Lahutari shqiptar, Jonuz Delaj, është ndarë nga jeta këtë të enjte në moshën 76-vjeçare.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, e kujtoi Delajn si “magjistarin e lahutës”.
Me ndarjen nga jeta të Jonuz Delaj, kultura shqiptare humbi jo vetëm një lahutar, por një epokë të gjallë të kujtesës sonë historike. I ardhur nga Malësia e Madhe, ai u njoh si “magjistari i lahutës” dhe shpesh u cilësua si një nga bartësit e fundit autentikë të Eposit të Kreshnikëve.
Siç rrëfehet edhe në reportazhe kushtuar jetës së tij, Jonuz Delaj e mbarti lahutën si pjesë të qenies së vet, duke kënduar këngë epike të mësuara gojarisht, pa shkrim e pa skenografi, vetëm me kujtesën, zërin dhe forcën shpirtërore. Për të, lahuta nuk ishte instrument, por dëshmi e identitetit dhe e historisë shqiptare.
Sot, kjo trashëgimi merr një domethënie edhe më të madhe, në kohën kur lahuta shqiptare gëzon statusin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s – një vlerësim që nderon edhe figura si Jonuz Delaj, të cilët e ruajtën atë në formën më të pastër.
Ai u largua nga jeta, por zëri i tij mbetet i gdhendur në tingullin e lahutës, në epikën shqiptare dhe në kujtesën tonë kolektive. Institucionet shqiptare janë të angazhuara për ruajtjen, përcjelljen brezave dhe edukimin mbi dijebërjen, që thesaret tona të traditës të jetojnë, të tregohen e të ushtrohen përgjithmonë. A.K./TemA
Nje nga lahutaret me te mire. U prehsh ne paqe axha Delaj e kendofsh ne mes engjujsh. Kenga e Lahtuarit eshte nje nga firmat e kesaj vegle e kengesh kreshnikesh.... https://www.youtube.com/watch?v=u586cexnlMQ