Në librin e gjashtë të Eneidës – i cili më pas do të merrej për model nga Dantja, për Komedinë Hyjnore – e shohim Enean të shkojë në Tempullin e Apollonit, diku afër Napolit dhe atje të takojë Sibylën, një priftëreshë; së cilës i kërkon nëse mund ta ndihmojë që të zbresë në Dis, për t’u takuar me shpirtin e të jatit.
Pasi zbret në mbretërinë e nëndheshme, Enea dëgjon të zërat, të qarat dhe vajtimet e hijeve të foshnjave, “quos dulcis vitae exsortes, et ab ubere raptos, Abstulit atra dies, et funere mersit acerbo” (të rrëmbyer nga dita e zezë, të privuar nga jeta e ëmbël, të shkulur prej gjirit, të mbytur në vdekje të hidhur).
Duke u ndalur te kjo skenë, Pascal Quignard1 shkruan se për Virgjilin vdekjet e foshnjave ishin ana-kronike, ose të parakohshme, dhe pastaj komenton se vetë ky koncept ka diçka absurde në vetvete, meqë parakupton sikur ora e vdekjes së dikujt është e paracaktuar tashmë.
Vdekje e parakohshme – një shprehje e dëgjuar shpesh dhe po aq shpesh e abuzuar, që tradhton vizionin sipas të cilit të gjithë ne kemi ardhur në botë në mos për të kryer një mision të fismë, së paku për të jetuar deri sa të na “vijë koha”. Ia pranojmë konceptin e nënvendosur, pa çka se logjika çalon.
Përndryshe, do të thoshim dot vallë për dikë se “vdiq në momentin e duhur” – kur t’i binte kosa në kulmin e shkëlqimit artistik ose dituror; a mu kur i përhiheshin shenjat e para të mjegullimit, pas një jete të skalitur në botën e mendimit dhe të ideve?
Dhe aq më pak do të guxonim, sikur në rrjedhën e arsyetimit që fillon me vdekjen e parakohshme, të rroknim herët a vonë nocionin tjetër, pothuajse simetrik, rreth atyre që duhej të kishin vdekur me kohë, por që ende janë gjallë dhe që veshi i stërvitur i dëgjon ndonjëherë të vajtojnë si fëmijët në brigjet e Acheronit; njerëz që vdekja i ka harruar ose që refuzon a druhet t’u afrohet; ose edhe që kur vdesin, të na thuhet se ishte kjo një vdekje “e vonuar.” Jo, nuk do të guxonim – përveçse si mallkim.
Por absurditeti, për të cilin flet Quignard-i, i referohet edhe kundërvënies së kësaj vdekjeje para kohe me vetë plotfuqishmërinë e Fatit; ose Providencës së botës klasike; meqë, po të pranojmë se data e vdekjes së dikujt është parathënë tashmë, atëherë cila forcë, cila ndërhyrje e mbinatyrshme, cila sfidë ndaj Fatit e shkakton vdekjen e parakohshme? Dhe nëse një forcë e tillë vërtet ekziston, atëherë pse të mos mendojmë se ajo mund edhe ta vonojë vdekjen, me po aq shpengim sa ç’ua dërgon ndonjëherë të miturve?
Quignard-i, te ky pasazh, shton edhe se “Edhe sikur të gjitha vdekjet e njerëzve të lënë diçka përgjysmë, diçka të pambaruar, ka disa të vdekur që janë më të pambaruar se të tjerët. Që këtej, jeta e lënë në mes sillet rotull në jetën e të gjallëve si një energji e papërdorur, duke pritur për dikë që ta kapë dhe ta ezaurojë.”
Këta janë të vdekurit që nuk kanë vdekur krejt, përfundon ai; ata që na vizitojnë në ëndrrat dhe që përsëriten (riprodhohen) me çdo vendim që marrim.
Le ta shtjellojmë pra, këtë fill arsyetimi poetik; duke supozuar tani se ata të tjerët, ata që duhej të kishin vdekur por që kushedi pse janë ende gjallë, duke ardhur rrotull si zombie në korridoret e ditëve, në pritje për një shenjë, një isharet, një sinjal se gabimi së shpejti do të ndreqet; këta që e kanë vdekjen brenda, prej muajsh ndoshta vitesh e kanë shpenzuar hisen e tyre të jetës.
Imazh i trishtuar, në mos deri i pashpirt; por i vetmi që të lejon t’i japësh kuptim ngushëllues, sado pak domethënës, vdekjes së një fëmije. Ditët e mbetura pa përdorur, për shkak të kësaj katastrofe, u shpërndahen falas të tjerëve; si ndihmat mëshirëplota që u shpërndahen atyre që nuk u ka mbetur gjë me çfarë të jetojnë.
Të lashtët e kishin një arsye të thellë, kur flisnin për plotfuqishmërinë e Fatit, të tillë që ndonjëherë, po t’i besohet Homerit, as Zotat nuk e kundërshtonin dot; sepse e kundërta është pambarimisht më e dhimbshme – një forcë eprore, që bashkëjeton me Fatin dhe që luan ndonjëherë, shpeshherë, me pritshmëritë dhe parashikimet e orakujve dhe hartat yjore të astrologëve; një farë Freri i Fatit, nëse mund ta quash kështu; fajtore për të gjithë foshnjat që “i shkulen gjirit dhe i rrëmbehen jetës së ëmbël”; por edhe për ata të tjerët, që kanë vdekur tashmë dhe nuk e dinë.
© 2015-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
1The Silent Crossing, Seagull Books 2013, përkthyer nga Chris Turner; titulli origjinal Dernier royaume, VI : La barque silencieuse.
Lini një Përgjigje