Vila 31 x Art Explora, Haddad: Tirana në platformat e mëdha kryesore të artit bashkëkohor

10 Prill 2025, 08:58Kulturë TEMA
Vila 31 x Art Explora, Haddad: Tirana në platformat e mëdha kryesore

Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, e cilësoi me rëndësi të veçantë përurimin e projektit “Vila 31 x Art Explora” që synon të kthejë shtëpinë e një epoke të errët në një qendër arti dhe kulture, duke mirëpritur rezidentët e parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e Shqipëria, talente të reja që do të jetojnë e krijojnë aty për disa muaj.

“Ky projekt sot e kalon përmasën kulturore dhe është shenjë emblematike e transformimit të Shqipërisë, ndaj jam i kënaqur që jam këtu”, tha Haddad, teksa vuri në dukje  bashkëpunimin franko-shqiptar për transformimin e Vilës 31.

“Ky vend këtu ka prodhuar një histori të rëndë për Shqipërinë dhe kujtesën e shumë shqiptarëve, por sot ky vend i shndërruar i përket një faqeje të re të historisë së Shqipërisë. Po shikon drejt së ardhmes dhe i është përkushtuar krijimit artistik dhe dialogut mes kulturave. Pra bëhet një vend që dikur ka qenë i privuar nga liritë dhe bëhet tashmë një vend krijimi, mendimi për të marrë rreziqet për ta menduar botën, sikurse vetëm artistët mund ta bëjnë”, u shpreh Haddad.

Sipas tij, “Vila 31 x Art Explora” është një simbol i rrënjosjes së Shqipërisë në vlerat e kontinentit tonë.

“Në një kohë të trazuar për Europën dhe botën është e rëndësishme të kujtojmë që miqësia midis dy vendeve tona, bazohet në një histori të përbashkët dhe gjeografi të përbashkët duke patur Mesdheun e përbashkët, por gjithashtu me vlerat e përbashkëta dhe kjo na bën të mundur të mendojmë një të ardhme të përbashkët europiane”, tha ai.

Haddad, nënvizoi se, Vila 31 është më tepër se një vend pune për artistët. Ajo mishëron një ide për artin dhe ndarjen e vlera, e shënjon Tiranën në platformat e mëdha kryesore të artit bashkëkohor.

“Ky vend mishëron rrugën që ndjek Shqipëria drejt anëtarësimit europian që Franca e mbështetë plotësisht, dëshmon për integrimin që po ndjek vendi juaj. Vila 31 bën pjesë në bashkëpunimin dinamik mes dy vendeve tona”, deklaroi Haddad.

Ai shprehu bindjen se punimet artistike që do të shfaqen aty do të forcojnë lidhjet mes Francës dhe Shqipërisë.

Lini një Përgjigje