Ndaj dhe mesazhet që konsumojmë gjithnjë e më shpesh janë të përqendruara jo në shpresë, por në rrezik, jo në ndërtim, por në kërcënim.

Një tjetër temë që prekim në bisedë është thjeshtimi i qëllimshëm i realitetit. Në epokën e zhurmës dhe shpërqendrimit, publiku nuk ka kohë për kompleksitet. Dhe atëherë, problemi thjeshtohet në një fjali, dhe zgjidhja në një emër. Një lider. Një markë. Një “shpëtimtar”.

A kemi mësuar të jetojmë me një narrativë të prodhuar për ne — një realitet i ndërtuar jo mbi çfarë ndodh, por mbi çfarë na duket më e lehtë për t’u përtypur?

Lini një Përgjigje