“Homeward” sjell art në Shkodër - RTSH Shkodra, një nga hapësirat kryesore të ekspozitës

12 Shtator 2025, 16:09Kulturë TEMA
“Homeward” sjell art në Shkodër - RTSH Shkodra, një

Këtë të shtunë (13 shtator) Shkodra do të mirëpresë ekspozitën “Homeward”, një projekt i Fondacionit “Art House” që shënon edhe 10-vjetorin e krijimit të tij.

Aktivitetet do të zhvillohen në disa institucione kulturore të qytetit, duke e kthyer fundjavën në një festë arti dhe reflektimi.

Organizatorja Tea Paci, në një prononcim për mediat, thekson se programi i përgatitur synon të sjellë një eksperiencë unike për publikun, duke përfshirë ekspozita të shpërndara në disa hapësira kulturore.

“Mënyra se si kemi menduar me festu është nëpërmjet një ekspozite. Të thërrasim të gjithë artistë që gjithë këta vite janë bashkuar në këtë udhëtim të shtëpisë së artit. Me datën 13 shtator do të jetë hapja e ekspozitës. Ka titullin “Homeward”, një fjalë që flet për rikthimin në shtëpi, pra për të gjithë artistët, Shkodra ka qenë një moment një shpi. Do kemi artistë shumica shqiptarë dhe prej Kosove, por kemi edhe një grup artistësh nga Ballkani“, tha organizatorja Tea Paci.

Mjediset e RTSH Shkodra do të përbëjnë një nga hapësirat kryesore të ekspozitës.

“Hapësira e Shkodrës është shumë e bukur, ka karakter, është një hapësirë që ka një histori, që është gjynah mos me e përdor këtë histori. Pra nga hera e parë ka qenë nga ana historike, estetike që kemi zgjedh hapësirën nga ana tjetër, radio është vendi ku mesazhet çohen komunitetit”, theksoi ajo.

Ekspozita do të çelet më 13 shtator në orën 18:00 dhe është e hapur për të gjithë dashamirësit e artit, duke sjellë në Shkodër një fundjavë plot ngjyra dhe kreativitet. - RTSH-

Lini një Përgjigje