Lexojeni "Rebelin" e Ilir Ikonomit, nëse doni të kuptoni dhe Shqipërinë e sotme

10 Shkurt 2025, 18:17Kulturë Fatbardh Amursi ( Rustemi)

Refleksione

Lexojeni "Rebelin" e Ilir Ikonomit, nëse doni të kuptoni dhe


Të shkruash një libër me 400 faqe, vetëm për 4 vitet e Fan Nolit (1920-24), duke e mbajtur pezull vëmendjen e lexuesit, s`është vetëm meritë e Rebelit, por dhe e mjeshtrit Ilir Ikonomi. Sa shumë ngjarje, sa shumë figura historike, atëherë kur luhej fati i Shqipërisë dhe Noli ishte një nga protagonistët kryesor! Edhe pse me rrasën e priftit si Fishta, është ndër të paktit, që flitej për të aq shumë në diktaturë, kur Konica ndalohej, Esat Pasha mallkohej dhe prapë paska kaq shumë për të thënë?! Falë aftësisë së autorit, i cili, në morinë e fakteve nuk hutohet, nuk bën shou, por, arrin të krijojë reaksionin zinxhir të emocioneve mbushur me një tension dramatik, duke ndërthurur fatin personal të peshkopit rebel me atë të atdheut të rrezikuar, pa vijë ndarëse. Lexon dhe heq shumë paralele me të sotmen, duke ia aktualizuar vlerën librit, ku ndihet autoriteti i një profesionisti pa marifete eksperti, i cili dallon nga shumë e për lumët të tipit “magazinë pa inventar”. (I hodha një sy bibliografisë dhe pashë, se, shumë prej librave të cituar i njihja, madje dhe të tjerë për periudhën në fjalë, por, tek “Rebeli”, dokumentat, faktet dhe referencat e përzgjedhura, marrin një dritë të re. Jo se kalkulon, por vetëm sa dëshmon në respekt të vërtetës. Nëse ia do puna: edhe me qereste të vjetër arrin të ndërtojë një shtëpi të re, por ky restaurim është veçse një kthim në identitet, duke mos tjetërsuar orgjinalin.) Ilir Ikonomi i referohet pa komplekse, si Bernd. J. Ficherit dhe Nasho Jorgaqit, historianit perëndimor dhe atij lindor, duke kristalizuar vendosmërisht individualitetin e tij, si një autor i suksesshëm ndër vite i monografisë shqiptare në lartësira të admirueshme. Ilir Ikonomi ka stil, aq i munguar tek studjuesit, historianët e gazetarët, ndaj dhe mundimi i ka duk. Ai shpenzon energji duke hedhur dritë në terrin e shunë ngjarjeve, që lihen të mykosen arkivave.
Përgjatë leximit heq natyrshëm paralele me të sotmen, duke konfirmuar atë që ndodh rëndom: se njerëzit s`para mësojnë nga e kaluara, nga historia, edhe pse thirrjet “për të vrarë Esat Pashë Toptanin” linçohen hera-herës, thua se Avni Rustemi ende s`i ka larë hesapet. Të gjithë politikanët shqiptarë, të të gjithë trevave, dhe jo vetëm ata: kanë rastin të shohin tek librat e Ilir Ikonomit një pasqyrë, ku, si zgjatim të së djeshmes tek e sotmja, mund të gjejnë të ngjashmin e tyre. Nuk është rastësi, që kryeministri aktual provokon me imazhin e Ismail Qemalit. Në këtë kuptim ky libër mund të shërbejë për refleksione, pse jo dhe për katarsis, ngaqë historinë e dëshmon një i paanshëm, i cili e vlerson faktin historik më shumë nga gjykatësit provat. (Dikur oxhaku ka qenë një lloji mburrje për parinë, ja që oxhakëve u pastrohet bloza. Për ta konkretizuar referohuni librit me kujtime të Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, ku ai ballafaqon veten me të vërtetat. Ngaqë ka shumë mbetje në bëmat e “burrave të shtetit” pa shtet lindi nevoja e “koshit të historisë”, sikurse “Recycle Bin” në kompjutera, por monopolin e këtij koshi deri më sot e kanë patur vetëm fitimtarët e përkohshëm, që kanë përfunduar dhe vetë atje.) Autori merr përsipër autencitetin e fakteve, ndërsa interpretimin ia lë lexuesit. Në asnjë rast nuk merr në mbrojtje askënd duke mos fshehur asgjë. Një rast unikal ku urata (Noli) merr bekimin e autorit pa ia fshehur mëkatet.
Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria do shënonte në kalendarin e saj vetëm histori qeverish, duke munguar shteti, sikurse njihen: Qeveria e Vlorës, Qeveria e Durrësit dhe 12 të tilla me 9 kryeministra të ndryshëm, duke përfshirë dhe Republikën e Mirditës, pa përmendur “qeveritë hije”, ndërsa përpjekjet për të bërë shtet vazhdojnë ende dhe sot me sforco të mëdha. Pushtetari vulos, ndërsa shtetari firmos, si qatipi nën trysninë e Skënderbeut. Mos ky moment do kthehej në mallkim për shtetin shqiptar: ku, falsifikimi i dokumentave do shndërrohej në një ves memurësh, aparatçikësh deri tek falsifikimi i historisë?! (Noli nuk i kish me qejf qeveritë populiste, edhe pse fati e ndëshkoi të bëhej i parë vendi me një revolucion të kadifenjtë, sikurse do të zgjidhej kryeministër me short, duke mos qenë fati i Shqipërisë, që ngrihej nga varri.) Ata që e ngritën fatin e Shqipërisë si i vdekuri nga varri ishin Rilindasit e Stambollit, Kajros, Bukureshtit, Kalabrisë, Shkodrës dhe më tej protagonizmi nacionalist kaloi në Amerikë, ku rolin kryesor do e luante “Vatra” e Nolit dhe e Konicës. Ajo çka ngjallë interes të dihet: pse etja për pushtet dominoi përkundër misionit për të bërë shtet? Përgjigjen e merr duke iu referuar librave të Ilir Ikonomit. Krerët, ngaqë ishin mësuar të bënin karierë në shtete të huaja, sikundër në perandorinë osmane, madje dhe “qeveritë kukullë” shfaqur nën pushtimin italian alias “perandoria romake” apo gjerman alias “perandoria austro-hungareze”, me gjasa se po rikthehej koha e Qyprillinjëve apo e dinastisë shqiptare në Egjipt me mbretin Faruk, iu riaktivizua tundimi i hershëm për pushtet nën një shtet të huaj. A e kemi qeverinë, varja shtetit?! (Madje dhe në Itali, sikurse në Australinë e sotme shqiptari ia del të jetë në krye të qeverisë.) Edhe pse kariera të dështuara, ato përsëriteshin thuajse si në dramat e klasiçizmit. Nuk është rastësi, që të gjithë kryeministrat të kenë thuajse të njëjtin fat, që nga Sulejman Delvina i mbyllur në çmendinën e Vlorës deri tek ky i sotmi, që mori malet. Konica e përbuzte Sulejman Delvinën, i cili akuzohej si “dora e zezë e xhonturqëve”... Aq i zemëruar ishte Konica me qeverinë e Tiranës sa i kishte ndërprerë marrëdhëniet politike dhe me të vëllanë Mehmetin”-vë në dukje autori raportet e acaruara të elitës me parinë. Të parët merreshin me “fronin e perëndisë”, Baba Tomorin, ndërsa kolltugofakët rendnin pas posteve. Rilindasit krijuan plejadë, ndërsa paria e nisi me “klikën” duke përfunduar në oligarki me ëndrrën e fshehur për dinasti. Nga “familjet e mëdha” do përfundonim tek “familjet mafioze”.) Të gjithë e kishin mendjen si të ruanin postet dhe bënin kompromise në dëm të interesave të vendit, shkruhet në libër. Edhe pse ia punonin njeri-tjetrit, nuk harronin, që në fund të letrave të nënshkruanin: “Mbetem, i juaji me besë!” Enver Hoxha i ra shkurt fare: “i juaji”, duke mos qenë i asnjërit. Por, deri ku shkonte pabesia? Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi i kërkuan Ismail Qemalit t`i lejonte vrasjen e Esatit, i cili s`kishte lënë gjë pa bërë kundër Plakut të Vlorës, por ai i përgjigjet prerë: “Po të veprohet me vrasjen e njëri-tjetrit për formimin e shtetit shqiptar, unë do marr valixhen e do iki.” (Si Boletini dhe Gurakuqi do vriteshin në pritë. Vrasja e Avni Rustemit do bëhej shkak që të shpërthente revolucioni i Qershorit. Trupi i tij do të përdorej njësoj, sikurse xhenazeja e Azem Hajdarit, heq unë një paralele.) Megjithëse të huajtë kërkuan që Noli të shmangte gjyqet politike, “Zyrtarët financiarë shkuan në Mat dhe sekuestruan një pyll të Zogut. Akuzonin Zogun dhe Rauf Ficon se në formë gjobash kishin grabitur 300 krerë bagëti nga katundet e jugut.” U nxor një dekret: kush kundërshtonte autoritetet me armë dënohej me vdekje. Kush bënte propagandë kundër shtetit burgosej me internim deri në 5 vjet. Si zgjatim i këtij dekreti do ishte neni famëkeq 55 për agjitacion e propagandë i komunistëve.
Kur shteti shqiptar pas Luftës së Parë Botërore rrezikonte të mos njihej, kufijtë të gllabëroheshin, ai që luftoi si askush tjetër në kancelaritë evropiane: ishte Fan Noli, të cilin qeveria e kohës e kthen mbrapshtë kur ai arriti në portin e Durrësit. Sigurisht, kur ka përkthyer monologun e Hamletit “O botë, e prapsi o dreq, unë paskam lindur të të ndreq?”-Noli ka gjetur rastin të shpreh në to dhe dramën e tij. Askush nuk është lidhur aq shumë me tragjeditë e Shekspirit se sa Fan Noli dhe Ismail Kadare, të cilët bën aq shumë për njohjen e Shqipërisë në botë, kur të tjerët e kanë mendjen tek pushteti personal, si një armik i betuar për të mos patur shtet. Unë paskam lindur të të ndreq?! (Lexojeni Ilir Ikonomin, nëse doni të kuptoni dhe Shqipërinë e sotme.)
Shënim: Fragment nga sprova “Katër vitet e Fan Nolit në 400 faqe libri” kushtuar librit të Ilir Ikonomit “Rebeli”.

2 Komente

  1. B
    Bisht qeni sunit shiit mbetet bisht qeni....

    Po c'Noli thoni more!?ki ishte lanet orthodhox.... Ka ndonje defterqitap per Kemol Atatürk,ai po na duhet neve muslimon brothers m'Albaniston.....

    Përgjigjjuni
    1. Z
      Z.......

      Rilindasit kanë meriten e tyre, por meriten madheshtore e kane shqiptaret e te gjithe trevave qe ruajten gjuhen shqipe si ne jug dhe ne veri, ruajten zakonet, veshjet etj... Polli mxjerr elite, elita as ben as nxjerr popull... Ki Murgu, duke e lënë popullin mënjanë, më shumë mbjell coroditje...

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje