Kush e tradhëtoi Rushdie?

27 Gusht 2022, 12:37Kulturë TEMA

Kush e tradhëtoi Rushdie?

Pak u mobilizuan dhe disa e sulmuan. “Vargjet” e dështimit të intelektualëve (në Itali pati vetëm heshtje).

Salman Rushdie zuri vend në shërbimin funebër në kujtim të Bruce Chatwin në një kishë greko – ortodokse në Bayswater. Ishte e gjithë literary London. Rushdie ishte ulur përkrah Martin Amis. “Jemi të preokupuar për ty”, i tha Amis. “Jam i preokupuar për vete”, ju përgjigj Rushdie. I ulur pas tij ishte shkrimtari Paul Theroux. “Do të jemi këtu për ty javën tjetër, Salman”, i tha Theroux, duke nënqeshur. Shumë qeshën, pak e mbrojtën, disa e sulmuan. Motivin e ka shpjeguar Bruce Fudge në një artikull për “Aeon”, “Islam after Salman”. “Askush nuk do të kishte sot këllqe t’i shkruante “Vargjet satanike”. Tre dekada më pas, romani sërish rishtypet dhe është i disponueshëm. Nëse beteja e “Vargjeve” është fituar, një luftë më e rëndësishme është humbur. Kush do të guxonte sot të shkruante një roman provokator për origjinën e islamit?”. Sot janë të gjithë Rushdie, siç qenë më 8 janar 2015 të gjithë Charlie. Por kur Khomeini lançoi fetvanë kundër shkrimtarit, siç kur Charlie hyri në klandestinitet prej kërcënimeve me vdekje (midis bombave kundër redaksisë dhe proceseve për “islamofobi”), shumë pak qenë Rushdie dhe Charlie. Leksioni i aferës Rushdie është i keq. Për ta thënë me André Glucksmann, “pak mbetën të trazuar përveç ndonjë artisti, gazetari apo letrari”. U lëkund botimi. “Viking”, që botoi librin, shpenzoi 3 milion dollarë në siguri vetëm në gjysmën e parë të 1989. U ngrit vetëm një herë, kur tërhoqi dhe dërgoi në zjarr një botim xhepi të “Vargjeve”. Vendosmëria e drejtuesve të kompanisë për ta çuar përpara punën e tyre dhe të mos i cedonte asnjë forme frike i ka bërë heronjtë e pakët të kësaj sage.

“Presses de la Cité” në Paris kishte një lloj eskorte policie dhe shufra metalike nëpër dritare. Shtëpia botuese e hoqi targën prej bronzi në ndërtesë. Disa botues, si ai grek, e shtynë botimin në kohë të papërcaktuar, duke e fshirë librin. Në Hollandë, shtëpia botuese “Veen” njoftoi se do të “konsultohej” me organizatat islamike. Në Francë, botuesi ka hezituar kaq gjatë sa që Jean-Edern Hallier, një shkrimtar satirik, ka botuar një edicion pirat. Kur Christian Bourgois e botoi romanin, e bëri pa e promovuar apo premtuar (siç është zakoni) t’i kthente librarive kopjet e pashitura. Dakord me përkthyesin, Bourgois vendosi se ky i fundit do të përdorte një pseudonim. Jo një të çfarëdoshëm: Alcofribas Nasier, anagramë e shpikur nga Rabelais për “Pantagruel dhe Gargantua”. William Nygaard është shefi i shtëpisë më të madhe botuese norvegjeze, “Aschehoug”. E qëlluan tre herë me pistoletë jashtë shtëpie, në periferinë e Oslos. Kryeministri norvegjez nuk i dërgoi asnjë mesazh. Në Shtetet e Bashkuara, në fillimet e marsit, FBI u informua për 78 kërcënime ndaj librarive, vetëm një pjesë e vogël e numrit total. Vetëm “Waldenbooks” ka marrë 40 kërcënime anonime; “B. Dalton” 30 në më pak se 3 orë. Zinxhirët e mëdhenj – “Waldenbooks”, “B. Dalton” dhe “Barnes & Noble” në Shtetet e Bashkuara, “Coles” në Kanada, “W. H. Smith” në Britani të Madhe, “Vroom en Dreesman” në Hollandë – e kanë tërhequr me shpejtësi librin.

Për të promovuar sigurinë në dyqane, American Booksellers Association krijoi një linjë direkte emergjence 24 orë në 24 orë. Canadian Booksellers Association kërkoi që libri të mos vihej në vitrinë. Libraria e aeroportit Dulles në Uashington ekspozoi një kartelë: “Nuk i disponojmë “Vargjet””. Ndjekësit e ajatollahut i dhanë zjarrin një librarie në Padova dhe shkatërruan vitrinat e dy librarive që ekspozonin librin. Zjarre ju vunë dy librarive në Oslo. Në Londër sulmuan me molotov dy librari në Charing Cross (“Collets” dhe “Dillons”). “Liberty’s”, një magazinë e madhe lodnineze, u sulmua prej pranisë së Penguin brenda lokaleve. Ndërkohë, në “New York Times”, ish presidenti amerikan Jimmy Carter kapej me Rushdie pse kishte “shpifur për Muhamedin”. Bota e kinemasë qe zakonisht frikacake. E vlerësuar për interpretimin e Camille Claudel, Isabelle Adjani u ngjit në skenën e “Théatre de l’Empire” për të marrë César si artistja më e mirë, zgjodhi të lexojë një pjesë të Rushdie. “Shkruaj sepse mund të mbetemi të lirë”, tha artistja. Nuk kujtohen gjeste të tjera të ngjashme.

Më 22 shkurt 1989 E. L. Doctorow, Frances Fitzgerald, Gay Talese dhe të tjerë pohuan se Rushdie duhej mbrojtur dhe Susan Sontag tha se “integriteti ynë si komb është vënë në rrezik nga një sulm ndaj një shkrimtari si ndaj një petroliere”. Ralph Ellison përdori ironinë: “Një dënim me vdekje është një reçension në fakt i ashpër”. Christopher Hitchens tha se “rrezikojmë shumë duke ceduar edhe vetëm një gisht djegësve të librave dhe vrasësve”. Anthony Burgess, autori i “Portokalli mekanik”, qe më i miri: “Të urdhërosh djemtë e Profetit të indinjuar që të vrasin Rushdie dhe drejtorët e “Penguin Books” në truallin britanik është ekuivalente me një xhihad. Është një deklaratë lufte ndaj qytetarëve të një vendi të lirë dhe si e tillë është një akt politik. Duhet të kundërshtohet me një deklarim sfide po aq të pastër, edhe pse më pak vrastar”.

“Kam frikë se libri e ka kërkuar”. Ky qe komenti i Joseph Brodsky, që duke qenë se kishte pësuar censurën sovjetike, do të duhej të mendohej më mirë. I ndryshëm Adam Michnik nga Polonia: “Një botë ku një fanatik që qeveris Iranin mund të paguajë vrasës në të gjithë botën është një bot ku askush nuk është i sigurtë”. Apo Heberto Padilla, disidenti nga Kuba: “Është sikur të kesh të gjithë komunitetin intelektual botëror në një avion të kidnapuar”. Një tjetër azilant nga Perdja e Hekurt, Czeslaw Milosz, qe i qartë: “Kam arësye të veçanta për të mbrojtur të drejtat tuaja, zoti Rushdie. Librat e mi janë të ndaluar në shumë vende të botës apo janë censuruar. U jam mirënjohës njerëzve që në atë kohë i përmbaheshin lirisë së shprehjes dhe tani, radha ime, t’ju mbështes”. Norman Mailer qe një çikë retorik dhe egocentrik: “Është detyra jonë t’i deklarojmë botës se nëse do të vritet ndonjëherë, do të bëhet detyrimi ynë zënia e vendit të tij”. Në fjalët e Midge Decter, “disa prej luanëve të famshëm letrarë gëzoheshin në përpjekjet e tyre për ta ndarë rrezikun e dikujt tjetër”.

Royal Academy of Letters në Suedi, që jep Nobelin për Letërsinë, lëshoi një deklaratë pa shtyllë kurrizore ku denonconte përpjekjet për ta penguar lirinë e shprehjes, por nuk e përmendi asnjëherë Khomeini me emër. Kështu, me një lëvizje të paprecedent, 3 anëtarë të Akademisë, 2 romancierë (Kerstin Ekman dhe Lars Gyllensten) dhe 1 poet (Werner Aspenström) dhanë dorëheqjen nga organizata. Në Berlin, Akademie der Künste refuzoi të organizojë një reading të Rushdie për motive sigurie. Në Vjenë, Shoqata e Studentëve është detyruar të mbajë një takim për leximin e “Vargjeve” në një tendë fushimi, pasi pedagogët e ndaluan mbajtjen e tij në lokalet e universitetit. Lista e kujt u pozicionua në favor të Rushdie është pak të quhet e shkurtër. Leon Wieseltier i “New Republic” deklaroi: “Mund të numërohen me numrat e gishtave të një dore të dridhur”. “Në rast se nuk arrijmë të jemi të vendosur mbi këtë temë, kjo ndodh sepse kjo e bekuara liri e jona nuk vlen asnjë lek”, i bëri jehonë John Updike. Wole Soyinka, shkrimtari dhe nobelisti nigerian, qe më radikali. E quajti ajatollahun një “frikacak”. Në Lagos të Nigerisë mijëra myslimanë marshuan duke thirrur “Wole Soyinka duhet të vdesë”. Keith Vaz, parlamentari i Leicester i Labour, foli në një manifestim kundër Rushdie.

Max Madden, parlamentar laburist i Bradford West – qyteti ku kopjet e librit u dogjën në zjarr – i sugjeroi Rushdie t’i shtonte një shtojcë në libër që të mundësonte të shpjegohej se pse myslimanët e gjenin ofendues. Hugh Trevor-Roper tha se nuk do të bezdisej nëse myslimanët britanikë do të vendosnin ta zinin në një cep Rushdie dhe t’i “përmirësonin” mënyrat e tij. Princi i Uellsit Charles bëri me dije se nuk do ta mbështeste një shkrimtar që kishte fyer “bindjet më të thella” të myslimanëve. Roald Dahl, autor i librave për fëmijë, e quajti Rushdie “oportunist të rrezikshëm”. George Steiner, një prej kritikëve kulturorë më të shquar, e preu shkurt: “Rushdie ka vepruar në mënyrë të atillë sa të krijojë një thes me probleme”. Pastaj John le Carré. Shkrimtari i madh i spy story nuk arrinte të bindej akoma në dënimin e Bashkimit Sovjetik, por qe i lehtë në sulmimin e Rushdie, që replikoi duke e quajtur një “gomar budalla filiste”.

 

Në Gjermani, heshtje totale. “Nuk ka qenë çudi për mua të lexoj komente plot me urrejtje, schadenfreude dhe teori komploti, por ka qenë shokuese të shoh intelektualt të braktisin një shok shkrimtar”, ka shkruar pak ditë më pas në “Neue Zürcher Zeitung” sociologu me origjinë egjiptiane Hamed Abdel-Samad. “Më ka kujtuar reagimet e disa intelektualëve gjermanë që në atë periudhë gjatë aferës Rushdie, në vend që të tregonin solidaritet me kolegun e kërcënuar me vdekje qenë të impenjuar të nënvizonin se romani i tij nuk ishte letërsi e mirë, sikur liria e shprehjes të ishte e lidhur me cilësinë e punës”. Po në Itali? “Pse një shkrimtar si Umberto Eco nuk ka shpenzuar kurrë një fjalë të vetme në mbrojtje të Rushdie?”, pyeti në 1993 Vincenzo Consolo. “Në Itali askush nuk e ka mbrojtur Rushdie. Në vendin bëjnë thashetheme të shpifura dhe meskine”. Franco Cardini e quajti “derr” Rushdie. Guido Almansi foli për një “heshtje të pabesueshme ndaj tij me sa është bërë në Angli, Amerikë dhe Gjermani”. 3 vite pas fetvasë në Itali doli një vëllimth, “Heshtja e Perëndimit”, ndërsa shkrimtari Nico Orengo, përgjegjës i insertit “Tuttolibri”, thoshte: “Do të doja t’i bëja një pyetje Rushdie. Ka dashur ti sfidojë islamin apo thjesht ka bërë një gabim?”. Inge Feltrinelli: “Në 4 vite nuk ka pasur një grup të vetëm intelektualësh dhe artistësh që të jetë rreshtuar në mbrojtje të Rushdie dhe për këtë turpërohem thellësisht”.

Brenda turpit të madh të Perëndimit qe një turp akoma edhe më i madh italian. Në dëshmitë e shkrimtarëve nga e gjithë bota nuk ka as edhe një italian. Qe vetëm një apel i kryeministrit të atëhershëm Giuliano Amato, i firmosur nga nja 20 njerëz. Rushdie u prit nga Barbara McDougall, ministre e Jashtme kanadeze, dhjetor 1992; nga Mary Robinson, presidente e Republikës së Irlandës, janar 1993; nga Jack Lang, ministër i Kulturës franceze, mars 1993; nga John Major, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, maj 1993; nga Mario Soares, president i Portugalisë, korrik 1993; nga Vaclav Havel, president i Republikës Çeke, shtator 1993; nga Bill Clinton, nëntorë 1993; nga Klaus Kinkel, ministër i Jashtëm gjerman, dhjetor 1993. Cili vend mungon? Norberto Bobbio ndërhyn në “La Stampa” 4 vite më pas në mbrojtje të Rushdie: “Në çfarë humnere do të binte një qytetërim i madh në rast se do ta pranonte këtë vendim”.

Në gjithë këtë ndodhi spikat heroizmi i Andy Ross, pronari i “Cody’s Books” në Berkeley, lokalet e të cilit u sulmuan: “Ka qenë mjaft e lehtë për Mailer dhe Sontag të flisnin për rrezikim të jetës në mbështetje të një ideje. Në fund të fundit, jetonin mjaft lart në apartamentet e New York. Ishte një gjë krejtësisht tjetër të ishe një rishitës që e paraqiste librin në rrugë”. Pas atentatit, Ross ka mbledhur stafin e tij: “U thashë atyre se duhej të merrnin një vendim të vështirë. Duhej të vendosnim nëse do ta shisnim “Vargjet satanike” dhe të rrezikonim jetën për atë që besonim. Ose duhet të adoptonim një qëndrim më të matur dhe të komrpomentonim vlerat tona. Kështu që kemi votuar. Në unanimitet për ta shitur librin. Më vijnë lotët në sy kur e mendoj. Qe dita më krenare e jetës time”. Ishte fundi i viteve ’80. Sot autocensura është norma mbi islamin. “Njerëzit e mirë do t’i cedojnë frikës dhe do ta quajnë respekt. Njerëzit e mirë do të kryejnë një vetëvrasje intelektuale dhe do ta quajnë paqe”. Rushdie e kishte parashikuar.

(Nga Il Foglio)

 

Përgatiti: Armin Tirana

Lini një Përgjigje