Shqipja e shkruar këto 100 vjetët e fundit është ndikuar shumë nga gjuhët neolatine, veçanërisht italishtja dhe frëngjishtja. Ky ndikim nuk ka qenë gjithnjë negativ, sepse shumë herë ka ndihmuar për të përpunuar struktura gjuhësore të përshtatshme për mendimin e nyjëtuar abstrakt; megjithatë, shumë herë të tjera është bërë shkak që në shqipe të futen elemente të panevojshme, si përdorimet shpesh të tepërta të nyjës joshquese një.
Mbretëria shqiptare ishte një mbretëri kushtetuese.
Mbretëria shqiptare ishte mbretëri kushtetuese.
Versioni i dytë është më korrekt dhe më besnik ndaj frymës së gjuhës.
1. Përgjithësisht, nuk ka arsye që nyja një të përdoret pas foljes jam, në ndërtime të tipit:
ishte (një) njeri i mrekullueshëm
mbledhja e nesërme do të jetë (një) gur prove
ujku është (një) kafshë e egër
jam (një) mbështetës i bipolarizmit
Në shembuj të tillë, të gjitha me foljen jam, kryefjala e fjalisë karakterizohet duke përmendur grupin ose klasën ku bën pjesë
2. I njëjti rregull vlen edhe për folje të ngjashme, si bëhem, shndërrohem në, kthehem në, katandisem në, mbetem, etj.:
Megjithë disa vepra të dobëta që ka shkruar, Qazimi mbetet (një) shkrimtar i madh.
Nga mik dhe aleat, Vendiku u shndërrua në (një) armik të betuar.
3. Në togfjalësha të paraprirë nga pjesëza krahasuese si, gjithnjë ka vend të shihet nëse përdorimi i një është i tepërt:
Kjo nuk duhet konsideruar si (një) garanci se sëmundja nuk do të kthehet.
Në shumë raste, ligjërimi publik shtjellohet si (një) monolog.
globalizmi shfaqet si (një) trysni për të hequr dorë nga sovraniteti
Raporti ndërmjet mitit dhe letërsisë tek “Darka e gabuar” shfaqet si (një) proces transformimi
Kadareja më në fund shfaqet si (një) bashkëbisedues më bujar se sa ai që na kalli frikën në fillim fare.
Niveli i taksave shprehet si (një) përqindje ndaj vlerës
Kultura funksionon si (një) substrat mbi të cilën ndërtohet ngrehina politike.
Ajo funksionon si (një) bazë të dhënash që mbulon aktivitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit shqiptar.
Prej 1 nëntorit 1998 ajo funksionon si (një) Gjykatë e përhershme e përbërë nga një numër gjyqtarësh i barabartë me numrin e shteteve palë të Konventës.
Aktualisht, Fondacioni i Shoqërisë së hapur – Soros (OSFA) vepron si (një) ndërmjetës mes aplikuesve dhe Institutit të Shoqërisë së Hapur (OSI)
Wang Ying, 33 vjeçe, punon si (një) menaxhere e shitjeve në një kompani të kozmetikës.
Nëna Elena ka të kryer shkollën e mesme dhe punon si (një) rrobaqepëse në një dyqan.
Ajo sot punon si (një) infermiere e specializuar dhe drejton fondacionin për fëmijët të lindur me probleme shëndetësore.
Mustafaj: Rusia do të sillet si (një) vend i përgjegjshëm për fatet e rajonit.
Në rast të kundërt, ai zgjedh të sillet si (një) politikan i zakonshëm i pjesës më të prapambetur të trevës ballkanik.
Ai flet si (një) menaxher muzikantësh, i cili organizon një koncert ku këndojnë këngëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia.
4. Ndërtime me foljet dhe shprehjet foljore bën të mundur, bën të pamundur, lejon, mundëson etj., ku forma e shquar duket se funksionon më mirë:
Ky buxhet bën të mundur një rritje prej 37 për qind të financimit të qeverive vendore, nga qeveria qendrore./Ky buxhet bën të mundur rritjen prej 37 për qind të financimit të qeverive vendore, nga qeveria qendrore.
Linja Herbal Line bën të mundur një normalizim të funksionit të lëkurës./Linja Herbal Line bën të mundur normalizimin e funksionit të lëkurës.
Roli im si Guvernatore bën të mundur një bashkëpunim më ta rreth burimeve dhe projekteve të bëra./Roli im si Guvernatore bën të mundur bashkëpunimin me ta rreth burimeve dhe projekteve të bëra.
Atmosfera politike sot bën të mundur një bashkim të mirëfilltë të Ballit Kombëtar./Atmosfera politike sot bën të mundur bashkimin e mirëfilltë të Ballit Kombëtar.
Ekzistenca e këtij besimi, bën të pamundur një trajtim të barabartë për të dy grupet./Ekzistenca e këtij besimi, bën të pamundur trajtimin e barabartë për të dy grupet.
Bora që i mbulon ato zakonisht prej tetorit në maj e bën të pamundur një banim të përhershëm./Bora që i mbulon ato zakonisht prej tetorit në maj e bën të pamundur banimin e përhershëm.
Dollari amerikan fitoi pikë kundrejt monedhës evropiane, çka e bëri të pamundur një ulje të çmimeve të karburanteve./Dollari amerikan fitoi pikë kundrejt monedhës evropiane, çka e bëri të pamundur uljen e çmimeve të karburanteve.
5. Ndërtime të tipit mbaj (një) qëndrim të mirë, tregoj (një) gjakftohtësi të madhe:
Unë jam i mendimit se jam nga shkrimtarët e rrallë që mbaj (një) qëndrim shumë kritik ndaj rinisë sime,
Të jeni të bindur se do të mbaj (një) qëndrim të prerë e transparent, në lidhje me këto qartësime.
U mundova të mbaj (një) qëndrim “burrëror”, por, pa dashje rashë në grackën e dhunës psikologjike të pushtetit të tyre.
tregoi (një) pjekuri të jashtëzakonshme
tregoi (një) kulturë të lartë sportive
tregoi (një) interes të veçantë për bimët medicinale
Nga fëmijërija e hershme ka treguar (një) sensibilitet të theksuar për muzikë.
Ka treguar (një) nivel të lartë teknik
Hans Peter Briegel ka treguar (një) profesionalizëm mediokër në pankinën kuqezi.
Populli shqiptar i Kosovës ka treguar (një) tolerancë të shkëlqyer ndërfetare
Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka treguar (një) rritje të ndjeshme të ekonomisë së saj.
6. Ndërtime të tipit reagoj me (një) qetësi të madhe:
Ata e kanë cilësuar si një lapsus të presidentit Moisiu dhe kanë reaguar me (një) ashpërsi të madhe ndaj deklaratës greke.
Ka reaguar me (një) qetësi shumë të madhe ndaj përpjekjeve të Panarelos për të shkëmbyer një dialog pas interpretimit.
Ka reaguar me (një) habi të paparë analisti i mirënjohur Mustafa Nano kur ka parë të publikuar në gazetën tonë sekretin e tij.
Të gjithë flasin në favor të faktit se popujt e regjionit janë duke reaguar me (një) pakënaqësi gjithnjë e më të madhe në lidhje me politikën e tillë.
7. Ndërtime të tipit: ka (një) rëndësi të veçantë, ka (një) vlerë të madhe, ka (një) domethënie të veçantë, luan (një) rol të rëndësishëm, jep një kontribut të çmuar, etj.
Zbulohet proteina që luan (një) rol të rëndësishëm në kancerin e pankreasit.
Qeliza luan (një) rol të rëndësishëm në reagimet energjike, sintezën e proteinave, si dhe në ruajtjen e ekuilibrit të acideve në trup.
Kisha luan (një) rol të rëndësishëm edhe në përforcimin e parimit të barazisë së plotë mes të gjithë antarëve të bashkësisë.
Check-up ka (një) rëndësi të veçantë për personat me një histori familjare për një sëmundje të caktuar.
Konferenca ka (një) rëndësi shumë të madhe pasi që për herë të parë donatorët ballafaqohen drejt për së drejti me përfaqësuesit legjitim të Kosovës.
Shqipëria ka (një) rëndësi të veçantë në planin e mbrojtjes së Aleatëve të Perëndimit.
Analistët politikë thonë se tranzicioni politik kësaj here ka (një) rëndësi të veçantë për arsye të krizës ekonomike në vend.
Shqipëria jep (një) kontribut të çmuar nën flamurin e OKB-së, NATO-s, BE-se, SHBA-së dhe të nismës së Europës Juglindore.
Në vitin 1966, ai emërohet pedagog i Kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep (një) kontribut të çmuar në përgatitjen e brezit të ri.
Lida është (një) nga volejbollistet më të shquara të kampionatit
Ganiu është (një) nga njerëzit më bujarë që kam njohur.
8. Më në fund, ndërtime të tipit:
Një njeri që punon, nuk ka kohë për thashetheme.
ku një ka kuptimin “çdo”, do të tingëllonin më mirë sikur emri përkatës të përdorej në trajtën e shquar:
Njeriu që punon, nuk ka kohë për thashetheme.
© 2008-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Mund të jetë njeriu i drunjtë por jo shqipja. Madje asnjë gjuhë tjetër natyrore nuk është e drunjtë përveç atyre kultura gjuhësore e të cilëve është e drunjtë.