Komedia "Nata e Dymbëdhjetë" e Shekspirit, Iliria dhe Shqipëria në imaginatën Angleze

31 Korrik 2025, 19:20Kulturë TEMA

Komedia "Nata e Dymbëdhjetë" e Shekspirit, Iliria dhe

Nga Dorian Koçi

Komedija “Nata e Dymbëdhjetë” (Twelfth Night) nga William Shakespeare është një nga veprat më poetike, më të ndërlikuara dhe më të gjalla të dramaturgjisë së tij, e cila, përveç mesazheve universale mbi identitetin, dashurinë dhe komedinë e ngatërrimeve, mbart edhe një referencë gjeografike që për shqiptarët është veçanërisht e rëndësishme: Iliria.

Në aktin e parë të veprës, personazhet zbarkojnë në brigjet e Ilirisë, një vend imagjinar për lexuesin anglez të shekullit XVI, por një realitet i lashtë për historinë e Ballkanit. Shakespeare e vendos komedinë në Iliri – një zgjedhje që i ka bërë studiuesit të mendojnë për mënyrën se si Iliria dhe shqiptarët janë përfytyruar nga Europa Perëndimore, sidomos nga Anglia Elizabetiane. Në një periudhë kur gjeografia e Ballkanit ishte ende pak e njohur, emra si Illyria përfaqësonin për publikun anglez një përzierje ekzotizmi, misteri dhe lashtësie.

Kjo referencë gjeografike, në dukje sipërfaqësore, ka mbetur për një kohë të gjatë e lidhur me një lloj imagjinate kulturore për Ilirinë dhe më vonë edhe për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, “Iliria” e Shakespeare-it është më shumë një metaforë për një hapësirë të paqëndrueshme dhe poetike, sesa një vend me kufij të saktë. Por me kalimin e shekujve, kur Shqipëria u bë më e njohur për botën perëndimore, sidomos pas rilindjes së interesit për Ballkanin në shekullin XIX, shumë regjisorë dhe interpretime skenike filluan ta lidhin më konkretisht Ilirinë me Shqipërinë e Jugut.

Kjo lidhje mori formë skenike në mënyrë të dukshme në rikthimet e komedisë në skenën angleze në shekullin XX, ku disa trupa teatrale eksperimentuan me përdorimin e kostumeve tradicionale shqiptare, përfshirë fustanellën, si pjesë e përfaqësimit të “Ilirisë”. Fustanella – një veshje karakteristike për burrat në jug të Shqipërisë – u bë një simbol vizual për të shquar dhe përforcuar identitetin “ilirian” të vendit të ngjarjeve në komedi. Ky zgjedhim stilistik ishte pjesë e një përpjekjeje për të përkthyer abstraksionin gjeografik të Shakespeare-it në diçka të prekshme dhe historikisht të identifikueshme për publikun modern.

Një nga shembujt më të hershëm dhe më të rëndësishëm të kësaj ndërthurjeje mes imagjinatës angleze dhe realitetit shqiptar është portretizimi i Ellen Terry (1847–1928) si Viola, në një produksion të shekullit XIX. Në këtë interpretim, Terry shfaqet e veshur me një kostum që përmban elemente orientale dhe ballkanike, duke e kthyer figurën e Cesarios (identiteti i rremë i Violës) në një mishërim të Ilirisë së romantizuar. Në një tjetër imazh të ruajtur nga Mary Evans Picture Library, ku aktorja që  interpreton Violën në Aktin III, Skena I – pikërisht në çastin kur, e maskuar si Cesario, pa e kuptuar i shpreh ndjenjat Olivia-s në kopshtin e saj – vërehen qartazi ndikime nga veshjet tradicionale të Ballkanit. Ky vizual është një dëshmi e fuqishme e mënyrës se si imagjinata britanike e periudhës viktoriane ndërthuri elementë shqiptarë dhe ballkanikë në përfytyrimin dhe portretizimin skenik të Ilirisë. Veshjet e zgjedhura për personazhin përçojnë një frymë ekzotike dhe juglindore-europiane, duke reflektuar atë Iliri që Shakespeare kishte vendosur në kufijtë e realitetit historik dhe fantazisë letrare.

Fotografia historike – titulluar “Twelfth Night, Ellen Terry as Viola, 19th Century” – është pjesë e koleksionit të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley dhe është e aksesueshme përmes Shakespeare Digital Archive. Brenda saj shohim një përpjekje për të dhënë një atmosferë autentike për “vendin e çuditshëm” ku zhvillohen ngjarjet e komedisë. Përdorimi i elementeve shqiptare në veshje nuk ishte i rastësishëm, por përfaqësonte një formë të identifikimit të Ilirisë me Shqipërinë moderne, duke ndihmuar në krijimin e një ndërthurjeje kulturore që do të mbetej edhe në skenat e mëvonshme të teatrit britanik.

Kjo ndërthurje nuk mbeti vetëm një zgjedhje e regjisorëve të shekullit XIX apo XX, por pasqyroi gjithashtu një transformim të perceptimit të Shqipërisë në sytë e perëndimit. Nga një vend i mjegullt në hartat e shekullit XVI, Shqipëria u shndërrua në një vend me identitet kulturor të dallueshëm, të mishëruar në simbolet vizuale si veshjet popullore dhe format skenike të paraqitjes.

Në një farë mënyre, rikthimi i “Natës së Dymbëdhjetë” me kostumet shqiptare në skenat britanike ishte një akt i heshtur “rilindjeje” për emrin Iliri – që u kthye nga një hapësirë imagjinare në një referencë ndaj një populli dhe një kulture të gjallë. Shqipëria u bë, përmes kësaj alegorie skenike, një pasardhëse e Ilirisë, jo vetëm në letërsi, por edhe në ndërgjegjen kulturore të Europës. Shakespeare, pa e ditur ndoshta, krijoi një urë për të cilën shqiptarët e shekujve të mëvonshëm do të kalonin për të kërkuar vendin e tyre në hartën e trashëgimisë europiane.

1 Komente

  1. U
    UT

    Matrapapapupa matrapapapa,çorapet kryq Malvolio dhe të verdha.Një realizim i shkelqyer i TK me artistë të vërtetë.Robert Ndrenika,Pavlina Mani,Ahmet Pasha,Roza Anagnosti,Yllka Mujo,Agim Qirjaqi,Shkëlqim Basha,Fadil Kujovca,etj.Respekte për këta misionarë të shpirtit....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje

    Blog Tema