Manjola Camuset-Trebicka merr titull në Francë, dekorohet me “Kalorës i Urdhrit të Meritës” i Republikës Franceze

31 Janar 2026, 17:43Kulturë TEMA

Pianistja dhe profesorja franko-shqiptare Manjola Camuset-Trebicka më 20 janar është vlerësuar me dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Meritës” të Republikës Franceze.

Dekorata, e dorëzuar nga Kancelari i Madh i Legjionit të Nderit, gjenerali François Lecointre, është një vlerësim për rrugëtimin e saj të suksesshëm mes të dyja vendeve.

​Në një bisedë plot emocion nga Parisi me Andri Xhahun në emisionin “Në Radio”, Trebicka u shpreh se ky moment është një pasqyrë e të gjithë jetës së saj. Për artisten që u formua në Tiranë përpara se të ‘pushtonte’ skenat dhe katedrat franceze, ky titull kapërcen kufijtë personalë.

​“Ky është një vlerësim i të gjithë historisë sime personale, por edhe historisë sonë të përbashkët që nis që nga rrugëtimi në Shqipëri e deri më tani,” u shpreh ajo.

​Fjalimi i saj i pranimit të titullit të lartë ishte një narrativë filmike që nis me ngjyrat bardhë e zi të fëmijërisë në Shqipëri, duke u ngjyrosur rrugës me pasionin e profesorëve, mbështetjen e familjes dhe mbërritjen në Francë. ​Mbi çdo gjë, titulli i fjalës së saj ishte një leksion për të gjithë: “Të vazhdosh të mësosh gjithë jetën”. ​

“Unë u bëj homazh profesorëve të mi, familjes dhe të gjithë atyre prej të cilëve kam mësuar gjithë jetën. Duke qenë i thjeshtë dhe të qëndrosh i denjë, duhet të vazhdosh gjithë jetën të mësosh.”

​​Protokolli francez është i rreptë; emri i të dekoruarve publikohet në Gazetën Zyrtare me dekret të Presidentit pasi është shqyrtuar e gjithë veprimtaria ndër vite.

Për Manjolën, lajmi erdhi krejt papritur në një ditë të zakonshme pune.

​“Isha duke lexuar email-et e punës. Shumë persona që kishin parë publikimin me emrin tim në Gazetën Zyrtare më uronin për dekoratën. Nuk e prisja dhe as e imagjinoja. Lotët nuk më lejonin të shikoja ekranin e tabletit.”

​E veshur me përgjegjësinë e titullit, ajo e cilëson dekoratën si një përgjegjësi morale: “Kjo dekoratë është një detyrim që të jem e denjë për kordonin blu që do të mbaj në kraharor gjithë jetën”. ​

E pyetur mbi sakrificat dhe dyshimet që shoqërojnë një artist, Trebicka shprehet e prekur: “Nuk mund të ecet përpara duke patur bindjen e plotë që ajo që bën është shumë e mirë. Unë mendoj se në art, i takon publikut të gjykojë nëse ajo që bëjmë është e denjë për në skenë. Kur ngjitesh në skenë duhet të jesh i denjë me pritshmërinë e publikut. Arti është i shenjtë dhe publiku është shumë i çmuar”.

Ajo ngriti pyetjen që çdo artist i madh duhet t’i bëjë vetes: A i meritoj vërtet ato duartrokitje? ​

“Një artist që del në skenë me bindjen që ka arritur atë që dëshironte me veprën ose punën e tij, është me shumë rrezik. Në fund është pyetja: A i meritove duartorkitjet e publikut se fustani ishte i bukur dhe flokët kaçurrela apo i meritove sepse me lojën tënde ti i çove ata më lart se sa e përditshmja? I çon ata të besojnë se çdo ditë që ngrihemi ia vlen që të përpiqesh. Gjithë jetën time shpresoj që të mbaj brenda vetes një lloj përulësie, sepse për mua mbi të gjitha është krijimtaria dhe ai që krijon. Ne jemi vetëm shëbyes të kësaj krijimtarie dhe mundohemi ta shohim në 360 gradë”.

​​Nëse sekreti i suksesit të saj është “kokëfortësia” shqiptare apo “disiplina” franceze, Trebicka thotë se forca e karakterit është motori që e ka shtyrë përpara në çdo sfidë.

​“Unë them që është një forcë karakteri që kur ndërmarr diçka, nuk kthehem më mbrapa. Ju them shpesh miqve të mi më të rinj ose nxënësve: mos harroni kurrë që edhe kur qielli është i zi nga retë, dielli është gjithmonë lart. Ne nuk e shikojmë por është aty. Dhe mbas shtrëngatës është gjithmonë paqja dhe dielli del”.

Në mbyllje, këtë triumf që nderon jo vetëm atë, por të gjithë kulturën shqiptare në diasporë, Manjola Trebicka ia dedikon familjes me F të madhe. Prindërit, motra, bashkëshorti dhe fëmijët janë “kordoni” i vërtetë që e ka mbajtur lidhur me vendlindjen dhe e ka frymëzuar të prekë qiej të rinj suksesi. A.K./TemA

Lini një Përgjigje