Në Akademinë e Shkencave zhvillohet leksioni “Muzika si inteligjencë emocionale" me Eno Koçon

28 Mars 2024, 07:46Kulturë TEMA
Në Akademinë e Shkencave zhvillohet leksioni “Muzika si

Një artist i talentuar e mbjell vetë kohë pas kohe me punë e vepra farën e suksesit. Asgjë nuk lind nga hiçi. Ndaj, Eno Koço ka besuar dhe beson se muzika është shprehëse e denjë e inteligjencës emocionale.

Dhe ishte tani rasti për ta thënë.

Në orën 11.00 dje në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Qendra e Studimit të Arteve pranë ASHSH organizoi një lectio magistralis me titullin "Muzika si inteligjencë emocionale" me Eno Koçon, muzikolog, profesor, dirigjent e anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave.

Ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari, akad. Vasil Tole, anëtarë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, artistë e instrumentistë të njohur dhe studentë të muzikës.

Veprimtarinë e moderoi akad. asoc. Stefan Çapaliku, drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve.

Eno Koço, bir i muzikantëve Kristo Koço dhe Tefta Tashko rrëfeu udhëtimin e tij në rrugën e muzikës. Nisi në moshën 7- vjeçare të studiojë violinë në Liceun Artistik të Tiranës, më vonë në Leningrad, dhe pastaj u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, më 1966-n. Pas përfundimit të studimeve për dirigjim më 1977-n, emërohet dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTVSH. Më pas drejtoi Orkestrën Simfonike të Kajros në Egjipt (1986) dhe u atashua pranë Orkestrës RAI dhe Operës Regio të Torinos (1989).

Eno Koço rrëfeu për jetën midis Anglisë dhe Shqipërisë, që nga viti 1992, me një veprimtari të pasur si dirigjent, muzikolog dhe profesor.

Akad. Stefan Çapaliku e pyeti akad. Eno Koçon për lidhjen me muzikën, a lindi ajo si dashuri prindërore e munguar.

Eno Koço, prindërit e të cilit u ndanë nga jeta kur ai ishte 5 vjeç, rrëfeu se lidhja e rrugëtimit të tij në fushën e muzikës është ndikuar nga miqtë e prindërve dhe të afërmit, të cilin e regjistruan për të studiuar violinë, ku ai më pas ndjeu se nuk kishte aq shumë talent për të luajtur në këtë instrument dhe nisi një tjetër rrugëtim të madh në botën e muzikës, duke u bërë një nga dirigjentët më të shquar shqiptarë.

Eno Koço shpjegoi se u bë artist nga dashuria e thellë për muzikën, por nga ana tjetër dashuria e munguar prindërore i ka ardhur e shpërblyer nga intelektualë të shquar të kohës së prindërve të tij, si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Gaqo Tashko, e të tjerë, të cilët vlerësonin kontributin e Kristo Koços dhe Tefta Tashkos në muzikën shqiptare dhe ndikuan në ndërgjegjen e artistit të ri për ta përfaqësuar me dinjitet këtë muzikë. Madje dashuria për muzikën është trashëguar tek fëmijët dhe nipërit e mbesat.

Eno Koço pohoi se njësoj si prindërit e tij, të cilët i dhanë zë muzikës tradicionale shqiptare me regjistrimin në studiot më të famshme europiane, është i lidhur me traditën; një lloj anakronizmi që nuk rrjedh aq nga dëshira për t’u kthyer pas në kohë, por pikërisht nga akumulimi i përvojës së tij muzikore, përjetimi i veprave muzikore, duke e përcaktuar në fund të fjalës muzikën si inteligjencë shpirtërore, pavarësisht nga vendi apo koha kur ajo krijohet.

Akad. Stefan Çapaliku bashkëbisedoi gjatë kësaj veprimtarie edhe për veprat artistike të Eno Koços në fushën e muzikologjisë.

U diskutuan  botimet shqip dhe anglisht në fushën e muzikologjisë siç janë traktati “Orkestrimi”, në bashkëpunim me Gjon Simonin, dhe librat “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”,  “Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930”, “Kënga karakteristike korçare , “The Albanian Urban Lyric Song in the 1930s” , e të tjera.

Më tej rrëfimi rrodhi në vitet e fundit të karrierës së tij.

Eno Koço pas stabilizimit në Angli, paralelisht me orkestrat anglo-irlandeze, ka mbajtur lidhje të përhershme me orkestrat dhe koret e Shqipërisë, ka dirigjuar në Orkestrën Kombëtare të Tiranës, ka mbajtur dhe mban komunikime shkencore në universitetet e Europës, duke afirmuar vlerat muzikore shqiptare, dhe ka promovuar muzikën e kompozitorëve britanikë në Tiranë, duke i afruar artistët dhe publikun shqiptar me vlerat e larta të muzikës botërore.

Në fund të bisedës me akad. Çapalikun, të pranishmit i bënë pyetje dhe diskutuan me Eno Koçon për çështje të muzikës shqiptare dhe asaj botërore, si dhe për lidhjet e muzikës me poezinë, e më gjerë.

Eno Koço mban gradën doktor në filozofi (fituar në Universitetin e Leeds-it, 1998), me temën “Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930” dhe titullin profesor i asociuar dhënë nga Akademia e Arteve të Tiranës (2005).

Kritika profesioniste ka analizuar me hollësi veprimtarinë interpretative dhe studimore të Eno Koços, e pasqyruar në mediat e Shqipërisë, Anglisë dhe Amerikës. Libri i tij “Kënga lirike qytetare në vitet 1930” jepet për referencë në 102 universitete te botës, kryesisht të SHBA.

Në fushën e diskografisë kontributet e tij shënohen me emetimin fillimisht të 10 CD-ve dhe së fundi edhe 18 CD-ve të tjera, në të cilat pasqyrohet kultura muzikore shqiptare nëpërmjet regjistrimeve me OSRSH gjatë viteve 1978‒2018. CD-të janë prodhuar në Shqipëri, Angli dhe Rusi.  Eno Koço paraqitet në edicionet “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Who’s Who in the World”, IBC, Cambridge (Qendra Biografike Ndërkombëtare), ABI (Instituti Biografik Amerikan). A.K.TemA

1 Komente

  1. A
    Ani

    Por jo per keta matufe shterpe parazite qe vetem marrin rroge.

    Lini një Përgjigje