Skënder Kamberi, një jetë në ngjyrë!

17 Prill 2026, 17:19Kulturë TEMA
Skënder Kamberi, një jetë në ngjyrë!

*Ermal Peçi


Ka artistë që krijojnë vepra, dhe ka të tjerë që krijojnë kohë. Skënder Kamberi i përkiste të dyjave: ai jetoi kohë të ndryshme dhe la pas vepra të çmuara të artit pamor. Me ndarjen e tij nga jeta në moshën 87-vjeçare, arti shqiptar humbi jo vetëm një piktor të madh, por edhe një dëshmitar të heshtur e të thellë të epokave që kaloi ky vend.

Me mbi 1,400 vepra të realizuara përgjatë një jete të tërë, Kamberi ndërtoi një univers ku ngjyra nuk ishte thjesht estetikë, por gjuhë. Një gjuhë që fliste për njeriun, historinë, përditshmërinë dhe shpirtin shqiptar. Nga kompozimet monumentale te portretet dhe peizazhet, çdo tablo mbante brenda një tension të brendshëm, një kërkim të vazhdueshëm për të kapur të vërtetën përtej dukjes.

Miqt e tij që e njihnin nga afër thonin se: mbi të gjitha, një nga tiparet më të veçanta të tij ishte mënyra se si e lidhte gjithçka me pikturën. Çdo përjetim, çdo ngjarje, çdo kujtim apo reflektim kalonte përmes telajos. Ai nuk e ndante jetën nga arti, përkundrazi, e jetonte artin si mënyrën e vetme për ta kuptuar dhe për ta rrëfyer botën. Piktura për të nuk ishte thjesht profesion, por mënyrë të menduari, të ndjeri dhe të vepruari.

Ai ishte një nga “penelat” më të spikatura të artit pamor shqiptar që prej viteve ’60, një kohë kur arti shpesh duhej të lëvizte brenda kufijve të lejuar. Në periudhën e realizmit socialist, Kamberi arriti të ruajë dinjitetin e krijimit, pa e humbur identitetin e tij artistik. Pas viteve ’90, ai u shfaq më i lirë dhe më i thellë, duke e çuar pikturën e tij drejt dimensioneve njëkohësisht personale dhe universale.

Në këtë rrugëtim të gjatë krijues, ai la pas disa nga veprat më përfaqësuese të pikturës shqiptare: “Ndihma e shokut” (1966), “Betimi i Vrana Kontit” (1968), “Buka e duarve tona” (1976), “Në Belvedere në Vjenë sikur pashë Skënderbenë” (1977), “Otranto, 1997”, si dhe portretet e Sali Vranishtit (1971) dhe të poetes Maro Pasho (1973). Këto vepra dëshmojnë jo vetëm mjeshtërinë teknike, por edhe thellësinë shpirtërore të autorit.

Veprat e tij nuk mbetën të mbyllura brenda kufijve. Ato udhëtuan, u ekspozuan dhe u vlerësuan në shumë vende të botës. Një pjesë e rëndësishme e tyre ruhen sot në Galeria Kombëtare e Arteve, ndërsa të tjera jetojnë në koleksione private dhe në kujtesën e atyre që kanë ndalur përpara tyre.Sot, kur flasim për Skënder Kamberi, nuk flasim vetëm për një emër, por për një epokë të tërë që ai e përktheu në ngjyra.

Historia ka treguar se humbjet e mëdha në art janë gjithmonë të pjesshme, sepse artistët si ai nuk largohen plotësisht, ata shpërndahen nëpër veprat që lënë pas. Ndoshta kjo është forca e tij më e madhe: ai nuk kërkoi të ishte i përkohshëm. Ai pikturoi për të mbetur përgjithmonë.

1 Komente

  1. A
    Agron Zeqo

    Eshte e vertete Ermal, Skenderi do jetoje nepermjet veprave Te pushofte shpirti ne paqe miku im

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje