Zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik "Marie Kraja"

27 Mars 2024, 08:17Kulturë TEMA
Zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik "Marie

Me datë 28 dhe 29 Mars, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”.

Në festival do të marrin pjesë 16 Konkurrentë që do garojnë për të marrë çmimin që bart emrin e themelueses së operës shqiptare Marie Kraja.

Juria ndërkombëtare ka mbërritur dje në Tiranë për të gjykuar se kush do të jenë triumfatorët e edicionit jubilar.

Juria do të përbëhet nga Znj. Cecilia Gasdia, Manaxhere e Përgjithshme dhe Drejtore Artistike e Fondacionit “Arena di Verona”, Znj. Zana Çela, Themeluese e Festivalit Nderkombëtar Operistik “Marie Kraja”, Z. Alessandro Ariosi, President i agjencisë “Ariosi Artists Management”, Los Angeles, Z. Kristoph Seuferle, Drejtor i Deutsche Operas së Berlinit, Z. Tobias Hasan, Drejtor i Staatsoperas Unter Den Linden të Berlinit.

Ashtu si nga Znj. Karen Stone, Drejtoreshë e Përgjithshme e “Opera Europa”, Bruksel, Znj. Ervis Gega, Drejtore Artistike e Fondacionit Villa Musica Rheinland-Pfalz Gjermani, Znj. Julia Lagahuzère, Drejtoreshë e Përgjithshme e “Operas per Paqe”, Paris, Z. John Allison, botues i revistës Opera Magazine, Londër, Znj. Vikena Kamenica, Mezzo-soprano, soliste e parë e Teatrit të Operas e Baletit, Tiranë.

Festivali është konceptuar në formën e spektaklit dhe gjatë dy netëve mund të shijohet nga të gjithë. Në moderim do të jetë sopranoja e njohur Enkeleda Kamani që do të shoqërohet në prezantim nga gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Salaj ndërsa Vikena Kamenica, përveçse anëtare jurie do të bashkohet për të komentuar performancat e finalistëve.

Këngëtarët lirikë do të konkurrojnë në dy disiplina: gara e arieve dhe ajo e këngës. Këngët lirike, më të njohurat dhe më të dashurat e repertorit botëror dhe shqiptar do të vijnë në formën e dueteve. Natën e parë duetet do ti realizojnë me njëri tjetrin kurse në finale do të këndojnë me artistët më të njohur të skenës shqiptare si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola dhe Enxhi Nasufi do të këndojnë krah këngëtarëve operistikë në garë. Ky festival realizohet me mbështetjen e veçantë të Bashkisë Tiranë. A.K./TemA

 

 

Lini një Përgjigje