Jeta dhe studimet
Lindi në Tepelenë në vitin 1957. Studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe.
Punoi disa vjet minator dhe mësues në vendlindje.
Më pas gazetar në gazetën “Zëri i rinisë” (1985-1988); shef i redaksisë së poezisë, dramës dhe kritikës letrare në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” (1989-1993); bashkëthemelues i gazetës së parë pluraliste “Rilindja Demokratike” (1990-1992); bashkëthemelues i gazetës “Dita Informacion”, 1993; themelues i gazetës “Populli PO” dhe Shtëpisë Botuese “Faik Konica” (1993-1996); Konsull i Përgjithshëm në Janinë (1998-2003); Konsull i Përgjithshëm në Selanik (2003-2006); specialist dhe drejtor i Akademisë Diplomatike dhe Drejtor i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2006-2016).
Në vitin 1994 zoti Zhupa u dënua me 2 muaj burgim nën akuzën e shpifjes kundrejt shërbimit sekret shqiptar bashkë me 4 gazetarë të tjerë.
Zhupa ishte ndër 27 nënshkruesit e peticionit të intelektualëve shqiptarë në 17 qershor 1996, duke protestuar kundër abuzimeve gjatë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Në vitet ’90-’98 ka qenë anëtar, koordinator dhe nënkryetar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Aktualisht punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) nën kuadrin e Akademisë Diplomatike.
Ka botuar librat me poezi:
“Diell mbi kasketë”, 1978;
“Poezi”, 1985 - nderuar me Çmimin e Republikës;
“Mos më pyet ku kam qenë”,1988 - vlerësuar si Libri më i Mirë Poetik për të Rinj;
“Pema e ëndrrës”, 1990, Rilindja, Prishtinë - nderuar me çmimin Libri Poetik më i Mirë i Vitit;
“Të gjallë dhe të vdekur”, 2015 - nderuar me çmimin Poeti i Vitit 2015, Fondacioni Harpa;
“Një ambasador në vetë të parë”, 2016, botim monografik.
Në tetor 2016, për kontributin në fushën e letrave, u nderua me çmimin e artë Aleksandri i Madh në Greqi.
Ka botuar shumë shkrime analitike dhe eseistike.
Poezitë e tij janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës.
ËSHTË VONË TË MË MUNGOSH
Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.
Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.
O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.
Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.
Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.
Është vonë të më mungosh, e dashura ime!
ATDHEU
Për mua, fëmijën, atdheu ishte zëri i nënës,
Krahët e fuqishëm të babait kur më ngrinte drejt llambës,
Përrallat e gjyshes për ujkun dhe qengjin
Dhe ato pak metra katrorë të dhomës.
Çdo ditë si për çudi ai zgjerohej para meje,
Zbriste shkallët e shtëpisë dhe bëhej udhë,
Fluturonte me zogjtë dhe bëhej çerdhe,
Gurgullonte me përroin dhe bëhej lumë.
Një ditë prej ditësh mbërrita në udhën e madhe
Dhe mbeta i shtangur mes hapësirës pa fund,
Atdheu zgjerohej si rrathët mbi ujëra,
Shtjellë ndjehesha unë.
U deshën shumë vjet që ta kuptoja atdheun,
Gjerësinë e tij, njerëzit, gjuhën, këngët,
Udhën ku ecte, qëndresën, armiqtë,
Të gjallët dhe të rënët.
E megjithëse mësova kaq gjëra, prapë në mendje më mbeti,
“Atdheu i parë”, zëri i nënës, lojnat, përrallat e gjyshes...
Dhe, që e gjeta te të gjitha këto, vërtet
S’ka asgjë të çuditshme.
SHUMË QENKAM RRITUR
- Prisni të rritem! – dikur u kam thënë,
Barit në oborr dhe maces së larme,
Maces së larme dhe pjergullës së madhe,
Pjergullës së madhe dhe vajzës së rritur,
Vajzës së rritur dhe foshnjës së mitur,
Foshnjës së mitur dhe shiut të dendur,
Shiut të dendur dhe pleqve një shekull,
Pleqve një shekull dhe portës së hekurt,
- Prisni të rritem! – dikur u kam thënë.
Me kohë shkrova vjersha dhe historira,
Për pleqtë e përjetshëm dhe vajzat e mira,
Shkova t’i gjeja dhe u trondita.
A.K./TemA
prici Vjershave te Fillores thoni o ju mbyllte por jo hahahahah ,se na semuret kakareja .le te ishte ai shejtani surrat vrerosur ,cdo bente .do lajmeronte Partin ta syrgjyosnin pionerin e fillores .ou .si guxoni ju mre koce kanari lshoni kto brockulla ! jeni tu lon kocet e nomit ,vdiqem tu qesh