PIKTURA E DITËS: “Brigadieret” e piktorit Vilson Kilica, vepra e bujshme e realizmit socialist

1 Shkurt 2026, 19:45Kulturë TEMA
PIKTURA E DITËS: “Brigadieret” e piktorit Vilson Kilica, vepra

Brigadieret gjatë viteve të komunizmit shkonin në punë, me biçikletë. Piktura e mjeshtrit Vilson Kilica, e cila i përket periudhës së realizmit socialist është realizuar në fund të viteve ‘60, kur Shqipëria lidhi marrëdhëniet me Kinën dhe biçikletat u bënë pjesë e pandarë e shoqërisë sonë. Vepra u duk e guximshme për kohën dhe mund të realizohej vetëm nga një artist si Kilica.  

Kthimi i artistëve të parë që kryen studimet e larta në vendet e ish-kampit socialist, gjatë viteve të para të regjimit kur nuk ishin themeluar ende Universiteti i Tiranës dhe Instituti i Arteve, krijoi brezin e artistëve shqiptarë që ishin dhe krijuesit kryesorë të talentuar të veprave të artit të Realizmit Socialist.

Në artet pamore shqiptare të pas viteve 1960, ashtu si dhe në letërsi, muzikë, kinematografi, teatër e fusha të tjera të kulturës largimi nga rregullat strikte të metodës së Realizmit Socialist, ishte e pamundur dhe në disa raste kush guxoi t’i shkelte (në vitet 1970 -1973) përfundoi me masa të rrepta represive deri në burgosje si artistët: Ali Oseku, Maks Velo, Edison Gjergo.etj. Ndër artistët e rinj të porsa kthyer nga studimet Akademike në Shën Petërburg (ish BRSS), ishte dhe piktori Vilson Kilica (1932-2016), i vlerësuar si një student i shkëlqyer dhe me të ardhme në pikturën shqiptare.

Krijuesi i Akademisë së Arteve dhe drejtori i parë i saj Kilica ndërroi jetë në vitin 2016, në moshën 84-vjeçare. Ai nisi të pikturojë që nga viti 1950, menjëherë pas studimeve që i kreu në ish-Bashkimin Sovjetik. Pas kësaj artisti kthehet në atdhe, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe artin shqiptar. Vepra e tij krijuese ruhet dhe ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Galerinë e Fierit si dhe në koleksionin e familjes.

Kilica mbetet ndër krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare. Mbi 100 vepra të tij janë ekspozuar brenda dhe jashtë vendit, në qendra kulturore dhe institucione të ndryshme. /mapo/

Lini një Përgjigje