KOSOVA/ U çel në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozita e Gjelosh Gjokajt

17 Maj 2024, 11:09Kulturë TEMA
KOSOVA/ U çel në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës në mbrëmjen e së mërkurës ishte e mbushur në të gjitha anët. Hapja e ekspozitës ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” mbushi me figura të njohura oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, e më vonë edhe 2 katet në hapësirat e brendshme. Ekspozita me pikturat e Gjokajt, përjetime të cilat ai i jetësoi në letër, përcjellin gjithçka që atij i ka mbetur në kujtesë, përgjatë më shumë se 50 viteve të karrierës së tij.

Fuqinë e artit, siç e quajtën “Pablo Picasso i Ballkanit”,e ka përdorur për të thelluar ndjenjat e tij dhe për të bërë secilin prej nesh që del para pikturave, të fokusohemi si në një libër, pasi do shumë përqendrim për t’u kuptuar.

Ekspozita që u hap mbrëmë e do qëndrojë e hapur deri më 7 korrik, është dëshmi që artistët kanë fuqinë të jetojnë përgjithmonë, përmes veprave të tyre, e sidomos kur flasim për Gjelosh Gjokaj.

Ambasadori i ShBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shqipërisë Petrit Malaj, ambasadori i Malit të Zi Bernard Çobaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, janë vetëm disa nga figurat e njohura që ishin prezent në këtë natë, duke përfshirë edhe shumë artistë, politikanë e qytetarë që kishin ardhur për të parë veprat e Gjokajt.

Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2016. Ai është një ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, Gjokaj e ka zhvilluar karrierën edhe në Gjermani dhe Itali. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Kosovë si pedagog dhe themelues I shkollës së grafikës dhe si piktor.

Ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj”, u hap në nder të 90 vjetorit të lindjes së tij, me 25 veprat nga koleksioni privat i Sead Gjokaj, i cili është edhe familjar i artistit. Secila vepër mbante të shënuar vitin në të cilin është realizuar, duke filluar që nga viti 1961 e deri në vitin 2012.

Në fazat e hershme, ai krijonte piktura dhe grafika me tema dhe tipare narrative si piktura me figura pa identitet që ngjajnë në lodra fëmijësh, por që artisti i paraqet si të “mobilizuar” në falanga totalitare.

Kuratori Shkëlzen Maliqi ka shkruar se imazhet e artit të Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitet e 80ta, Gjokaj largohet nga imazhi përfaqësues për tu afruar asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”. Në veprat e viteve të 80ta, ai i shmanget tërësisht qasjes së ”pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj të cilës kishte qenë besnik për më shumë se tri dekada.


Disa prej pikturave ishin pa titull, por që nuk mungonte informacioni se kur ishin krijuar ato vepra.

“Djali me qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989, “Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami” ishin disa prej pikturave që kishin të vendosura edhe datën edhe titullin.

Hapja e ekspozitës që ishte e planifikuar të bëhej në orën 19:00, filloi me një fjalim hyrës nga zëvendës drejtoresha e Galerisë, Alisa Gojani-Berisha duke falënderuar të gjithë të pranishimit që ishin politikanë, ambasadorë, artistë, profesorë e akademikë. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje