Tryezë shkencore në Akademinë Shkencave të Shqipërisë: Përkujtohet roli i princit Wied, në përpjekjet e tij për mëkëmbjen e shtetit shqiptar

27 Mars 2024, 09:01Kulturë TEMA
Tryezë shkencore në Akademinë Shkencave të

Në kuadër të nismës së saj për përgatitjen dhe botimin e një historie tjetër të shqiptarëve dhe në përvjetorin jubilar të Shqipërisë-principatë, Akademia e Shkencave organizoi dje tryezën shkencore kushtuar periudhës gjashtëmujore të historisë së Shqipërisë nën kurorën e një sovrani europian, me princin e mandatuar prej Fuqive të Mëdha Wilhelm von Wied.

 

Akad. Gëzim Hoxha, kryetar i SSHSHA, përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se periudha në vëmendje të historianëve në tryezën e sotme përbën një hallkë të rëndësishme historike të rrugës së pavarësimit të Shqipërisë, të orientimit të saj gjeopolitik, prej Shpalljes historike të Pavarësisë më 28 nëntor 1912, deri në konsolidimin e njohjen ndërshtetërore në vitin 1920.

 

Akad. Marenglen Verli mbajti kumtesën “Opinione të Wied-it për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ai u shpreh se se princ Wied-i ishte i zgjedhuri i gjashtë Fuqive të Mëdha për të drejtuar principatën shqiptare në kufijtë politikë të njohur prej tyre. Në zbatim të vendimit për Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (29 korrik 1913), më 7 mars 1914 princ Wied-i dhe “Qeveria definitive” e krijuar prej tij, përveç problemeve të shumta të brendshme që duhej të zgjidhnin, kishin detyrimin madhor të ndërtonin shërbimin e jashtëm e të përcaktonin përparësitë politike në marrëdhëniet me botën.

 

Prof. Ksenofon Krisafi analizoi pozitat juridiko-ndërkombëtare të “principatës shqiptare” të Wied-it në kontekstin e kohës, kur Shqipëria ende shihej si një plaçkë në duart e Fuqive të Mëdha. Ai u ndal te vështirësitë dhe mënyra sesi kjo principatë u pa nga studiuesit e huaj. Prania e princ Wied-it në Shqipëri është një realitet që nuk duhet të hiperbolizohet as të sfumohet, tha ai. Wied-i duhet vlerësuar duke e parë në kontekstin e zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit, në kushtet e vështira që kishin të bënin me Shqipërinë e asaj kohe, me politikat aneksioniste të fqinjëve dhe me qëndrimet e paqarta dhe madje antishqiptare prej Fuqive të Mëdha.

 

Prof. Romeo Gurakuqi mbajti kumtesën “Pavarësia e parë e Shqipërisë dhe vendi i principatës së princit Wilhelm Wied në lindjen e shtetit modern”. Ai paraqiti përkufizimin, përmbajtjet dhe kronologjinë e dhjetëvjeçarit që fillon nga shpallja e Pavarësisë me 28 nëntor 1912 deri në rinjohjen ndërkombëtare të Shqipërisë më 9 nëntor 1921, në aspektin e ekzistencës shtetërore, politiko-institucionale dhe njohjes ndërkombëtare.

 

Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi paraqiti profilin e princ Wied-it në këndvështrimin e dokumentacionit arkivor gjerman dhe mënyrën sesi shihet qeverisja e tij dhe personazhet politikë nëpërmjet shtypit gjerman e më gjerë. Deri në momentin që do të zgjidhej nga Fuqitë e Mëdha, me propozim të Austo-Hungarisë dhe të Italisë, Wilhelm von Wied ishte kapiten i kavalerisë gjermane dhe shërbente në Potsdam, në një kazermë shumë të njohur, ku mblidheshinbkryesisht aristokratët gjermanë të asaj kohe. Vinte nga një familje relativisht e njohur në historinë gjermane, por që me kalimin e viteve e kishte humbur shkëlqimin e saj dhe u ribë e njohur pikërisht në momentin që po përflitej për t’u zgjedhur si princ i Shqipërisë.

 

Akad. Aurela Anastasi dhe dr. Erind Mërkuri paraqitën kumtesën “Përpjekjet për reformimin e sistemit të drejtësisë gjatë principatës së Shqipërisë dhe ndikimi vijues në reformat gjyqësore”, mbështetur në materiale të reja arkivore. Përmes kësaj kumtese autorët analizuan dispozitat e Statutit Organik të Shqipërisë (1914) në lidhje me organizimin gjyqësor, si dhe Kanunin për gjykatat e drejtësisë në Shqipëri (qershor 1914).

 

Akad. Shaban Sinani mbajti kumtesën “Kronikë në letërsi - koloneli Thomson”. Sipas tij, personaliteti i kolonel Thomson-it, në vlerësimin e shqiptarëve, ka kaluar nëpër tri faza: 1. Faza e hyjnizimit, ditirambit, monumentalizimit, kthimit në shëmbëlltyrë të albanofilisë dhe të flijimit për shqiptarët (periudha 1912-1939), së cilës i përket edhe poezia “Thomsoni e kuçedra” e Fan Nolit, fjalimi në frëngjisht i Faik Konicës në ceremoninë e përcjelljes (jo të varrimit, sepse koloneli u përcoll për t'u prehur në vendlindje), poezitë e Asdrenit dhe vlerësimet e Fishtës (për të përmendur vetëm më të rëndësishmit. Akad. Sinani vuri në dukje se dy qenë arsyet e veçanta pse ndryshoi qëndrimi ndaj kolonelit Thomson gjatë periudhës ideokratike: Së pari, sepse ajo që u quajt si "kryengritje e Shqipërisë së Mesme", që kishte në krye Haxhi Qamilin dhe Musa Qazimin, u shpall nga vetë E. Hoxha si lëvizje popullore përparimtare, sepse, siç u tha dhe u shkrua, populli intuitivisht kuptoi atë që Ismail Qemali nuk arriti ta kuptonte, që një Shqipëri nën mbrojtjen e Turqisë ishte më e sigurt se ajo "e mosvarmja".

 

Akad. Vasil Tole mbajti një kumtesë origjinale, që pasqyron veçanërisht aspektin kulturor të qeverisjes së princ Wied-it: “Princ Wied-i, mbreti me himn dhe me marsh muzikor”. Akad. Tole tha se princ Wied-i dhe princesha Sofia ishin në aspektin kulturor e intelektual përfaqësuesit më emblematikë europianë në Shqipërinë që sapo kishte dalë nga Perandoria Otomane. Me gjak fisnik, të shkolluar e zotërues të gjuhëve, të pasionuar pas arteve e muzikës, ata reflektuan me sjelljen e tyre, në fund të fundit me atë që ishin në të vërtetë, modelin më ideal të drejtuesve për qeverisjen e Shqipërisë (që ata e quanin “Atdheu i ri”), ndoshta jo më pragmatikët, por të duhurit. Në takimin që princ Wied-i kishte pasur me perandorin gjerman para ardhjes në Shqipëri, i kishte pohuar se ai e shikonte këtë detyrë si një sfidë dhe se ishte përzgjedhur të ishte realizuesi i një misioni kulturor për një vend tepër të pacivilizuar. Edhe gruaja e Wied-it ishte shumë entuziaste për këtë projekt dhe mezi priste të vinte në Shqipëri e të fillonte punën për civilizimin e vendit. A.K./TemA

 

 

3 Komente

  1. j
    jon

    Cdo artikull i Temes eshte propagande me qellime mashtrimi.Si ta zbulosh mashtrimin eshte shume e lehte por duhet e para te heqesh ‘’lakerat komuniste’’ nga truri. 1-Shprehja e mesiperme ‘’fuqite e medha kishin qellim coptimin e Shqiperise’’ eshte vetem gjysma e fjalise. Pjesa tjeter vazhdon ‘’dhe me ne krye PKSh dhe shokun Enver u dha fund synimeve… bla, bla, bla’. 2-Perseri ‘’ akademite e shkencave’’ qe jane pa fund ne Shqiperi eshte propagande komuniste . Le te thote dikush nje veper shkencore te shkencetareve shqiptare qe njihet ne bote. Fjala shkence ka kuptim universal 3- Po shprehja ‘’Tryeze shkencore’’ …se mbaj dot te qeshuren cfare kuptimi ka? .4- Lakera me e madhe e shqiptaeve eshte se Princat dhe Mbreterit jane parasite. Eshte e pamundur qe Shqiperia te eci perpara me kete tru. Ka mundesi qe nje atlet te fitoje gare kur ka ne kurriz 5kg peshe dhe atletet e tjere kane 0kg peshe mbi kurriz. Te pastrojme trurin eshte gjeja e pare. Une mendoj se nqs se ky princ do arrinte te vinte, do ishte gje pozitive. Populli e priste me padurim. Por kishte ardhur koha qe mbreterve u pritej koka, duhet te zevendesoheshin me komunistet apo me demokratet.

    1. K
      Klysh Sionisti...

      Zv/ambasadorja e Frances ne Shqiperi, pyet dikë aty nga viti 2000, se çfarë kishte dëshirë të bënte profesionalisht në jetë dhe pergjigjia e tij: dua të bëj dicka qe s'do të mundem ta bëj, do të doja të bëja një reportazh një orë apo një orë e gjysmë rreth jeteses ne një familje te mesme fshatare ne një fshat mesatar shqiptar, dha ta ballafaqoja me të njëjtën gjë në Greqi, Italine e jugut, Francen e jugut dhe Spanje... Pergjigjia e saj: do të ishte grushti më i rëndë për Partine e Punës...

      1. K
        Klysh Sionisti...

        Reportazhi do të trajtonte si kohë, vitet 1930 te fshatit shqiptar dhe te fshatit të brigjeve veriore të Mesdheut...

        Lini një Përgjigje