Shpallet thirrja për çmimin “Ardhje”, artisti fitues do të qëndrojë dy muaj në New York

9 Prill 2025, 20:09Kulturë TEMA
Shpallet thirrja për çmimin “Ardhje”, artisti fitues do

Qendra për Artin Bashkëkohor ZETA shpalli thirrjen për çmimin “Ardhje 2025” dhe fton artistë të rinj (nën 35 vjeç), të dërgojnë aplikimet e tyre.
Qendra ZETA organizon këtë çmim, në bashkëpunim me Residency Unlimited, institucioni i cili pret artistin fitues si rezident dymujor në New York, mbështetur nga fondacioni “The Trust for Mutual Understanding”.

Çmimi “Ardhje” organizohet si një konkurs i përvitshëm, që ka për qëllim të nxisë krijimtarinë, ekspozimin dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht.

Ky çmim është pjesë e rrjetit “Young Visual Artist Award” që nga viti 2007, që ofron jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional.
Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtarë, do të përzgjedhë katër artistët finalistë. Afati përfundimtar për të dërguar aplikimin është 10 qershor 2025.

Lista e 4 artistëve të përzgjedhur si finalistë do të publikohet brenda datës 30 qershor 2025 dhe atyre do t’u akordohet një shumë prej 1200 dollarësh për realizimin e veprës pjesëmarrëse në ekspozitë. Hapja e ekspozitës me artistët finalistë dhe shpallja e fituesit do të mbahet në muajin tetor 2025.

Lini një Përgjigje