Nga Josif Papagjoni
Tek çapoja në qejfin tim shëtitores së Sa randës drejt hotel turizmit “Butrinti”, s’di pse mu kujtuan ca ditë, një herë motit, që më dukeshin të veçanta. Ndërsa sot, pesha e viteve i ka zvogëluar përmasat dhe e ka hequr veskun e një ngjarjeje të “veçantë”. Por atëherë ishte ndryshe. E pra, në Sarandë diku te viti 1978 kishte ardhur Kadare me pushime. Dhe si kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Sarandës që isha, e shoqërova disa ditë me një grup krijuesish kryesorë të “rrethinës” sonë, por që Zoti i kishte dhënë shumë pekule. Aty lart, te tavolina e qoshes në verandën e hotelit, djathtas, pinim kafe dhe bënim biseda letërsie me të madhin e letrave shqipe. Kadare ishte një mit i gjallë, sigurisht i një dimensioni e vëmendjeje shumë më të madhe se sot. Ndofta shoqëria e ndrydhur viteve të diktaturës shikonte te idetë dhe letërsia e tij diçka që ne vetëm e mendonim dhe e dëshironim me zjarr, spërndritjen e një “Shqipërie” tjetër, një “ishull” diku tej, i cili ishte çuditërisht ndryshe nga balta ku jetonim.
Kadare fliste pak, ishte modest me ne, na linte të ngazëlleheshim në vetëmburrjet tona të pafunda poetike. Njëri nga shkrimtarët e minoritetit grek kishte qejf të dëshmonte leximet e tij në letërsinë greke. Jo po Elitisi, jo po Kavafisi, jo po Ricosi dhe Pallamasi, jo po Kazanzaqi dhe Vasilikos, jo po… Sikur donte t’i thoshte: “Unë jam më i ditur se këta, he-he!” Po e tepronte dhe s’u linte radhë të tjerëve. Kadare tundte kokën, lëshonte nga një “po” të thatë, ndonjëherë bënte sikur s’dinte e s’e njihte këtë apo atë autor. Dikur tundi dorën dhe tha: “Ka shumë miza këtu!” Ouuuu, kush ishte miza aty? Mos vallë ky shkrimtar mburravec që s’pushonte së foluri?! Ndoshta! Apo mos vallë vërtet aty kishte miza?! Hajde gjeje! Të gjithë më pas, si për t’i dhënë shkrimtarit statusin e ironikut, e morën si një metaforë qortuse të tij: “Mjaft de, kemi ardhur për muhabet, jo për leksione!” Por sot them se ishte thjesht një gjest i pafajshëm shkaktuar nga vapa dhe bezdia e ndonjë mize. Ndofta ai s’e kishte mendjen fare te ajo çfarë dërdëlliste shkrimtari ynë i vogël i periferisë, ani pse ishte njeri i dëgjueshëm dhe dinte të respektonte.
Me Kadarenë u bë një takim i shkrimtarëve të qytetit në sallën e Komitetit Ekzekutiv të rrethit në vitin 1986. Po ke parë ti?! Ia kishin behur aty gjithfarë lloj nëpunësish e fytyrash të papara, ndërsa disa krijues mbetën jashtë sallës modeste. Për ta nderuar shkrimtarin kishte ardhur gjithë ç’qenë shefa të atij komiteti, sigurisht edhe kryetari Stefan Qirjako, një burrë energjik, i qeshur, jo i llojit të “xhaketave të vjetra”. Seç kishte një tension në ajër. Në emër të shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit tonë i urova Kadaresë mirëseardhjen dhe e ftova të fliste rreth krijimtarisë së tij të fundme si dhe letërsisë shqipe. Porsa Kadare mbaroi, seç u ngrit një i panjohur dhe e pyeti për novelën e tij “Nata me hënë” botuar së fundmi: si e kuptonte ai “virgjinitetin” e heroinës, Marianës, para se ajo të martohej, si një akt moral apo si një akt amoral?
Pastaj u çua një tjetër dhe e pyeti se a kishte të drejtë shoqëria të ndërhynte në aktin e saj apo kjo sipas shkrimtarit, quhej dhunë, censurë, imponim? A ishte pushteti, në këtë rast, recidiv i një veprimi konservator, patriarkal apo bartje e një qëndrimi moral? Nëse po, pse ironizohej nga shkrimtari? Ja ku ia behën edhe dy të tjerë, që përsëritën në thelb po të njëjtën gjë: “Çfarë përfaqësonte kjo vajzë liberale dhe veprimi i saj amoral në shoqërinë tonë socialiste? E konsideroni ju një akt lirie dhe personaliteti apo një paralajmërim të shthurjes së shoqërisë, pra dhe papërgjegjshmërinë e organizatave bazë, forumeve, vetë partisë?! Ishte dakord shkrimtari me këtë ide? Po partia, pushteti, ku ishin këtu, çfarë bënin në novelë, flinin? Pastaj, ky sekretari i organizatës bazë të partisë në novelë kaq meskin na ishte, kaq i verbër dhe kaq i paaftë sa nuk reagonte fare? Po opinioni i shëndoshë shoqëror ku qe? Vetëm prapambetje, vetëm thashetheme?!…
Ata nuk ishin shkrimtarë të qytetit, kishin ardhur enkas nga Tirana, qenë pjesë e një hordhie që e ndiqte shkrimtarin nga pas. Nuk ishin as shkrimtarë të kryeqytetit. Unë i njihja se isha edhe anëtar i komitetit drejtues të LSHA, siç quhej asoherë. Qenë disa “skifterë” të forumeve partiake të dërguar enkas për ta goditur, për t’ia “ngrënë mishin” pak nga pak, siç kishte thënë vetë Kadare më vonë në një roman të tij, “Vajza e Agamemnonit”, por dhe te romani “Shkaba”. Për të dalë nga zgafellet e errëta drejt majamalave dhe qiellit të hapur, çka ishte vetë liria, shkrimtarit i duhej të bënte një pakt vrastar me shqiponjën, domethënë censurën. Kadareja e njihte atë pakt me vdekjen. Dhe i duhej, pra, të paguante për lirinë e artit që bënte pengun e vet tejet të shtrenjtë, mishin e tij të përgjakur, letërsinë e bukur. Rishtazi këta “skifterë”, këto “zhgaba” e “orla” krakarisnin dhe kërkonin pengun e ri prej shkrimtarit, mishin e freskët të një novele tejet të diskutueshme për kohën: Artin e saj. Kra, kra, kra…
Kadare e kishte ngurtësuar fytyrën. Ishte vështirë ta kuptoje. Qe natyrë sfiduese. Me atë madhështinë dhe akullsinë e tij, ai bëri sqarimet e veta lidhur me novelën dhe personazhin e Marianës. Por “skifterët”, “zhgabat” dhe “orlat” nuk e linin të qetë. Kra, kra, kra… U krijua një situatë e rëndë. E gjithë kjo seancë pyetjesh i dukej si një seancë shtrigërimi dhe ekzorcizmi, njësoj siç ia kishin bërë në një mbledhje të hapur të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, kati i dytë, me novelën e tij të famshme “Pallati i ëndrrave”, botuar në vitin 1981. E kujtonte atë ditë ogurzezë kur të tjerë “skifterë”, “zhgaba” dhe “orla” i ishin sulur që nga Ramiza Alia, Nexhmije Hoxha, Foto Çami e gjer te fjala e zymtë e Dritëro Agollit. Por Kadareja kishte sfiduar me heshtjen, vetminë dhe akullsinë e tij. Nuk mund të pranohej më kjo seancë “pyetjesh”. Kadare kishte ardhur për ata, shkrimtarët e Sarandës, jo për lakejtë e Tiranës.
– Doja të bëja dhe unë një pyetje, – iu drejtova Kadaresë që e kisha në krah. – E kam lexuar me shumë qejf novelën tuaj të fundit dhe më ka lënë mbresa të thella, veç të tjerash edhe për zgjidhjen që ju i keni dhënë me grisjen në fund të “çertifikimit” mjekësor të virgjërisë së Marianës dhe rrugën e gjatë që shoqëria duhej të kalonte gjer te ky akt emancipimi. Duket se nevoja që ajo ka për një hapësirë qytetarie brenda vetes është mëse e kohës. Mendos se ndodhia e shfrytëzuar prej jush nuk është e thënë të jetë një ndodhi reale, e njëmendët, ndryshe do të ishim në histori, jo në letërsi. Për këtë arsye unë do të doja të dija se, kur shkruani, cili është mendimi juaj lidhur me raportin midis të vërtetës historike dhe të vërtetës artistike, pra trillit dhe realitetit?
Me sa duket Kadaresë kjo i pëlqeu dhe i ktheu kësaj ndërhyrje një gjuhë të drunjtë, edhe më sfidante se e “skifterëve”, “zhgabave” dhe “orlave” të ardhur nga Tirana, siç ai e kishte zakon. Mesazhi i tij qe fare i qartë: duhet ta linin letërsinë në veskun dhe fantazitë e saj.
Pas përgjigjes së Kadaresë, folën radhazi disa nga shkrimtarët më të mirë të qytetit, gati të ngarkuar me mëri përse ata njerëz të paftuar ua kishin prishur gëzimin e takimit të tyre me shkrimtarin. E ku merrnin vesh ata nga letërsia. Ata qenë veçse ca sejmenë, që i kishin mësuar përmendsh pyetjet e tyre kushedi prej kujt dhe se ku? Shkrimtarët dhe artistët e Sarandës u shkundën dhe shprehën vlerësimin e tyre për Kadarenë dhe veprën e tij në bisedat e atij takimi e më pas: të Niko Kacalidhës dhe Agim Matos, të Andrea Zarballait dhe Stefan Martikos, të Vojsava Nelos dhe Enver Isufit, të Theofil Haxhijanit dhe Thoma Milait, të Niko Godrolit dhe Lesko Ligut, të Zaho Vasilit dhe Thoma Sterjos, të Shefki Hysës, Lefter Çekos, Koço Mërtirit, Vasil Barjabait, Vasil Gjivoglit, Minello Gjonit e Lefter Voglit. Ne e shoqëronim shpesh tek ai plazh a zhavorishte, shpesh mes zhegut, çdo ditë dhe sërish e sërish vazhdonim avazin: letërsia ashtu, letërsia kështu. As Kadare s’kishte faj me lodhjen prej zhegut të korrikut, as ne s’kishim faj me zhuzhimën mburravece para patriarkut të letrave. Qe si poleni që tërhiqte bletët, vëmendjen, ndezullitë dhe kapardisjet tona për letërsinë. Po a ishte e fajshme letërsia vallë?! Te letërsia e Kadaresë ne shikonin njëherësh qiejt dhe greminat.
2.
E lash mendjen të bridhte te një rrugëtim i çuditshëm kur Kadarenë e kthyem në një referencë të rrezikshme teksa Enver Hoxha ishte matufepsur dy vitet e fundit të jetës së tij. Ngjarja edhe sot nuk më ikën nga mendja. Nuk lidhet drejtpërdrejt me Kadarenë, por dëshmon përpëlitjen e shoqërisë për t’i ikur miteve të rrejshëm dhe për të bërë të vetat mitet e reja. Dhe paçka se ka një dozë të fortë personalizimi, ia vlen ta rrëfesh. I kërkoj ndjesë Kadaresë, por siç thashë ngjarja flet për diçka që është përtej tij, flet për ne, brezin tonë. Ndër mitet e asaj kohe, dy ishin kryesorët: Enver Hoxha si mit politik i ujdisur dhe i imponuar përmes frikës e propagandës dhe Ismail Kadare si mit letrar i përqafuar me dëshirë dhe çlirues. Besoj se ngjarja nuk është “inriguese” në vetvete, as për njerëzit e përfshirë aty, por vlen si domethënie për kohën.
…Po ktheheshim me makinën e Komitetit të Partisë së rrethit Sarandë nga Livadhjaja, ku po ngrihej muzeu i Heroit të Popullit Lefter Talo. Nuk u mor vesh si e qysh, por ia nisëm një diskutimi të shpenguar për Kadarenë dhe letërsinë e tij, përkthimet që i ishin bërë në gjuhët e botës, vlerësimet tepër lavdëruese të kritikës botërore, fama që i ishte rritur nëpër vende të ndryshme, krenarinë që ne ndjenim. Unë dhe një miku im i mençur, Anastas Kapurani, që punonte instruktor i Komitetit të Partisë, ndërsa pas vitit 1990 ishte profesor në një universitet të Athinës me disa botime, bisedonim shtruar duke folur për gjeniumin e shkrimtarit, stilin e papërsëritshëm të tij, modernitetin, leksikun e pasur, begatinë gjuhësore e tematike, ligjërimin e veçantë etj.
Sollëm ndërmend metaforat e tij të guximshme nxjerrë nga kurmi i ngrohtë i miteve, legjendave shqiptare dhe historisë, mprehtësinë e tij për të krijuar bashkëshoqërime ideore me realitetin shqiptar. Erdhi një moment dhe në ndezullinë e diskutimit deklarova me ashk (më shumë për vete sesa për shkrimtarin), se: “Kadare është një gjeni… është gjeniu i kombit!…” “Kadare nuk i vjen më letërsisë shqipe, është i papërsëritshëm”, ma pasoi miku im, Anastasi. S’dihet pse, për të qenë “brenda”, nën këllëfin e dogmës dhe propagandës, a si për të larë duart, sekretarja e Komitetit të Partisë ndërhyri: “Gjeniu i kombit është shoku Enver, Kadareja pa porositë dhe sugjerimet e partisë dhe shokut Enver, pa luftën heroike të popullit tonë dhe realitetin e ri, nuk bëhej dot një shkrimtar i madh i realizmit socialist”.
Në ashkun e diskutimit sikur ra një borë e ftohtë, na e prishi qejfin që kishim. Pohimi ishte diçka që kishte të bënte me statusin politik të asaj gruaje të veshur me pushtet, e cila as e njihte letërsinë e Kadaresë. Unë e dija se ajo as që mund ta kishte cilësinë e mendimit për të vlerësuar estetikën e veprës së shkrimtarit. I rrëmbyer nga patosi për të folur mbi librat e Kadaresë dhe emrin që po i përhapej me shpejtësi në vendet evropiane, madje mu në mes të Francës te Fayard-i, unë e vazhdova bisedën dhe këmbëngula se shkrimtari është ndryshe nga politikani. Shkrimtari robëron shpirtrat, krijon një perandori të tijën, një fiction universal, i tejkalon kufijtë, kohët, hapësirat, as pyet për gjeostrategjitë, bile e sfidon vetë politikën. Politika është e përkohëshme, po thoshja unë, përshtatet me konjukturat e saj, letërsia është e përhershme, e sfidon përkohësinë. Nga kjo pikëpamje thjesht letrare dhe estetike, ngula këmbë unë, Kadare është figura më e madhe e kombit shqiptar. “Mos bëj gabim, ndërhyri sërish sekretarja e komitetit, figura më e madhe e kombit shqiptar në të gjitha kohërat është shoku Enver Hoxha…”
U ndje se diçka po kërciste, se po ecja mbase kuturu, se diku në dërrasë të kalbur po shkeja. Por unë thjesht vlerësoja shkrimtarin. Dhe prandaj nuk hoqa dorë nga ideja ime duke thënë se Enver Hoxha vërtet ishte figura më e madhe e kombit shqiptar, vërtet ishte udhëheqësi i ndritur i revolucionit botëror e dërci-vërci, por në raport me Kadarenë ai nuk e kishte atë njohje, atë emër dhe atë “lavdi” te lexuesit e shumtë të botës sa ç’mund ta kishte shkrimtari ynë. S’di pse biseda mbeti keq te ky krahasim dhe sekretarja, siç qe një robinë “pa pagesë” e klisheve të propagandës sa dhe e detyrës së saj, i veshi një lëkurë të trashë politike diskutimit. Aq thotë, aq di, mendova dhe e lash. Nuk mund t’i shpjegoja asaj se leximi i letërsisë ishte më joshës sesa leximi i librave politikë. Letërsia shkonte te lexuesi përmes emocionit, narrativës, gjuhës së bukur, sugjestionit hipnotik, ndërsa politologjia ishte racionale, kishte tjetër gjuhë, etj, etj. Varja, nuk i dhash më rëndësi temës. “Nuk ka bazë krahasimi kjo që po thua ti Josif, – mu drejtua gruaja e dytë, sekretare e Komitetit Ekzekutiv, e cila kishte simpati po njësoj ndaj Kadaresë sepse kishte mbaruar për letërsi, por nuk mund ta tirte më gjatë këtë ide. Me intuitë e kuptonte se diskutimi ishte me spec. – Jam me ty se Kadare është një nga krenaritë tona, por nuk mund ta vendosim përballë shokut Enver, jo, jo…” Biseda po trashej ca si shumë. Duhej lënë. Anastas Kapurani, që ndante të njëjtin mendim me mua, e kapi më shpejt situatën dhe shtoi në formën e një kompromisi të dobishëm: “Ne flasim me dashuri për Kadarenë se jemi që të tre të letërsisë. Për Shqipërinë dhe shqiptarët është një mrekulli që e kemi…” Dhe si bëri një heshtje të vogël, shtoi: “Në ç’orë e lamë nesër atë mbledhjen te shkolla e mesme, shoqja…?”
Kaq ishte. Biseda ndërroi kah. U harrua.
Por nuk e “harroi” dikush tjetër: shoferi i heshtur i makinës, që nuk kishte thënë asnjë fjalë gjatë gjithë rrugës. Dhe këtu nis brenga që unë pata. Ndofta dhe arsyeja e këtij shkrimi. Rastësisht Kadare ishte përfshirë në ndodhinë e tyre siç, ndofta, edhe në të tjera ndodhi, me të tjerë njerëz a në të tjera vende. Sepse Kadare ishte një mit dhe pa e ditur, ndofta dhe pa e dëshiruar, ai konkurronte fort me mitin e Enver Hoxhës. Nëse i pari ishte një mit i gjallë dhe në rritje, i dyti ishte një mit i vdekur dhe në rënie. Mirëpo nuk mund të lejohej asesi që miti i dytë t’i bënte hije mitit të parë. E pra, ky shoferi i Komitetit të Partisë, që nuk kishte thënë asnjë fjalë gjatë bisedës, në fakt shkoi dhe i përgojoi të gjitha në Degën e Punëve të Brendshme. Paskesh qenë një spiun si gjithë shoferët e forumeve, të cilët kryenin edhe detyrën e informatorit të sigurimit të shtetit. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme ia kishte referuar problemin Sekretarit të Parë dhe ja ku të nesërmen, mëngjes më mëngjes, Sekretari i parë i kishte thirrur në zyrë. Në zyrën e sekretares së komitetit ishte krijuar një tension i jashtëzakonshëm. Qe thikë me dy presa. “Ç’doni ju, drejtues forumesh partie dhe intelektualë, që diskutoni se kush na qenka më i madhi, Enver Hoxha apo Ismail Kadareja?! S’ka asnjë diskutim se shoku Enver është figura më e madhe që ka nxjerrë kombi shqiptar, tha prerazi dhe rreptë ai!”
Ishin të katër përgjegjës për ndodhjen e atij incidenti të rrezikshëm. Ç’ishte ky turp, kjo idiotësi, ky naivitet politik kështu?! Dhe e ndjeja se qyrku i fajit po më rëndonte pak nga pak vetëm mua. Secili kërkonte t’i shmangej fjalëve të thëna në mirëbesim: jo unë thashë kështu e ti the ashtu, jo ti the këtë, ndërsa unë thashë atë, jo ashtu dhe jo kështu.
Bërrucën e fajit askush s’kishte qejf ta mbante. Larg b… sime, thoshte fjala. Pesha po më binte mua, e ndjeja. Sa më i vogël të ishe aq më keq qe. Duhet të reagoja, ndryshe kushedi se si venin punët! Kërkova ballafaqim me shoferin. Më në fund e prunë në zyrë. Shoferi rrinte kapardisur, si hero. Por unë isha i mbushur me tërbim ndaj këtij shpirti të zbrazur, që nuk shkonte pranë gruas të argëtonte trupin e saj dhe trupin e tij të lodhur (sepse kur qenë kthyer ishte thuajse mesnatë), por fill këmbët e çuan te një zyrë e errët, mu te llapa e zgjatur e veshit të Sigurimit të Shtetit. Zot i madh! Ma thuaj çfarë thamë ne, iu drejtova gjithë zemërim atij shoferi. Po ja, tha ai dhe u mëlmit, Kadare është më i madh se shoku Enver Hoxha. Ore, oreeeeee, si flet pa përgjegjësi kështu ti, iu vërsula tërë nerva. Ku merr vesh ti ç’është letërsia? Ti je një… një… injorant, një njeri që s’ke lexuar dy libra nga Kadare. Nga i shpike këto fjalë? Dhe iu vërsula enkas duke i thënë se ata nuk kishin pohuar absolutisht asgjë të tillë, se kishin thënë përkundrazi se figura e Enver Hoxhës ishte e jashtëzakonshme, më e madhja që ka nxjerrë populli shqiptar, udhëheqësi legjendar i revolucionit botëror dhe dërci-vërci, ndërsa Kadareja ishte një shkrimtar i shquar i realizmit socialist, që i kishte kënduar dhe i këndonte popullit shqiptar, masave punonjëse, ndërtimit të socializmit në kushtet e rrethimit imperialisto-revizionistë dhe dërci-vërci.
Po ku merr vesh ti, more shok, ti nuk je në gjendje të kuptosh dhe na ke futur, qoftë dhe padashje (!?) në një qorsokak. Por unë nuk të lejoj, iu ktheva më me forcë, sepse e dija që qoftë dhe një grimë të pranoje atë që ishte thënë, thika shkonte thellë. Nuk të lejoj të shpifësh, more vesh! Nga që s’di, ti thjesht na ke keqkuptuar. Apo jo, iu drejtova “bashkëfajtorëve” të bisëdës në makinën e Komitetit të Partisë. Saora ata e pohuan plot ndezulli ndërhyrjen time energjike dhe ia hodhën fajin të gjithin shoferit, informatorit, domethënë “spiunit”. Një pranim sado i vogël do të na penalizonte që të katërt. Edhe dy gratë partiake. Se do thoshnin: Pse e lejuat një diskutim të tillë “armiqësor”? Kështu u mbyll kjo histori. Më pas nga zyra e tij zbriti Sekretari i Parë dhe si i tërhoqi vërejtjen shoferit që të ishte më i saktë, na u kthye neve: “Bëni kujdes, jeni të mençur vetë, nuk po ju them të mos diskutoni, por gjithnjë me partishmëri… dhe jo në prani të njerëzve që nuk ju kuptojnë, sido që ata i shërbejnë me devotshmëri partisë…” Thellë-thellë ai e kuptonte se ngjarja kishte të bënte pikërisht me përplasjen e dy miteve, mitit gjithnjë e në ikje të Enver Hoxhës dhe mitit gjithnjë e në rritje të Kadaresë. Sigurisht ai ishte kokë e këmbë me mitin e parë, prandaj dhe s’mund ta lejonte rritjen e mitit të Kadaresë, qoftë dhe në një simptomë.
Ja, pikërisht për këtë ide doja ta rrëfeja këtë histori. Mund të më thonë që kjo rrëfenjë nuk ia vlen të shënohet. Po, do t’ua ktheja unë, por domethënia i përket më shumë kohës sesa Kadaresë. Vetë shoqëria, edhe pse në mënyrë jo të vetëdijshme, edhe pse me frikë, në vitet ’80 pas vdekjes së Enver Hoxhës mitet e rrejshme po i nxirrte nga vetja pak nga pak dhe në vend të tyre po fuste mitet e vërteta të kombit…
Një rrëfim sa interesant, po aq edhe i vërtetë. Ngjarje të tilla ndodhnin thuajse kudo, sidomos gjatë viteve '80 të shekullit të kaluar. U bë aq e madhe figura e Kadaresë në opinionin intelektual të kohës sa tashmë ai ushqente jo vetëm me letërsinë e mrekullueshme, por, përmes saj edhe me politikën e vërtetë, me kontraditën që thellohej mes dogmave dhe etjes për kulturë. Miku im më emocioneve.. Faleminderit!
E ke akoma o Cife ate hotelin qe ngrite te obori i Qendres se Arteve qe drejtoje? Ne fakt nuk ishte vjedhje, thjesht dashuri per letersine. Mos kujto se jane harruar bemat e tua ne ato vite te turbullta ku artiste si ti u shndruan ne gravitate te pangopur.
A mund te hapen dosjet e sherbimeve sekrete te huaja,psh francezit apo te KGB. KK a ndonje agjent me pseudonim qe te perkoje me personin IK?
Na ke dhi tu qesh o Cife!Enverin ne kohen e vet te jemi realist e njihte gjithe shqiperia e me tej dhe e donte gjithe populli,ndersa Molin e njihte vetem inteligjenca dhe pak nga shtresa e mesme qe kishte lexuar ndonje liber te tij!Sotjo e jo sepse rinia nuk lexon asnje liber ku nese ne gjithe Europen libri eshte primar per cilendo kategori shoqerore ,tek ne perjashto Tiranen dhe kerkund nuk njihet libri.Edhe ata qe blejne librin ne panair 50 % e tyre e blejne per komertinen ! Ndj o Cife me i rezervuar tjeter here.Bej nje sondazh dhe lexoi mitet ,apo flet vetem per nahine tende.
Per ty qe ke bo artikullin po , Realiteti esht ndryshe .
Nga e more vesh qe kjofte largun e donte gjithe populli ??!! (lexuesi ) Une po jap vetem nje shembull , aty ku kam jetuar une nga 15 familje vetem nje familje flitej qe e donte djallin Enver , sigurisht edhe keta mbase e donin nga disa privilegje te asaj kohe te turpeshme , mbase ma e turpeshmja ne historine e kombit tone ...
Dhe kujt po i intereson nji plehr Komuniste sot ,vec lepiresve qe sditen asgje te bejne vet ne jete .Profesioni cdo komunisti i pandryshuar deri ne vdekje . Ne te vertet ju brezi e llapemedhenjve te marrosur qe edhe pse sot me pelena poshte , na takon t'ju themi kur ju del bizga jashte pelenave ; Boll nq qelbet !
Vetem nje pyetje kisha per Papagjonin: ku do te kishte perfunduar çdo shkrimtar tjeter po te kishte shkruar "Nate me hene"? Vertet Kadareja "u kritikua", por perfundimi per çdo tjeter shkrimtar do te kishte qene ... ndryshe. Sado te "kritikohej", ai mbrohej direkt nga "miti Enver", sepse i duhej per t'i treguar botes se edhe "socializmi" nxjerr shkrimtare te medhenj.
Duket si paradoks por: pa "mitin Enver" nuk do te ekzistonte "miti Kadare" (ne ate sistem).
PS. Nje shkrim qe nuk e botoi gazeta Tema. Nuk se perse.- por po jua percjell me poshte: Kadare - një Mit i Rremë për Shqipërinë dhe shqiptarët Janë folur e shkruar shumë për Kadarenë dhe siç ndodh përhera sa më shumë të shkruhet dhe të flitet për një person, aq më i turbullt dhe mitik ngelet personi i tij. Njihen shumë raste kur njerëzit për të ngelur në histori kanë bërë çmëndurira dhe çmëndurirat më të mëdha janë krijuar nga ngjarje ogurzeza dhe vrastare. Një nga shëmbujt është dhe historia e një adjutanti spanjoll, i cili në një kështjellë të rrethuar të mbrojtur nga një komandant shumë i zoti, për të ngelur emri i tij në histori në një moment të luftës e përqafoi komandantin e tij dhe së bashku me të papritur u hodh nga kështjella. Emri i tij nuk përmëndet për shkak të veprës së shëmtuar që bëri por historia mbeti. Një ngjare e tillë për të mbetur emri në histori kanë ndodhur në rrethana të ndryshme, madje dhe në Shqipëri, e cila njihet për tradhtarët e shumtë po aq sad he për hero jtë e shumtë që ka nxjerrë ky popull. Madje At Zef Pllumbi ka thënë: `Kurrë s`ë kam kuptue se si një popull i vogël ka mujt me nxjerrë kaq shumë rrugaça`. Një nga ata ka qënë Ballaban Pashë Badera që luftoi kundër popullit të tij të drejtuar nga Skënderbeu por u vra me armë zjarri të asaj kohe nga një ushtar i thjeshtë krutan me emrin Gjergj Aleksi. Ose Hamza Kastrioti nipi i Skënderbeut që e tradhtoi por Skënderbeu e burgosi por e fali më vonë. Në kohën tradhtarët janë aq të shumtë sa që ngatërrohen edhe me heronjtë ashtu siç ka shkruar dhe Fan Noli tek shkrimi `Pesë Anarkite e shqiptarëve` , ku tek Anarkia e katërt shkruan:``E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh``. Që të mos e zgjas më shumë për tradhtarët që lanë `Nam`, për të ngelur në histori, mund të dëgjosh me ëndje Hymnin tonë kombëtar të shkruar nga Asdreni ku si në asnjë hymn tjetër të shteteve të tjera përmënden `tradhëtorët`: Prej lufte veç ai largohet Që është lindur tradhëtor, Kush është burrë nuk friksohet, Po vdes, po vdes si një dëshmor! Në këtë tip kategorie të njerzve që duan të lenë `Nam` për të ngelur me çdo kusht në histori, është dhe shkrimtari i talentuar ynë Kadare, njëlloj sit ek filmi horror `I talentuari Mr. Ripley`. Pra, përse Kadare duhet çmitizuar qoftë për rolin e tij si `anti komunist` dhe `anti enverist`, qoftë dhe për rolin e tij si `patriot` , qoftë dhe për rolin e tij si talent letrar? Së pari Çmitizimi duhet të fillojë që nga aureola e tij si `një anti komunist dhe antienverist`, dhe kjo për shkak se ai ka qënë deputet në Kuvendin popullor të Shqipërisë dhe nën kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë së bashku më Nexhmije Hoxhën si kryetare, me të gjitha privilegjet e diktaturës. Roli i tij i kamufluar për të mbrojtur figurën e Enver Hoxhës nëpërmjet librave të tij si Gjakftohtësi, Dimri i Madh, dhe sidomos tek poema `Pashallarët e Kuq`, i mbushën mëndjen popullit se Diktatori ishte ai nga buron uji pastër por që e ndotin atadrejtues poshtë, dhe se njerëz si diktaori janë të rrallë dhe dalin për Shqipërinë një herë në 50 apo 500 vjet duke e krahasuar më Skënderbeun. Mbrojtja e tij diabolike që i bëri Enver Hoxhës me shkrimet e tij të kamufluara dhe rezultat dhe Enveri e mbrojti atë edhe nga sulmet e kundërshtarëve të tij enveristë. Kadare mbeti shkrimtar oborri, dhe kjo mund të sjellë dyshimë nëse ishte ai që hodhi dyshimë tek Diktatori, për rrezikun që mund të sillte Mehmet Shehu nëse do të ishte pasuesi i Diktaorit. Këto dyshime vijnë për shkak se ai kishte miqësi të madhe me njërin nga bijtë e tij që sot shkruan duke `mbrojtur gjithashtu indirekt diktaturën dhe të jatin`. Së dyti, në Shqipëri dihej se nuk pati dissidence të vërtetë, por vetëm një person njihet me të vërtetë si dissident i atij rregjimi dhe ky ishte Pjetër Arbnori, sepse disa nga ish të burgosurit që më vonë u quajtën të persekutuar ishin të dënuar si ordinerë porse një pjesë mori kartën si i përsekutuar. Në këtë mishmash ndodhi dhe transformimi i Kadaresë. Nga komunist i vendosur dhe me shumë privilegje, ai, nëpërmjet R.Alisë, iku në Francë dhe u përpoq nëpërmjet asaj diktature të kthehej si dissident, por e kaluara e tij nuk e la. Sidoqoftë Kadare bëri një kthesë 180 gradë në shkrimet e tij të pas `90, duke u hequr anti komunist i orëve të para duke lëpirë ato që kishte pështyrë për 30 vjet të diktaturës. Dhe kjo nuk e nderoi aspak. Ky fakt mendoj, ishte dhe shkaku që Kadare i talentuar, dhe shkrimtar oborri nuk e fitoi dot çmimin Nobel, sepse Komisioni nuk gjeti ndonjë mesazh domethënës nga shkrimet e Kadaresë për popullin e tij, dhe për botën, ashtu siç gjeti mesazhe sinjifikative tek Nobelistët e tjerë. I vetmi mesazh i Kadaresë, karakteristik për shqiptarët është mesazhi `dridheni sa të mundni e përfitoni nga rregjimet sa të mundni, lidhuni me këdo armik a mik për tu pasuruar, dhe mos tu vijë aspak keq për rregjimet që bien e ngrihen`. Epo kjo domethënie sigurisht nuk mund të pëlqehet nga bota e qytetëruar. Së treti, namin si shkrimtar i madh Kadare e mori nga PPSh dhe personalisht Enver Hoxha. Si shëmbull mund të kujtojnë fjalën e një sekretareje partie të Sarandës në një takim më Kadarenë dhe shkrimtarë të tjerë , e cila në takim ndërhyri: `` “Gjeniu i kombit është shoku Enver, Kadareja pa porositë dhe sugjerimet e partisë dhe shokut Enver, pa luftën heroike të popullit tonë dhe realitetin e ri, nuk bëhej dot një shkrimtar i madh i realizmit socialist”( Miti i Kadaresë e tejkalonte mitin e Enver Hoxhës - Kulturë (gazetatema.net). Josi Papagjoni tek shkrimi i tij `Miti I Kadaresë e tejkalon Mitin e Enver Hoxhës` tek gazeta Tema, pikërisht padashur shpreh se talenti i Kadaresë u bë publik dhe jehonë të madhe, pikërisht për interes të sistemit dhe jo se ishte një talent mbi të tjerët. Dhe të kesh një përkrahje të tillë sigurisht do të të dalë nami. Kadare nuk mori nam as si Shollohov apo Solxhenjicin, dhe as si shkrimtari çek President Vlacllav Havel, por `Namin` e mori nga Partia që po krijonte `njeriun e ri` dhe `shkrimarin e ri` të realizmit socialist, duke shkatërruar të gjithe oponentët dhe kundërshtaret e tij gjatë asaj kohe. Dihet që Shqipëria kishte dhe ka edhe sot plot shkrimtarë të talentuar, njëri nga më të mirët në kohën e diktaturës ka qënë Jakov Xoxa dhe të tjerë, ishin shkrimtarë të realizmit kritik, por dominoi Kadare dhe Agolli si përçues të vij së Partisë. Të paktën Agolli ishte edhe kritik i problemeve të sistemit me aq sa lejohej si tek `Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo`, por ky shkrimtar i qëndroi edhe pas viteve `90 si një shkrimtar dhe personalitet dinjitoz i majtë që hodhi teserën e partisë para Ramiz Alisë. Kurse Kadare jo vetëm që nuk bëri një veprim të tillë por u fsheh pas mbrojtjes R.Alia, dhe pas`90 e këtej u përpoq turpshëm të godasë një sIstem i cili e bëri hero të Tijin. Së fundmi Miti Kadare ka nevojë të çmitizohet jo për vetë shkrimet e tij por më tepër për diabolikën që shprehu në shkrimet tej kontroverse dhe kontradiktore para dhe pas `90. Interesant është fakti që kategoria e ish-spiunëve dhe ish bashkëpuntorëve të sigurimit të shtetit kanë 30 vjet që mitizojnë këtë figurë sikur duan të kenë përsëri mbi veten e tyre një person që kishte ngjashmëri me diktatorin. Dhe kjo vazhdon duke i dhënë honorifikë si jashtë shtetit (sigurisht me rekomandimet nga shtetarët ish spiunë), por edhe nga disa intelektualë `katundarë`, që kanë kapur universitetet private dhe shoqata apo instuicione private apo shtetërore të cilat i bëjnë jehonë një shkrimtari oborri, i cili nga klloun i diktaturës u kthye në një klloun të demokracisë. Sot kërkohet më në fund një ligj i lustracionit dhe i dekomunistizimit të shtetit, ligj i cili duhej të ishte bërë që në 1993, por që nuk u realizua as nga Berisha, as nga Nano, as nga Meta. Shpresojmë të bëhet nga Rama, sepse një nga personat që i zgjati jetën rregjimit me veprën ishte pikërisht Kadare dhe lakejtë e tij të grupit të 120.000 ish bashkëpuntorëve të sigurimit të shtetit. Kjo është e vërteta e Mitit të Kadaresë në ditët e sotme.
Sa gjatë edhe ti o njeri!? Të gjitha që shkruan për Kadare , qëndrojnë,të gjitha! Por ndoshta nuk e ke jetuar atë kohë.... Kadare shkruante për Djallin,ama të gjithë ne,çuditërisht të gjithë ,nënkuptonim të kundërtën . Sigurisht që çdo gjë ia dedikonim Partisë,po e përpinim shprehjen me dy kuptime të tij,na sugjestiononte paanësia e tij ndaj ndodhisë,personazhit, legjendës dhe mitit. Origjinaliteti qendrimi qytetar ndaj temës ishin të veçantat e tij..Ja lexo ,kur turma e pyesnin ç'kuptim ka çështja e virgjërisë ai përgjigjej që letërsia ka mjetet e saj për të krijuar figura dhe realitete... Çdo shkrimtar tjetër do fillonte mbrojtjen duke thënë " Ashtu siç ka theksuar edhe shoku Enver në Kongres...." etj.. Nejse,mbase ti letërsinë e di artikull gazete?! A e mbrojti Enver Hoxha Kadarenë? Po ore,pa diskutim po..ke lexuar gjëkundi ti që Enveri të ketë qenë budalla????? Kadare ishte mburrja e tij,ishte fytyra e Hoxhës jashtë vendit, përmes shkrimeve të Kadare, Enver Hoxha i fliste atyre që kuptonin,brenda edhe jashtë vendit,pa dyshim fare që Kadare i shërbente shtetit të kohës,nuk e ka diskutuar njeri kurrë këtë. Por ndërsa i madhi Dritëro,më i madhi shkrimtar i Realizmit Socialist " merrte një trastë dhe' nga Devolli t'ja sillte Lidhjes Së Shkrimtarëve,në Tiranë", Kadare shkruante si Albert Camus....për Shqipërinë,por si Paul Sartre....!! Nuk je për t'u qortuar, nuk ke faj..
Dhe ti smbetesh pas , historine e jetes tende ke shkruar ...pak sakte e bukur , qe tju lexojn dhe jo carcafe
Pa e lexuar deri ne fund komentin tuaj Z. Pirro, me beri pershtypje fjala "tradhetor" qe eshte ne himnin tone e ju thoni se nuk e ka asnje himn tjeter. Do te shtoja edhe diçka tjeter: nota me larte e himnit tone eshte tamam te kjo fjale "tradhetor".