Festivali "Reja" ndez kryeqytetin!

27 Maj 2026, 11:04Kulturë TEMA
Festivali "Reja" ndez kryeqytetin!

Festivali Reja në edicionin e tij të 10-të e ka ndezur atmosferën në lulishten e instalacionit prej nga merr emrin festivali.

Mbrëmjen e djeshme Festivali i Resë solli 3 performanca. Mbrëmja nisi rreth orës 19:00 me Public Albanian Dance Workshop nga Tomorr Kokona, i cili u mësoi turistëve valle tradicionale shqiptare.

Më pas erdhi performanca e Laurence Yadi, balerinë dhe koreografe franceze e cila performon e vetme në skenë. Çdo lëvizje luan rolin e saj të gjallë dhe pulsues ku qarkullojnë tensionet dhe nuancat, duke e shndërruar trupin në një këndim të vërtetë melodik.

Laurence Yadi është e njohur për zhvillimin e stilit të vallëzimit Multi styles FuittFuitt, të frymëzuar nga muzika arabe. Në vitin 2003, ajo bashkëthemeloi Kompaninë 7273 me Nicolas Cantillon, dhe krijimet e tyre janë vlerësuar në të gjithë botën.

Pas kësaj performance Reja u transformua sërish nën ritmet e Orkestrës Rinore të Qendrës Kulturore Kumanovë. “Balcan Sounds Feast” erdhi në bahçen e Resë, si një vepër kushtuar traditës ballkanase. Kjo orkestër e re dhe energjike është themeluar në vitin 2020 pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës “Trajko Prokopiev”, nën drejtimin artistik të Aleksandar Mitrichki.

E përbërë nga mbi 15 muzikantë të rinj, orkestra dallohet për repertorin e pasur që përfshin këngë të njohura maqedonase, rock, “evergreens” dhe muzikë tradicionale, duke ndërtuar një përvojë muzikore që ndërthur zhanret dhe kulturat me energji të freskët.

Aktivitetet e “Resë” do të vijojnë deri më datë 31 maj. Cloud Fest 10 është projekt i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, që do të vijojë me performanca solo, koncerte narrative, orkestrime festive dhe energji bashkëkohore. I lindur si një ide dhe hapësirë për ta sjellë artin më pranë qytetarëve, Cloud Fest është rritur vit pas viti si një nga ngjarjet më të dashura kulturore të Tiranës. A.K./TemA

Lini një Përgjigje